Lajmet

Konkurrenca në treg, përcaktor i çmimit të PTK-së

Apr 7 2011
0 Shpërndarje
Konkurrenca në treg, përcaktor i çmimit të PTK-së

Gjatë një takimi të hapur për media mes ministrit Beqaj dhe Sindikatës Profesioniste të PTK-së, këta të fundit i kanë dorëzuar një listë të gjatë të kërkesave, në mënyrë që të mbrohen interesat e punëtorëve dhe të kompanisë e cila ka hyrë në rrugën e privatizimit.

Me këtë rast ministri Beqaj ka thënë se është duke u punuar maksimalisht që procesi i transaksioneve të jetë në mënyrë maksimale transparente dhe konformë standardeve ndërkombëtare dhe se për këtë janë angazhuar ekspertë të niveleve ndërkombëtare për të bërë analizat.

Duke folur për punëtorët e PTK-së, Beqaj ka thënë se ekzekutivi i vendit është i përkushtuar që të mbrojë në mënyrë maksimale interesat e punëtorëve ashtu siç e parasheh edhe Ligji i Punës.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar që në proces të privatizimit t’i mbroj në mënyrë maksimale interesat e punëtorëve të Postës dhe Telekomit, duke respektuar ligjet që janë në Kosovë, Ligjin e punës dhe ligjet e tjera, jo për t’i kryer favore më shumë punëtorëve të postës sesa punëtorëve të tjerë, sepse ligji i punës është ai cili definon qartë se kah do të shkohet”, ka thënë ai.

Pasi janë dorëzuar kërkesat, ministri Beqaj ka thënë se do të marrë ato dhe pas analizave do të trajtohen në mënyrë konstruktive në Komitetin Ndërministror për Privatizimin e PTK-së.

Ndërkohë që shumë shpesh përfolët për çmimin e shitjes së PTK-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Beqaj ka thënë se kjo është e padrejtë, pasi që dihet se çmimin e përcakton konkurrenca e tregut.

“Çmimi i shitjes së Postës dhe Telekomit do të përcaktohet nga aftësia konkurruese e ndërmarrjeve të cilat do të marrin në proces dhe normalisht ofrimi i anës tonë sistemit sa më të rregullt ligjor dhe më transparent. Andaj ne jemi të përkushtuar nga ana jonë, ndërsa jemi të përkushtuar që të kemi një konkurrencë të fort nga ndërmarrjet nga të cilat vetëm kanë treguar interes, janë ndërmarrje të fuqishme në këtë treg dhe presim që sikurse kanë bërë e tërë bota, sikurse që kanë bërë të gjitha vendet e rajonit dhe ne jemi të fundit në këtë radhë”, ka theksuar ai.

Për më tepër ai ka shtuar se me privatizim qytetarët do të përfitojnë shërbime më të mira dhe buxheti i Kosovës do të plotësohet edhe më shumë nga taksat. Ndërsa i pyetur se a e njeh edhe krahun tjetër sindikal që është në kuadër të PTK-së, Beqaj ka thënë se i njeh të gjithë përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët janë të gatshëm për të ulur e dialoguar në mënyrë qytetare për të drejtat e punëtorëve.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës Profesioniste të PTK-së, Gazmend Isufi ka thënë se kjo sindikatë është e përkushtuar vetëm për të drejtat e punëtorëve, në mënyrë që punëtorët të mos jenë të zhgënjyer.

Ai tha se shpreson që edhe Qeveria e vendit do të garantoj punëtorët që të kenë kontrata pesëvjeçare dhe një pagë të cilën e kanë edhe tash.

“Jam i bindur që edhe Qeveria të kupton kërkesat tona që t’i garantoj punëtorët për 5 vite me paga aktuale dhe besoj dhe do të shpresoj që edhe punëtorët nuk do të jenë të zhgënjyer më kërkesat tona dhe besoj që nuk do të zhgënjehen as një aspekt. Kërkesa jonë është direkte dhe nuk besoj që do të lëshojmë pe për të drejtat e punëtorëve”, ka thënë Isufi.

Kërkesat e kësaj sindikate janë sigurimi i punës së punëtorëve aktual të PTK-së për pesë vite me radhë, ruajtjen aktuale të pagave, konformë pozitës. Pastaj ndarja e aksioneve të caktuara për punëtorët, pasi që edhe punëtorët janë krijues të këtyre aseteve, një kërkesë tjetër është që për largimet individuale pa arsye punëdhënësi duhet t’i paguaj dëmshpërblim prej 20 mijë euro plus stazhin e punës./kosovapress/

Lajmet e fundit>