Lajmet

Konkursi vjetor “Dritan Hoxha” pret aplikime nga gjithë të rinjtë që aspirojnë në fushën e medias

May 2 2014
0 Shpërndarje
Konkursi vjetor “Dritan Hoxha” pret aplikime nga gjithë të rinjtë që aspirojnë në fushën e medias

dritanhoxhaNë inkurajim të gazetarisë cilësore dhe me qëllimin për të promovuar gazetarët të rinj shqiptarë, Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” organizon për të tretin vit radhazi konkursin vjetor “Dritan Hoxha”, për gazetarët e rinj apo për të gjithë ata që aspirojnë dhe e shohin gazetarinë si profesionin e tyre të të ardhmes. Të rinjtë ftohen të sjellin modele të reja të të shkruarit me synim për të pasuruar mendimin profesional në zhanre të ndryshme të gazetarisë së shkruar.

“Përveçse shkrimit më të mirë për shtypin e shkruar, këtë vit, Fondacioni do të pranojë edhe aplikime për raportimin më të mirë multimedial në ueb si dhe videon më të mirë sociale, pra një raportim video që do të përmbajë një denoncim, një problematikë, dhe një temë që është lënë e lirë për t’u përcaktuar nga vetë konkurrentët,” shprehet drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako. Ajo shton gjithashtu se fokusi më i madh i të rinjve që do të dërgojnë aplikimet duhet të jetë trajtimi i një teme të prekshme të realitetit shqiptar.

Dy vitet e kaluara, fituesit e konkursit kanë shkruar për dy problematika në dy qytete të ndryshme të Shqipërisë. Njëri prej tyre ka qenë një raportim mbi problematikën e minierës së Bulqizës dhe varfërinë që shoqëron këtë zonë, ndërsa i dyti ka trajtuar problematikën në qytetin e Beratit në një material me temë “Në UNESCO por drejt vdekjes”.

Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha, sot kujtohet si gjeniu mediatik, por edhe si njeriu që dinte të shikonte përtej kufijve që shihnin të gjithë. Me pasionin për inovacionin, ai krijoi dhe ndërtoi Top Median, ekranin e dashur të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e më gjerë. Ai kishte një besim absolut tek të rinjtë dhe ky konkurs është pikërisht një vazhdim i traditës së nisur që në ditët e para.

Konkursi është i hapur deri më datën 13 maj. Në dosjen e aplikimit, e cila dërgohet me e-mail në adresën [email protected], aplikantët duhet të përfshijnë, përveç materialeve të tyre të shkruara apo linkut të raportimit multimedial ose videos në YouTube, edhe një CV të tyre së bashku me kontaktet. Fituesit do të nderohen me një certifikatë si dhe një shpërblim financiar. Të gjithë të interesuarit mund t’i gjejnë materialet e nevojshme dhe kriteret e aplikimit ne faqen zyrtare të Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, http://fm-dritanhoxha.al. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>