Vëzhgim

Kontrolli i Sistemeve Operative mobile

Mar 9 2009
0 Shpërndarje
Kontrolli i Sistemeve Operative mobile

Fjala “i mençur” te telefonat e mençur vjen nga softueri që përdorin. Sot telefonat e mençur janë me madhësi xhepi, kompjuterë personalë të lidhur me internet. SO (Sistemi Operativ) që përdorin ka shumë ndikim në fuqinë dhe personalitetin e tyre. Blini një telefon dhe me atë rast i dedikoheni një platforme si të ishit duke zgjedhur një PC apo Mac.Për të parë se si SO-të e telefonave të mençur tregojnë veten, kalova ca kohë me pesë sistemet kryesore, me telefonat që shfaqin më së miri përparësitë e tyre: iPhone OS të Apple (të cilin e kam provuar në iPhone 3G; duke përdorur rrjetin AT&T), Android të Google (në G1 të T-Mobile), Windows Mobile të Microsoft (në HTC Touch Diamond), Nokia S60 3rd Edidtion me Symbian (në modelin N96, të shitur pa kontratë) dhe RIM BlackBerry OS (në BlackBerry Bold, duke përdorur AT&T).

Kam gjykuar pesë sistemet operative sipas mundësive që kanë, lehtësinë e përdorimit, stilin dhe përdorimin e aplikacioneve standarde, apo programeve nga zhvillues të tjerë.

Fituesit

Sistemet operative më mbresëlënëse janë dy me historinë më të shkurtër: iPhone i Apple dhe Android i Google.
Të dy janë të koncentruar në internet, të dy janë funksionalë dhe zbavitës; të dy telefonat e bëjnë të mundur shumë lehtë zgjerimin e mundësive të telefonit me aplikacione të reja. Tani, iPhone OS është në epërsi ndaj Google OS, por me kalimin e kohës sistemi operativ me kod të hapur, Android dhe pa ndalesa për aplikacione nga zhvilluesit e tjerë mund t’ia kalojë sistemit operativ të mbyllur të Apple.

Në mesin e veteranëve, BlackBerry OS është duke bërë punë solide për të mbajtur fuqinë që e ka bërë të popullarizuar në fillim, duke iu përshtatur kohës. Për dallim nga kjo, Windows Mobile dhe S60 3rd Edition janë duke u plakur keq.

Apple iPhone

Çfarë është: iPhone OS është versioni për xhep i Mac OS X, i zvogëluar dhe i ridizajnuar për iPhone 3G (find.pcworld.com/61993).

Si punon: Kur rrëshqisni gishtin mbi ekranin e ndjeshëm në prekje me teknologjinë multitouch të iPhone 3G, hardueri dhe softueri i këtij aparati ju dërgon në një përvojë shumë interesante. Me SO të tjerë, humbi shumë lehtë mes menyve ose harroni se si të bëni ndonjë punë shumë të thjeshtë. Aplikacionet e iPhone janë shumë tërheqës dhe të përshtatshëm. Mungesa më e madhe e këtij SO është pamundësia e opsionit copy/paste – por për hir të së vërtetës as që e kam ndjerë mungesën e tij.

Si duket: Shkëlqyeshëm.

Gjithçka, nga topografia e sofistikuar, deri tek efektet e animacioneve që kontribuojnë në ambient atraktiv dhe të pasur të pajisjes.

Aplikacionet e integruara: Aplikacionet që merrni në këtë pajisje punojnë shumë mirë, veçanërisht shfletuesi Safari, i cili e thjeshton navigimin nëpër faqe, të cilat nuk janë dizajnuar të shikohen përmes telefonit mobil. Programet për video dhe muzikë janë të kalibrit të iPod. Sa i përket opsionit të përdorimit si vegël produktive, iPhone nuk e ka arritur shkëlqimin që duhet ta ketë. Për shembull, nuk mund të kërkoni mes mesazheve e-mail, gjithashtu nuk do të merrni ndonjë aplikacion për editimin e dokumenteve apo menaxhimin e listave për detyrat e dhëna.

Gjëra nga zhvillues të tretë: Mijëra programe mund të gjenden sot, vetëm disa muaj pasi Apple hapi iPhone për zhvilluesit e tjerë, ndërsa shkarkimi i tyre direkt nga App Store është shumë i lehtë. Ndër më të mirat, ato si Facebook dhe marrësi i shënimeve Evernote, janë të shkëlqyer dhe falas. Por limitimet që Apple i ka vendosur aplikacioneve të zhvilluar nga palë të treta, që nuk mund të punojnë në sfond dhe të kenë qasje në të dhëna tjera përveç atyre të krijuara nga ata, është një pengesë e madhe për përdorim të shërbimeve, nga mesazhet e shpejta deri te kompletet për zyra. Apple është distributori i vetëm i softuerit për iPhone dhe ka ndaluar ofrimin e disa aplikacioneve shumë të dobishme, që zhvilluesit i kanë dërguar për aprovim.
Përfundimi: SO iPhone është sistemi operativ më i përshtatshëm dhe i kënaqshëm që ekziston deri më tash, por rritja e tij mund të cënohet nëse Apple vazhdon të mbajë kontroll të vazhdueshëm mbi zgjerimin e aplikacioneve.

Google Android

Çfarë është: Sistemi Operativ i ri nga Google është një platformë e re ambicioze me kod të hapur, me qëllim përshtatetjen e sipas kërkesave të kompanive të celularëve. Deri më tani është paraqitur vetëm në një model, T-Mobile G1 (find.pcworld.com/61827).

Si punon: Në G1, Android duket si përzierje e iPhone me BlackBerry. Kjo vjen nga ekrani i ndjeshëm në prekje dhe topi navigues, me menytë Menu, Home dhe Back. Desktopi i ndryshueshëm është një plus. Përgjithësisht, krahasimi me platformat më të vjetra e sjell në epërsi, por nuk është aq i lirë sa iPhone.

Desktopi i Android të kujton Sistemet Operative për PC, si Windows Vista dhe OS X Leopard. Mund të lëvizni ikonat dhe të instaloni aplikacione, si ora apo fusha për kërkim.

Si duket: Android nuk është një kryevepër estetike si iPhone OS, por është i freskët, tërheqës dhe e bën të lehtë përdorimin e ekranit me rezolucion të lartë të G1.

Aplikacione të integruara: Programet janë të integruar ngushtë me shërbimet e Google si Gmail dhe Google Calendar, gjëja e parë që duhet të bëni kur ndizni telefonin për herë të parë është të jepni informatat për llogarinë tuaj Google. (Kjo është mirë kur nuk jeni i varur nga alternativa si Microsoft Exchange.)

Shfletuesi i Android nuk ka navigimin multitouch të iPhone, por në përgjithësi është rival i afërt me të. Gjëja më e mirë për opsionet që ofron për muzikë është mundësia për të shkarkuar këngë pa DRM nga Amazon. Videot e vetme që mund të shikoni janë klipet e YouTube.

Si edhe iPhone, Android vjen me një aplikacion që e bën shumë të lehtë gjetjen, shkarkimin dhe instalimin e aplikacioneve nga palë të treta.

Gjëra nga zhvillues të tretë: Zhvilluesit e softuerit sapo kanë filluar të kërcejnë në vagonin e Android. Shërbimi Market ju lejon të shkarkoni programe direkt nga Google; për dallim nga iPhone, në këtë sistem mund të shkarkoni aplikacionin nga shitës të tjerë si Handago.

Përfundim: Potenciali i Android është gjigant, veçanërisht nëse vendoset në shumë telefona. G1 është një punë në progres, por që premton shumë.

SO RIM BlackBerry
Çfarë është: Ky SO punon te telefonat e mençur RIM BlackBerry, duke përfshirë Bold (find.pcworld.com/61990) dhe Storm (find.pcworld.com/62029).

Si punon: Koncepti i BlackBerry ka ndryshuar shumë pak në ndërfaqe gjatë viteve të kaluara. E pse duhet të ndryshojë? Në rrugën e vet, ndërfaqja e BlackBerry është aq logjike dhe e përshtatshme sa edhe e iPhone. Në shumicën e modeleve bëni pothuajse të gjitha funksionet me topin navigues, butonin Menu dhe butonin që ju kthen prapa në dritaren e mëparshme.

Mësoni këto veprime dhe mund të punoni me një shpejtësi ekstreme përmes Sistemit Operativ. Ende nuk kam provuar Storm, i cili e zëvendëson kontrollet standarde me ekranin e ndjeshëm në prekje, të ngjashëm me iPhone.

Si duket: BlackBerry OS është mjaft i përshtatshëm për mesazhe dhe i thjeshtë, edhe pse modelet e reja si Bold, e kanë veshur atë me fonte më të qarta dhe ikona më të bukura.
Aplikacionet e integruara: Aplikacionet për e-mail dhe kalendar të BlackBerry ende kanë standarde të larta, siç i kanë pasur sa i përket dizajnit efikas dhe lidhjes në kohë reale me sisteme mesazhesh si Microsoft Exchange.

Pamja e re e ndërfaqes së BlackBerry është më tërheqëse dhe me më shumë ngjyra se versionet e kaluara, por përsëri ka ruajtur thjeshtësinë dhe përshtatjen që e kanë bërë BlackBerry popullor.

Bold ka paraqitur një shfletues shumë më të përmirësuar në krahasime me konkurrencën iPhone dhe Android, në mundësitë për të shfaqur faqet në mënyrën që dizajnerët kanë dashur të duken. Aplikacionet për muzikë dhe video janë shumë të përshtatshme, por më të mira janë veglat e produktivitetit.

Gjëra nga zhvillues të tretë: Para një kohe, përdoruesit e BlackBerry kishin vetëm disa programe në përdorim, por së fundmi tregu është rritur. Mijëra aplikacione, nga ato produktive, deri tek lojërat, janë në dispozicion të përdoruesve. Windows Mobile dhe S60 kanë koleksion më të madh.

Për momentin BlackBerry nuk ofron instalim përmes “ajrit” si te AppStore apo Market i Google Android. BlackBerry i RIM pritet që në mars të lançojë shërbimin e ngjashëm me emrin storefront.
Përfundim: Sistemi Operativ BlackBerry është një qen i vjetër, por i mençur dhe i gatshëm të mësojë truke të reja.

Microsoft Windows Mobile

Çfarë është: Siç tregon edhe emri, ky është versioni mobil i Windows të Microsoft. Versioni 6.1 është instaluar në pajisje të prodhuara nga HTC, Motorola, Palm, Samsung dhe të tjerë.

Si punon: Befasisht, Windows Mobile punon si një Windows i plotë, me menynë Start dhe shiritin e sistemit. Kjo nuk është një gjë edhe aq e mirë. Kush dëshiron të mundohet me ato ikona të vogla? HTC Touch Diamond (find.pcworld.com/61839) kalon nga ndërfaqja e bazuar në punën me laps (stylus) në sistem të drejtuar me gishtërinj, Touch FLO, që nuk i afrohet as për së afërmi iPhone OS.

Si duket: Duket shumë i përshtatshëm për punë. Por nuk i afrohet as afër sipërfaqes së lëmuar të iPhone OS.
Aplikacionet e integruara: Versioni i Internet Explorer në telefonat e tashëm është arkaik. Touch Diamond e ka ndërruar atë për Opera Mobile. (Microsoft ka lëshuar versionin e ri të IE, por ende nuk është vendosur në asnjë telefon.) Në anën tjetër, aplikacionet produktive si Word, Excel, PowerPoint dhe Outlook nuk janë aq të këqija.

Gjëra nga palë të treta: Gjëja më e mirë për këtë sistem operativ është gama e gjerë e aplikacioneve në çdo kategori. Veglat si Lakeridge Software Wis Bar Advanced ju lejon të ndryshoni pamjen e ndërfaqes, si dhe funksionalitetin, duke kompensuar disa nga mungesat që ka. Por nuk ka ndonjë shitore për aplikacione ngjashëm me iPhone OS dhe Android.

Përfundim: Windows Mobile ka mbetur mbrapa në shumë fronte. Nuk pritet ndonjë ndryshim i madh deri në fund të vitit 2009 ose 2010. Versioni 6.1 do të jetë dominues.

Nokia S60 3rd Edition në Symbain

Çfarë është: S60 3rd Edition është version i respektuar i SO Symbian i përdorur në shumë telefona të mençur, jo vetëm nga Nokia, por edhe nga LG dhe Samsung.

Si punon: Ndërfaqja e S60 daton që nga koha kur telefonat e mençur kanë përkrahur vetëm tastierat numerike dhe disa butona tjerë. Tenton të kalojë përmes menyve të lodhshme shumë shpejt. (SO BlackBerry bën punë shumë më të mirë në bërjen e pajisjeve pa ekran të ndjeshëm në prekje si pajisje më të shpejta dhe efikase.)

Si duket: Është jashtë mode sipas standardeve të sotme, me fonte katrore dhe ikona të vjetra.
Aplikacione të integruara: Programet ndryshojnë nga telefoni në telefon. Nokia N96 (find.pcworld.com/62082) që kam provuar, kishte një komplet mjaft të mirë programesh dhe tiparet e integruar ishin mjaft të mira. Shfletuesi, për shembull, kishte opsionin zoom-in/zoom-out që është i ngjashëm teorikisht me Safari të iPhone. Por ndërfaqja e komplikuar i bën të duken më të dobëta se aplikacionet në çdo telefon që kam provuar.

Fontet dhe ikonat e S60 janë të ndryshueshme, por ato ndikojnë në pamjen jashtë mode të sistemit operativ.
Gjërat nga palët e treta: Një bollëk aplikacionesh është në dispozicion në faqe si Handago, një nga libraritë më të mëdha, falë jetëgjatësisë dhe përdorimit të madh të Symbian.

Përfundimi: S60 3rd Edition është relativisht i dërmuar, por edhe i vjetër. S60 5th Edition do të freskojë SO me tipare, si përkrahja për ekran të ndjeshëm në prekje. Nokia 5800 XpressMusic, që është telefoni i parë që do ta përdorë, nuk do të arrijë në Shtetet e Bashkuara deri në fillim të vitit 2009.

 

Lajmet e fundit>