Biznes

KosoftADS, rrjeti më i madh shqiptar i marketingut online

Aug 9 2010
0 Shpërndarje
KosoftADS, rrjeti më i madh shqiptar i marketingut online

Ideja për një sistem si KosoftADS ishte e pranishme prej vitit 2007, edhe pse interneti në tregun shqiptar nuk kishte këtë zhvillim që ka sot, trendi i zhvillimit ishte jashtëzakonisht i madh, ashtu siç ishte edhe rritja e numrit të atyre që shfrytëzonin internetin.

Besart Bajrami, përfaqësues nga kompania Kosoft the për PCWorld Albanian se bazuar në rritjet e tilla të shfrytëzuesve të internetit, të ueb faqeve të argëtimit, ueb faqeve të informimit dhe të kompanive, është parë e arsyeshme të krijohet një sistem që do të ishte në të mirën e të gjithëve, pasi që në njërën anë do t’ju mundësonte kompanive dhe bizneseve që të reklamojnë shërbimet dhe produktet e tyre në një rrjet ueb faqesh me një kosto shpenzimesh relativisht të ulët por me një përfitim jashtëzakonisht të madh,  ndërsa në anën tjetër do të ndihmonte pronarët e ueb faqeve dhe webmasterët të nxjerrin sadopak fitim nga puna e tyre online.

Versioni i parë i KosoftADS

Versioni i parë online i KosofADS lëshohet në prill të vitit 2008. Në atë kohë sistemi nuk ishte i hapur për publikues, por vetëm për reklamues sepse fillimisht shqyrtohej siguria nëse është koha e përshtatshme për të bërë diçka të tillë.

“Duke parë interesimin e reklamuesve por dhe të pronarëve të ueb faqeve, të cilët na shkruanin nëse do të mund të bëheshin partner me ne dhe të publikonin reklamat tona në ueb faqet e tyre, ne vendosëm që të avancojmë dhe më tej këtë sistem. Kështu në janar të vitit 2009, ne publikuam online versionin e dytë të këtij sistemi, që tani ishte disa herë më i avancuar se ai paraprak” shprehet z. Bajrami.

Sistemi i ri që u shpalos, ju lejonte të gjithë pronarëve të ueb faqeve të regjistrohen në sistemin e KosoftADS dhe të publikojnë reklamat në ueb faqet e tyre. Në këtë mënyrë gradualisht filloi edhe rritja e rrjetit të publikuesve, përkatësisht rrjeti i ueb faqeve ku shfaqeshin reklamat e reklamuesve të KosoftADS.

Me rritjen e ueb faqeve partnere, fillon të rritet edhe numri i reklamuesve, njëkohësisht filluan edhe rritjet dhe kërkesat për nevojat e avancimit dhe zhvillimit të sistemit. “Që nga ajo kohë ne kemi azhuruar sistemin dhe dy herë të tjera duke ofruar shërbime dhe mundësi jashtëzakonisht të leverdishme për reklamues dhe publikues” shton më tej z.Bajrami.

Sistemi i reklamimit KosoftADS, sistem reklamimi me zgjidhje unike

Ai thotë se sistemi i reklamimit KosoftADS sot ofron zgjidhje unike për bizneset shqiptare që dëshirojnë të promovojnë shërbimet dhe produktet e tyre online para një audience prej 200 mijë vizitorësh në ditë, audiencë kjo që është në rritje të  vazhdueshme. “Aktualisht ne kemi më shumë se 500 partner aktiv (reklamues dhe publikues), nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe më gjerë të cilët përdorin sistemin tonë për të promovuar shërbimet dhe produktet e tyre apo për të fituar nga puna e tyre online”.

Deri tani publikuesit që kanë arritur shumën minimale për tërheqje të fitimeve që ishte 20 euro, i kanë marrë paratë e tyre brenda 48 orëve në llogarinë e tyre në KosPay, ndërsa nga data 13.08.2010 shuma minimale për tërheqje do të jetë 50 euro dhe pagesat do të procedohen edhe përmes transfereve bankare.

Të gjithë ato kompani apo individë që dëshirojnë të reklamojnë në KosoftADS, llogaritë e tyre mund t’i mbushin përmes kartelave, përmes PayPal, KosPay apo transferove bankare. “Jemi duke punuar që të integrojmë edhe AlertPay e Moneybookers si opsion për të bërë pagesa”  tha z. Bajrami.

Projektet për të ardhmen


“Nga fundi i muajit tetor të këtij viti ne planifikojmë që ta kemi online versionin e 4-të të KosoftADS, i cili do të ketë shumë mundësi dhe opsione të tjera te nevojshme për të gjithë bashkëpunëtorët tonë”.

Disa nga opsionet që do jenë ne funksion në versionin e 4-të janë:
– Mundësi e publikimit të reklamave flash, reklamave me katalogje dhe video reklamave,
– Statistika të detajuara për klikimet e pranuara për secilin shtet të targetuar,
– Algoritëm shumë më i avancuar për shfaqjen e reklamave,
– Renderim shumë më i shpejtë reklamave,
– Përkrahje e inline ads,
– Si dhe sistemi i referimit për reklamues dhe publikues, që do të jetë një mundësi me e madhe për të fituar akoma më shumë lek me KosoftADS.

“Gjatë gjithë kohës, ne jemi në kontakt me të gjithë reklamuesit dhe publikuesit e rrjetit tonë duke marrë informacione për kërkesat dhe nevojat e tyre, në mënyrë që të avancojmë dhe më shumë këtë sistem dhe njëheritë ta përshtatim me kërkesat e reklamuesve dhe publikuesve”, u shpreh në fund z. Bajrami.

Ueb faqja e KosoftADS përmes të cilit ju ndërlidheni me sistemin është mjaft e thjeshtë dhe ata që dëshirojnë ta përdorin shërbimin si fillestar duhet të regjistrohen dhe të vazhdojnë me hapat e radhës. Paneli i administratorit jep një pamje të detajuar nëpër kategori të asaj që po kërkoni si dhe tregon edhe gjendjen e llogarisë.

Përmes saj ju mund të krijoni reklama, të shtoni para në llogari, të shikoni statistika, të menaxhoni reklamat, etj.

Siç u tha më lartë ju mund të krijoni llogari në zonën për reklamues ose në zonën për publikues, ku në njërën duhet të paguani për reklamat tuaja e në tjetrën paguesin për klikimet që bëhen në reklamat e të tjerëve por që janë në ueb faqen tuaj. 

Lajmet e fundit>