Vëzhgim

Kosova organizatore e Kampionatit Evropian të Futbollit me Robotë

Apr 23 2009
0 Shpërndarje
Kosova organizatore e Kampionatit Evropian të Futbollit me Robotë

altPrishtinë, 21 prill 2009. – Në organizim të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), në objektin e këtij universiteti në Prishtinë, nga 10-13 qershor 2009, do të mbahet Kampionati Evropian i Futbollit me Robotë. Prof.Dr.Peter Kopaçek, nënkryetar i Federatës Botërore të Futbollit me Robotë (FIRA) dhe kryetar i FIRA-s për Evropë, Dr.Edmond Hajrizi, president i UBT-së dhe udhëheqës i Ekipit “Kosova-UBT”, dhe MSc.

Artan Dërmaku, anëtar i këtij ekipi, në një konferencë shtypi mbajtur sot në UBT, kanë shpalosur detajet e organizimit të këtij kampionati. Duke folur para gazetarëve, Dr.Hajrizi ka komunikuar vendimin e Organizatës Ndërkombëtare të Robotikës që Kampionati Evropian i Robotëve që luajnë futboll të organizohet edhe në Kosovë. Ai ka përkujtuar se në UBT është krijuar një ekip që menaxhohet nga profesorët dhe studentët e këtij universiteti dhe që është emëruar “Kosova-UBT”.

Ky ekip, tha ai, ka marrë pjesë vitin e kaluar në kampionatin evropian të robotëve që luajnë futboll, organizuar në Zvicër e Austri, ku edhe, në një konkurrencë shumë të fortë, ka zënë vendin e katërt. “Në bazë të punës serioze, kemi kërkuar që edhe në Kosovë të mbahet ky kampionat dhe komiteti i FIRA-s ka vendosur pozitivisht që kampionati me robotë të mbahet edhe  në Kosovë, në Prishtinë, më konkretisht në objektin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji”, tha Dr.Hajrizi. Hajrizi ka potencuar si fakt shumë të rëndësishëm elementin që Kosova organizon një ngjarje të nivelit shumë të lartë, duke qenë e para në rajon, para të gjitha shteteve të tjera, element ky që tregon se rinia e Kosovës di të tregojë pozitivistet dhe të bind të gjithë se është në rrjedha të zhvillimeve më të fundit të teknologjisë moderne në botë.

Pasi ka njoftuar se ky kampionat do të organizohet nga 10-13 qershor 2009, Dr.Hajrizi përkujtoi se deri tash pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar disa ekipe nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa ekipe të tjera pritet të paraqiten për pjesëmarrje në ditët dhe javët në vijim. Ai gjithashtu njoftoi se UBT është duke bërë përgatitjet e nevojshme organizative, të cilat përfshijnë edhe krijimin e një ueb-faqeje të veçantë për këtë kampionat, ku do të plasohen të gjitha informatat e nevojshme dhe njëkohësisht do të paraqiten edhe rezultatet e ngjarjet tjera gjatë zhvillimit të garave. Në fund të fjalës së tij, Dr.Hajrizi ka falënderuar z.Kopaçek për angazhimin e tij, sikur edhe kryetarin e FIRA-s, me të cilin kanë pasur rast të takohen gjatë kampionatit të vitit të kaluar në Linc të Austrisë.

Nga ana e tij, Prof.Dr.Peter Kopaçek, nënkryetar i Federatës Botërore të Futbollit me Robotë (FIRA) dhe kryetar i FIRA-s për Evropë, përkujtoi se FIRA, organizata ndërkombëtare e robotëve që luajnë futboll është themeluar në vitin 1993 dhe prej atëherë organizohet kampionati botëror në këto gara. Ai përkujtoi se kampionati i fundit është organizuar në Kinë në vitin 2008, ndërsa kampionati i sivjetmë do të mbahet në Inqan në Koren Jugore. Kopaçek ka përkujtuar se në vitin 1997 është themeluar edhe Fira Evropiane në kontinentin e Evropës, ndërsa në vitin 1998 për herë të parë është organizuar kampionati evropian i FIRA në Universitetin e Vjenës për Teknologji. Vitin e kaluar kampionati evropian i robotëve që luajnë futboll është organizuar paralelisht me kampionatin evropian të futbollit, të organizuar në Zvicër dhe në Austri. Ai theksoi gjithashtu se organizimi i këtyre garave është një mundësi e mirë për relacione me publikun për të treguar zhvillimet e fundit të robotikës në këtë fushë.

Para gazetarëve të pranishëm, Prof.Kopaçek ka demonstruar mënyrën e funksionimit të një roboti që luan futboll. Ndryshe, në kampionat do të marrin pjesë ekipe nga vendet e ndryshme evropiane, ndërsa Republikën e Kosovës do ta përfaqësojë ekipi “Kosova-UBT”. Udhëheqës i ekipit “Kosova-UBT” është Dr.Edmond Hajrizi, ndërsa anëtarët të ekipit janë Msc Artan Dërmaku, mësimdhënës në UBT, dhe studentët Kushtrim Dragusha, Jeton Ahmeti, Faik Luri, Sherif Hyseni, Faton Bekteshi e Ahmet Murati. Loja e parë e futbollit të robotëve në Kosovë u zhvillua në UBT, në vitin 2003. Futbolli i robotëve është implementim i lojërave futboll të robotëve, duke përdorur robotët e programuar që lëvizin. Një ekip i vërtetë i robotëve të futbollit përbëhet nga 11 lojtarë. Në bazë të numrit të robotëve në lojë përcaktohet edhe kategoria ose, më mirë thënë, liga. Një nga robotët është portier, ndërsa të tjerët janë sulmues. Goli shënohet kur topi kalon vijën e portës. Fituesi vendoset në bazë të golave të dhënë. Sipas rregullave, robotët nuk guxojnë të jenë më të mëdhenj se 7.5 cm dhe është e ndaluar të lëvizin më shpejt se 12 km/h. Loja zgjat dy herë nga 5 min. Koha ndalet nëse ndonjë prej robotëve dëmtohet dhe duhet të largohet nga fusha. Loja e robotëve është një shembull tipik i “Multi-Agent Systems” (MAS) – robotët inteligjentë që veprojnë së bashku në mënyrë kooperative dhe inteligjente.
 

Lajmet e fundit>