Lajmet

Kosovë, Komisioni i Mediave i angazhur për strategjinë e dixhitalizimit

Nov 27 2012
0 Shpërndarje
Kosovë, Komisioni i Mediave i angazhur për strategjinë e dixhitalizimit

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është autoriteti rregullator për shërbimet mediale audio-vizuele në Kosovë, i menaxhimit të spektrit të frekuencave (radio dhe TV), licencimit të subjekteve transmetuese publike e private në Republikën e Kosovës, rishikimit të akteve nënligjore lidhur me rregullimin e transmetimit etj. KMP është i angazhuar aktualisht me finalizimin e procesit të dixhitalizimit në Republikën e Kosovës.

Ky proces është një nga detyrat më të rëndësishme që Kosova po planifikon të realizojë deri në muajin qershor 2015.

Që prej vitit 2009 KPM-ja ka krijuar disa grupe pune. Ato janë tashmë në pragun e finalizimit të hartimit të projekt-strategjisë për dixhitalizimin.

Ky projekt-strategji është hartuar sipas vizionit dhe pikëpamjeve të industrisë së mediave në Kosovë dhe udhëhiqet nga KPM-ja. Në draft paraqiten kushtet dhe termat e përgjithshëm lidhur me dhënien e licencës së KPM-së, vlefshmërisë së tyre, detyrimet etj.

KPM-ja ka paraqitur gjithashtu një rregullore për komunikimet komerciale audio-vizuele ku përfshihen parimet e përgjithshme, përcaktime të termave si dhe detaje të tjera të nevojshme.

KPM-ja kërkon pjesëmarrje aktive nga të gjitha mediumet transmetuese kosovare, interesi i të cilave është i ndërlidhur me dixhitalizimin. Ajo beson se do të ketë përkrahjen e të gjitha institucioneve kompetente të vendit duke siguruar kushtet e duhura, siç kërkohen nga një numër i madh dokumentesh të Komisionit Evropian, për zhvillimin dhe realizimin e plotë të kalimit nga transmetimi analog në atë dixhital.

Për të arritur këtë, transmetuesi publik dhe të gjitha subjektet do të ndihmonin duke harmonizuar planet e tyre strategjike me projekt-planin e strategjisë së KPM-së.

Në këtë mënyrë, do të arrihej ndërthurrja e të gjitha ideve dhe vërejtjeve përkatëse në strategjinë finale për dixhitalizim në Kosovë, e cila duhet sa më parë të procedohet për miratim nga Kuvendi i Kosovës. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>