Intervista

Kosovë, rritet potenciali i internetit dhe komunikimit

Sep 15 2011
0 Shpërndarje
Kosovë, rritet potenciali i internetit dhe komunikimit

Intervistoi: Çelik Nimani

Industria e telekomunikimit, si mbështetëse dhe fuqizuese e komunikimit të shpejtë mes punëtorëve, kompanive dhe në përgjithësi mes vetë sektorit të ICT-së në Kosovë me vendet e tjera të botës, ka rëndësi të veçantë. Nisur nga ky fakt, sot komunikimi përmes internetit është bërë një element substancial për çdo kompani që ekziston në treg dhe kjo ka ndikuar që 4 ISP-të kryesore që veprojnë në Kosovë të rrisin vazhdimisht kapacitetet e tyre. Megjithatë, nga mungesa e një IP adrese, nga mungesa e kodit telefonik dhe nga mungesa e një CCTLD-je (Country Code Top Level Domain Name), ISP-të e kanë pasur më të vështirë zhvillimin e shërbimeve të tyre. Komunikimi mes tyre dhe klientëve të këtyre ISP-ve gjithnjë ka qenë i vështirë për shkak se sinjali së pari duhet të shkonte deri tek shteti që ofron IP adresat për Kosovën (deri më sot Serbia vazhdon të jetë ofruesi i IP adresave për shtetin e Kosovës) e më pas të kthehet tek konsumatori. 

Për të eliminuar këtë pengesë dhe për të përshpejtuar komunikimin mes ISP-ve, shumë organizata, institucione dhe madje individë në Kosovë kanë shprehur dëshirën për themelimin e një “Internet Exchange Point” (Nyje Shkëmbyese e Internetit), që është një infrastrukturë fizike përmes së cilës Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP-të) shkëmbejnë trafikun e internetit mes rrjeteve të tyre. IXP-të reduktojnë sasinë e trafikut të ISP-ve që duhet dërguar tek ofruesit e transitit, duke reduktuar kështu koston e shërbimit të tyre; përveç kësaj përmes IXP-ve rritet edhe efikasiteti i ridrejtimit dhe ulet gjasa e gabimeve. 

Në planet e saj edhe Autoriteti Rregullativ i Kosovës kishte paraparë ndërtimin e një qendre të tillë, kështu që pajtueshmëria mes partnerëve të ndryshëm nuk mungoi. Duke pasur parasysh këtë atmosferë pozitive për ndërtimin e një IXP Qendre në Kosovë, në vazhdën e përpjekjeve të saj për të mbështetur tregun e Kosovës, USAID ka qenë sërish në qendër të vëmendjes duke shtyrë para implementimin e këtij projekti, në veçanti me synimin se kjo do ta ndihmojë industrinë e IT-së në Kosovë.

Rhedon Begolli, specialist i sektorit të teknologjisë informative në programin për Ndërmarrje Private në Kosovë të USAID-it, u shpreh për CIO Albanian se USAID ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetëse e zhvillimit të industrisë së ICT-së në Kosovë dhe pjesëmarrja e saj në implementimin e këtij projekti ka qenë e rëndësishme, veçanërisht për faktin se kjo ndihmon tërë tregun. “Projekti në fjalë ka filluar me kontaktimin e partnerëve kyçë si Cisco, Ministria e Jashtme e Norvegjisë, Packet Clearing House si dhe ART. Më pas ka nisur realizimi. Duhet theksuar edhe diçka shumë me vlerë për një kompani botërore si Cisco, e cila ka ofruar falas pajisjet e nevojshme për këtë qendër.”  

Përfitimet e mundshme

“Para instalimit të IXP-së, trafiku lokal ka shkuar nëpërmjet ofruesve të tjerë transit jashtë shtetit dhe ka ndikuar në rritjen e kostove për ISP-të vendore si dhe ka rritur vonesat (latency) në internet”, u shpreh z. Begolli. Sipas tij, IXP-ja i kursen mijëra euro ISP-ve të Kosovës dhe mundëson zhvillimin e produkteve që shfrytëzojnë rrjetin lokal. “Sipas disa burimeve, zhvillimi i sektorit të TIK-ut ka marrë hov të konsiderueshëm brenda 3 deri 5 viteve të para të operimit në vendet ku është instaluar, dhe sidomos duke marrë parasysh trendin e rritjes së shpejtë të shfrytëzimit të internetit, ne shpresojmë se kjo kosto do të reflektohet edhe tek shfrytëzuesi i fundit.”

Përfshirja e Packet Clearing House

Nathan Lynch, një i ri me prejardhja nga Zelanda e Re, që tani është në Shtutgart i angazhuar si inxhinier i rrjeteve për një kompani telekomunikuese satelitore, në emër të Packet Clearing House (një institut jofitimprurës hulumtues i internetit që në mes të tjerash promovon dhe ndihmon në themelimin e IXP-ve neutrale në shtetet në zhvillim e sipër) ishte i pranishëm në Kosovë gjatë krijimit të Internet Exchange Point. Në një intervistë për CIO, z. Lynch shpjegoi rolin e tij gjatë implementimit të projektit duke shtuar se detyra e tij ishte në ofrimin e ndihmës praktike për të konfiguruar  ndërprerësit (switch-at) dhe sistemin për menaxhimin e rrjetit. Përveç kësaj ai ishte përgjegjës edhe për lidhjen e katër pjesëmarrësve të KOSIX (ISP vendorë që përfituan rastin të shkëmbejnë dhe komunikojnë mes tyre).

“PCH në fillim ka pasur një rol instrumental duke punuar me zyrtarë të ART, me ISP-të dhe duke u kujdesur për punët e dizajnit. Cisco ka dhuruar harduerin që nevojitet për platformën e shkëmbimit. Universiteti i Prishtinës ka ofruar hapësirën për të vendosur IXP-në, Ambasada Norvegjeze ka investuar në renovimin e hapësirave dhe në ofrimin e një gjeneratori dhe USIAD (përmes Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë – KPEP) ka ofruar fondacione të tjera shtesë dhe ka bashkuar tërë projektin”, theksoi z. Lynch.

IXP, pse ka rëndësi për Kosovën?

Sipas z. Begolli, themelimi i Internet Exchange Point paraqet një investim në zhvillimin e infrastrukturës së internetit në Kosovë, që mundëson shkëmbimin e trafikut të internetit mes ISP-ve vendore. “Gjithashtu IXP mundëson zhvillim më të madh të aplikacioneve  të internetit si dhe shërbimeve të tjera që kërkojnë vonesa më të ulëta, siç janë shërbimet e hostingut apo qendrat e të dhënave (data centers). Nëse kjo industri përkrahet si duhet dhe energjitë drejtohen nga ajo, atëherë ajo mund të jetë bazë e mirë për zhvillimin e Kosovës. Potenciali i TIK-ut në Kosovë ka shtyrë edhe USAID-in që ta përkrahë këtë sektor me rëndësi për zhvillimin ekonomik në vend.”

“Një IXP është një infrastrukturë neutrale përgjatë së cilës ofruesit e shërbimeve të internetit mund të ndërlidhin dhe shkëmbejnë të dhënat mes tyre”, shprehet në anën tjetër Nathan Lynch. Sipas tij, në formën më të thjeshtë një IXP është një ndërprerës Ethernet në të cilin mund të lidhen shumë palë dhe secila prej tyre mundet të shkëmbejë trafik interneti (apo “peer”) me pjesëmarrës të tjerë pa pasur nevojë të kenë një lidhje të dedikuar me secilin prej tyre. 

“Pse ka kjo rëndësi për Kosovën? Para se të themelohej KOSIX, trafiku mes konsumatorëve të ISP-ve duhej të lëvizte ngadalë (dhe kushtonte shtrenjtë) për shkak se trafiku zakonisht lëvizte njëherë jashtë dhe kthehej sërish brenda shtetit, natyrisht për shkak të mungesës së një rruge direkte ndërlidhëse. Me paraqitjen e KOSIX, trafiku i brendshëm i internetit tani mund të rrjedhë direkt mes ISP-ve lokale (duke ulur koston dhe rritur kapacitetin), duke evituar ngadalësimin dhe kostot shtesë në rrugët transite. Kjo e bën shumë më të shpejtë dërgimin e të dhënave të internetit përbrenda Kosovës (redukton vonesat) dhe rrit kapacitetin (rrit bandwidth-in) si asnjëherë më parë”, deklaroi në përgjigjen e tij z. Lynch.  Përveç kësaj, sipas tij, ka edhe disa përfitime të tjera të rendit të dytë për Kosovën, që ndikojnë në përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e gabimeve në drejtimin e internetit përmes Kosovës, në rritjen e zhvillimit të industrisë së internetit brenda vendit, në krijimin e vendeve të reja të punës me paga më të larta, në reduktimin e të bazuarit në ISP të huaj, etj. 

Zyrtarë brenda Departamentit të Telekomunikacionit në kuadër të ART-së kanë pasur gjithashtu mendim të ngjashëm për rëndësinë e Nyjës së Shkëmbimit të Internetit në Kosovë, duke theksuar se avancimi i sigurisë dhe privatësisë së komunikimeve të internetit është prej gjërave më të rëndësishme që përfitohen si rrjedhojë e të pasurit të një nyje të tillë. “Duke mbajtur internet lokal, brenda kufijve, zvogëlohet rreziku i shfaqjes së dërgimit të të dhënave të ndjeshme përtej kufijve kombëtarë. Përveç kësaj natyrisht përparësitë e tjera janë të ndërlidhura me koston më të ulët të shkëmbimit të trafikut, rritjen e cilësisë teknike (ulja e latency), zhvillimin e tregut, ofrimin e shërbimeve për ISP (raportimin e trafikut), përparësinë për komunitetin duke mundësuar zhvillimin e projekteve edukative dhe hulumtuese, etj”. 

Potenciali për të ardhmen

“IXP nuk është e domosdoshme, por mundëson zhvillimin e aplikacioneve të caktuara dhe shërbimeve që shfrytëzojnë trafikun lokal. Përveç uljes të kostos dhe vonesave të trafikut brenda Kosovës duke shfrytëzuar lidhjet e lira lokale ne vend të linjave të shtrenjta ndërkombëtare, IXP mund t’i tërheqë operatorët e telekomunikacionit të investojnë në Kosovë si dhe mund të inkurajojë zhvillime të mëtejme të infrastrukturës, siç janë lidhjet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare të kabllove me fibra optike”, shton më tej z. Begolli në lidhje me përfitimet e mundshme nga një qendër e këtillë. 

Z. Lynch në anën tjetër shton se qysh prej fundit të muajit prill, kur është funksionalizuar KOSIX, mbi 100 Mbits/sek trafik interneti përbrenda shtetit shkëmbehen kohë pas kohe mes ISP-ve. “Kjo ofron përmirësime të menjëhershme të performancës dhe ato vërehen sidomos në aplikacione që janë të ndjeshme ndaj vonesave apo që kërkojnë shumë bandwidth, siç janë aplikacionet për video/audio transmetim, lojërat online, video-konferencat dhe shkëmbimi i skedarëve në formatin peer-to-peer”.

“IXP i inkurajon kompanitë që prodhojnë ose mirëmbajnë përmbajtje të mëdha siç janë Facebook, Yahoo, Google të vendosen në atë shtet. Për shembull, kur Argjentina dhe Kenia instaluan IXP, Google filloi shërbimet e saj të hostingut në ato shtete. Kjo përveç krijimit të vendeve të punës në ato shtete ndihmoi edhe në krijimin e një qasjeje më të mirë në shërbimet e Google”, u shpreh përfundimisht z. Begolli, i cili shtoi se IXP-ja ka rëndësi edhe për zhvillimin e aplikacioneve dhe webfaqeve në tregun vendor, që do të ndihmojnë në zhvillimin e përgjithshëm të industrisë së TIK-ut në Kosovë dhe në tërë ekonominë e Kosovës.  

Në fund, zyrtarët të Departamentit të Telekomunikacionit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës janë shprehur për CIO Albanian se Nyja Shkëmbyese e Internetit në Kosovë (KOSIX) është përcaktuar me vendim të Bordit të ART-së si njësi funksionale brenda ART-së dhe do të funksionojë si e tillë derisa ART të vendosë se janë plotësuar kushtet për ndryshimin e kësaj gjendjeje. “Në të ardhmen synojmë edhe anëtarësimin në RIPE NCC, Asociacionin Evropian të  Nyjave Shkëmbyese të Internetit (EURO-IX), si dhe anëtarësimin e institucioneve të tjera në KOSIX”. 

(Intervistën e plotë mund ta gjeni edhe në numrin e fundit të revistës – Korrik/Gusht CIO Albanian)

Lajmet e fundit>