Harduer

Krijohet bateria e re e lëvizshme për orën inteligjente të Apple

Mar 7 2015
0 Shpërndarje
Krijohet bateria e re e lëvizshme për orën inteligjente të Apple

apple-watch-reserve-strap-02

Mundësimi i aksesorëve të krijuar nga palë të treta për Apple Watch, është diçka të cilën Apple nuk e ka zyrtarizuar ende. Kjo nuk i ka ndaluar një sërë kompanish të nxjerrin produktet e tyre mbështetëse për orën Apple Watch, e cila pritet të lançohet muajin e ardhshëm. Më i fundit është një aksesor i quajtur Reserve Strap, që ka për qëllim shmangjen e problemeve të kësaj ore me baterinë, me një rrip që përfshin bateri që mund ta vendosni tek ora, dhe që mund ta vishni njëkohësisht me të. Ajo do të bëjë të mundur karikimin e orës tuaj gjatë kohës që ju e keni atë në dorë.

Mundësia e krijimit të një aksesori të tillë është diskutuar prej kohësh, sidomos pas futjes në treg të aksesorëve për Pebble Time Smart Watch. Patjetër që karikuesi ‘Reserve Strap’ që do të krijohet për Apple Watch është ende një prototip, megjithatë ai na jep një tip të qartë të aksesorëve që presim të krijohen për këtë orë. Kompania që po e krijon është shprehur për këtë pajisje:

“Kjo pajisje do të jetë bateri e ngulitur dhe do të shfrytëzojë karikimin induktiv magnetik. Diçka të ngjashme bën dhe karikuesi ekzistues MagSafe për Apple Watch. Ne nuk kemi numra konkret ende, por sipas parashikimeve aktuale të testimit, ne besojmë se me anë të kësaj pajisjeje do të arrihet rritja e jetës së baterisë së Apple Watch me deri në 125%.”

Kohëzgjatja e baterisë ka qenë një nga temat më të diskutuara për Apple Watch, bateria e së cilës tashmë pritet të zgjasë një ditë ose më pak në varësi të përdorimit. Apple gjithashtu thuhet se planifikon të përfshijë një mode- “Power Reserve” në pajisje që e bën orën të tregojë vetëm kohën dhe ruan më gjatë jetën e baterisë.

Kompania është tashmë duke marrë porosi për këtë aksesor në faqen e saj për 249 $. Kjo është 100 $ më pak sesa çmimi  fillestar i vetë orës inteligjente të Apple. Kompania nuk ka një afat kohor për lançimin e saj ende. Ky aksesor megjithatë, i shtohet listës së gjatë të aksesorëve të krijuar ose duke u krijuar për orën më të re Apple. Me shumë mundësi, Apple do të thotë më shumë për aksesorët e kësaj ore gjatë lançimit të vetë orës në 9 Mars. Për më tepër informacion shikoni videon prezantuese të këtij aksesori. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>