Ja se si

Krijoni video interaktive në YouTube

Jan 29 2010
0 Shpërndarje
Krijoni video interaktive në YouTube

YouTube ka krijuar një set veglash në sistemin e editimeve video, e cila ju mundëson të vendosni pak interaktivitet në videot tuaja. Këto shtesa nuk do të jenë interaktive në stilin tradicional të lojërave ose aplikacioneve me Flash, ku ju mund të bëni gjithçka me një klikim në dritare, por do t’ju japin më shumë fuqi që të bëni me YouTube më shumë se ç’keni menduar se është e mundur. Në rastin tonë, na ka ndihmuar të krijojmë videon se si mund të ndërtoni PC-në tuaj (find.pcworld.com/62895) – projekt të cilin e kemi përdorur si shembull.

Rregullimi
Dëshironi të futeni në përvojën interaktive të YouTube me një plan? Rezistoni nxitjes për ta filmuar videon tuaj siç do të bënit me materialet e tjera në YouTube; trajtojeni projektin shumë thjesht dhe do të krijoni punë shtesë më vonë. Videoja juaj interaktive mund të marrë disa forma, por udhëzimet tona ju ndihmojnë të krijoni video “klikoni këtu që të bëni diçka”.

Rregullimi i linjave punuese për projektin tuaj është një mënyrë si të shmangni punët e panevojshme. Mendoni për planin e filmit tuaj si një tabelë të madhe: klipi A mund të drejtojë në një numër rezultatesh – B, C ose D për shembull. Varësisht se si vendosni ta organizoni videon tuaj, sigurohuni që mund të përdorni sa më shumë klipe në zinxhirin tuaj interaktiv.

Ja një shembull i vogël se si kemi ndarë videon tonë ‘ndërtoni një PC’:
    •Prezantimi [A] lidhet me Videon e Plotë [H], Prezantimi i Shtëpizës [B], Pjesët e Pllakës Amë [C] dhe Telat [F].
    •Prezantimi i Shtëpizës [B] lidhet me Pjesët e Pllakës Amë [C] dhe Hard Disku dhe Disqet Optike [E].
    •Pjesët e Pllakës Amë [C] lidhen me Ushqyesin Elektrik [D] dhe Hard Disku dhe Disqet Optike [E].
    Edhe pse videoja që bëmë ne është interaktive dhe i lejon përdoruesit të zgjedhin rrugën gjatë gjithë procesit, ne ende udhëzojmë gjatë rrugës, duke përdorur pjesë të caktuara të videos. Fuqia e funksionit të shënimeve të YouTube është se ju lejon të krijoni shtigje të ndryshme në të njëjtën video– faktikisht të ripërdorni atë që keni regjistruar fillimisht në kombinime të ndryshme.

Filmimi
Procesi i filmimit të videos suaj YouTube nuk është i ndryshëm nga videot e zakonshme që krijoni për këtë faqe. Nëse dëshironi të keni video të kualitetit të lartë, sigurohuni që kamera juaj mund të regjistrojë së paku në rezolucionin 1280 me 720 pikselë. Dhe nëse dëshironi të shmangni zvogëlimin e videos, regjistrojini videot tuaja në formatin 16:9 ose 4:3. Formatet e tjera do ta shtyjnë YouTube që të vendosë shirita të zinj anash videos suaj, që ajo të përshtatet në ekran.

Përfundimisht, sigurohuni që keni gjetur vendin e saktë se ku do të vendosni shënimet të cilat do t’i vendosni në video. Filmoni në atë mënyrë që shenjat katërkëndëshe të mos pengojnë ndonjë element kyç në materialin video.
Shënimet qëndrojnë në një vend, kështu që mos prisni se do të mund të mbuloni ndonjë veturë në lëvizje ose ndonjë top duke kërcyer.
Gjithashtu shënimet nuk mund të paraqiten më gjatë se gjatësia e filmimit në YouTube. Kjo do të thotë se nëse dëshironi të vendosni edhe ndonjë sugjerim në fund të filmit tuaj për shikuesin, regjistroni më gjatë pasi të mbarojë skena, kështu që shikuesit do të kenë mjaft kohë që të zgjedhin opsionin e tyre.

Shtimi i shenjave
Butoni i shenjave: Do të filloni udhëtimin tuaj përmes shenjave duke klikuar në butonin Annotations. Pastaj do të zgjidhni shenjën “Spotlight”, e cila duket si kuti me kënde të mbushura.
Pasi të keni ngarkuar të gjitha videot tuaja në YouTube, shkoni në faqen ‘My Videos’ dhe klikoni butonin Annotations për videon e cila do të shërbejë si element kryesor (dhe prezantim) për projektin tuaj. Kjo video do të përmbajë të gjitha elementet kërkuese të YouTube – titullin, një përshkrim të shkurtër, etiketat e kështu me radhë. Klipet me të cilat do ta lidhni do të emërtohen ndryshe dhe nuk duhet të kenë asnjë etiketë. Ju dëshironi që vizitorët tuaj në YouTube të gjejnë videon që kërkojnë.
Shenjë vezulluese: Kjo kuti transparente është e ndryshueshme dhe e lëvizshme. Gjithashtu mund të rregulloni që teksti të paraqitet kur përdoruesi vendos miun mbi hapësirën e shenjës në videon kryesore.

Prisni që videoja të hapet plotësisht pasi keni shkuar në ekranin me shenja. Që ta bëni videon tuaj interaktive, lëvizni shiritin e kohës në video aty ku dëshironi që shikuesit të zgjedhin se si të vazhdojë tregimi. Pauzoni videon dhe klikoni ikonën në këndin e poshtëm majtas, i cili duket si faqe me një plus. Zgjidhni shënimin që duket si drejtkëndësh me këndet e hijezuara. Poziciononi kutinë ku dëshironi që përdoruesit të mund të klikojnë zgjedhjen e tyre.
Kutia me opsione: Mund t’i zbukuroni shënimet tuaja dhe kohëzgjatjen e tyre në këtë dritare. Mos harroni të vendosni linqet për videot e tjera në YouTube.

Nëse dëshironi, një link mund të ketë një emër i cili do të shfaqet kur përdoruesit kalojnë me kursor në atë hapësirë. Gjithashtu mund të përcaktoni me detaje se kur duhet të shfaqet kutia dhe sa gjatë duhet të qëndrojë në dritare. Pasi t’ju pëlqejë, klikoni ikonën me link në të majtë, që të shtoni URL-në për videon tjetër që dëshironi të shihet nga shikuesit. Përsëriteni këtë hap për të gjitha “opsionet” që duhet të krijoni.

Lajmet e fundit>