Lajmet

Krimet kompjuterike, drejtori i Policisë së Tiranës takim me studentë të Fakultetit të IT-së

Oct 30 2014
0 Shpërndarje
Krimet kompjuterike, drejtori i Policisë së Tiranës takim me studentë të Fakultetit të IT-së

student teknologjise se informacionit 2Drejtori i Policisë i Qarkut Tiranë, Ardian Çipa zhvilloi një takim me studentë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në ambientet e Policisë së Tiranës. Në fokus të këtij takimi, ishte bashkëpunimi me studentët për të shkëmbyer ide,  lidhur me parandalimin dhe goditjen në kohë të krimeve kompjuterike në Shqipëri. Gjatë takimit Çipa theksoj se, vitet e fundit Shqipëria ka njohur një zhvillim të madh në drejtim të ngritjes së infrastrukturës dixhitale, rritjes së numrit të përdoruesve të Internetit, e cila ka arritur në nivele pothuajse të njëjta me vendet e Bashkimit Europian, teknologjinë e përdorur në shtrirjen e sinjalit të Internetit në të gjithë territorin, i cili është gjithmonë edhe më modern. Sipas tij edhe Policia do të integrohet dhe do të hedhë hapa të shpejta për të luftuar në kohë krimin kibernetik.

“Policia, ka në dispozicion një strukturë të specializuar me kapacitetet dhe pajisjet bashkëkohore me njohuri të zhvilluara për hetimin e krimeve kompjuterike dhe ekzaminimin kompjuterik, por ende ka nevojë të punohet në këtë drejtim. Aktualisht, janë 16 punonjës policie që zbatojnë detyra për hetimin dhe ekzaminimin kompjuterik. Ne kemi ndarë këtë strukturë në dy drejtime në përputhje me legjislacionin e penal, atë të hetimit dhe ekzaminimit”- thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia, struktura e hetimit të krimeve kompjuterike, ndahet në dy nivele, qendror dhe atë vendor. Janë të punësuar 10 punonjës policie që mbulojnë kryerjen e të gjitha hetimeve që lidhen me mashtrimet kompjuterike, falsifikimet kompjuterike, mashtrimet me karta bankare të klonuara, ndërhyrjet e paligjshme në sistemet apo të dhënat kompjuterike, krijimin e programeve, viruseve, kodeve, pajisjeve elektronike, për kryerjen e krimeve kompjuterike. Këta punonjës janë trajnuar vazhdimisht nga Departamenti i Trajnimeve në Policinë e Shtetit, programet e asistencës dhe trajnimit në Policinë Shqiptare të SHBA-ve, Bashkimit Europian, vendet partnere të Shqipërisë etj.

Këto struktura kanë realizuar një bashkëpunim edhe me homologet e tyre në vendet e rajonit dhe më gjerë nëpërmjet zyrës së Interpolit, oficerëve të kontaktit etj, duke patur parasysh se një nga veçantitë e krimit kompjuterik është mundësia për tu zhvilluar në një kohë shumë të shpejtë nga njëri kontinent në tjetrin, duke kaluar të gjitha barrierat e kufijve për çështje sekondash. Po ashtu, Policia e Shtetit para pak kohësh ka nënshkruar një Marrëveshje me Universitetin e Tiranës për rritjen e cilësisë së kurrikulave, ku përfshihet dhe ato për hetimin e krimeve kompjuterike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>