Lajmet

Kriminelët kibernetikë janë gjithashtu biznesmenë

May 29 2017
0 Shpërndarje
Brenda vitit të fundit, kriminelët kibernetikë kanë fituar mbi 24 milionë dollarë nga ransomware. Kriminelët kibernetikë janë gjithashtu biznesmenë Photo Source: Klorenta Janushi

Jeni duke shkuar një mëngjes në punë dhe personi pranë jush është i veshur mirë, e në dorë mban një çantë lëkure. Mendoni se është thjesht dikush që po shkon në punë si ju, apo jo? Po, por puna e tij e përditshme nuk ka asgjë të përbashkët me punën tuaj!

Në vend të hartimit të raporteve, analizave për eprorin e tij, ky person është pjesë e një rrjeti të dedikuar për të thyer sigurinë e korporatave, për të vjedhur të dhëna dhe parà. Hakerat e vërtetë nuk janë tipat e çuditshëm që përshkruan Hollivudi, të cilët jetojnë nëpër bodrume. Hakerat e vërtetë janë biznesmenë!

Me kalimin e viteve organizimi dhe sofistikimi i sulmeve kibernetike është rritur ndjeshëm. Arsyeja është e thjeshtë: mijëra biznese nuk i kanë kapacitetet financiare dhe njerëzore të mjaftueshme për të mbrojtur informacionin. E ashtu si çdo biznes tjetër, kriminelët e betejave virtuale dinë t’i promovojnë shumë mirë mundësitë e reja. Çelësi i suksesit të biznesit ka të njëjtin emër edhe për ata – quhet INVESTIM!

TË NGJASHME >

Brenda vitit të fundit, kriminelët kibernetikë kanë fituar mbi 24 milionë dollarë nga ransomware. Biznesi i tyre mund të jetë i vetmi ku punëdhënësi nuk e kursen rrogën për punëmarrësin, dhe ndarja e detyrave është e qartë!

Disa hakera vetëquhen sipërmarrës, dhe është e drejtë për sa kohë që janë mendje hapur në organizimin dhe funksionimin e organizatave të mëdha analoge me korporatat botërore. Për më tepër, në rastin e ransomware, sipërmarrësi sigurohet që të ketë një linjë për shërbimin ndaj klientit, ju siguroj që përgjigjen gjithmonë! Linja e kujdesit ndaj klientit e informon viktimën e sulmit të ndjekë hapat e nevojshëm për të rimarrë të dhënat e tij, pas pagesës së një shume modeste kuptohet, në mënyrë që të gjithë të paguajnë dhe fitimet janë të sigurta.

McAfee vlerëson se kosto vjetore në ekonominë globale për krimin kibernetik është mbi 400 miliardë dollarë, shifër e cila tejkalon të ardhurat kombëtare për shumë shtete. Për fat të keq, qeveritë dhe bizneset vazhdojnë të nënvlerësojnë riskun e krimit kibernetik.

Atëherë ajo që duhet të bëjmë për tu mbrojtur është implementimi i sigurisë kibernetike? Jo, nuk mjafton! As nismat ligjore të qeverisë nuk ju mbrojnë plotësisht nga sulmet, sepse rregullimi ligjor nuk lëviz me shpejtësinë e ndryshimit të teknologjisë. Askush nuk mund ta mbrojë organizatën më mirë seç mund të mbrohet ajo vetë. Organizatat më të suksesshme kanë një drejtor sigurie kibernetike ose një Chief Digital Officer (CDO) për të mbikqyrur aktivitet në hapësirën kibernetike. A duhet të implementojë secila cyber insurance për t’i mbajtur hakerat larg?

Bota po transformohet përpara syve tanë. Për hakerat e sotëm nuk përbën risi marrja e kontrollit të makinës suaj (kujtoni IoT), ata po përgatiten të sulmojnë teknologjitë e reja që do të afektojnë jetën e miliona njerëzve dhe gjithçka mund të fillojë nga IoNT (Internet of Nano Things).

Author: Klorenta Janushi (7 Artikuj)
Klorenta Janushi

Eksperte e Sigurisë Kibernetike

Lajmet e fundit>