Biznes

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësuesit e sektorit të ICT-së

Apr 23 2010
0 Shpërndarje
Kryeministri Berisha takohet me përfaqësuesit e sektorit të ICT-së

Qeveria ka një zotim elektoral dhe unë i qëndroj, kompjuter për çdo të ri. Ky është një premtim që do të mbahet.

Kryeministri Berisha thirri sot një forum të gjerë, të shkëmbimit të mendimeve dhe propozimeve, me komunitetin e biznesit në fushën e teknologjisë e informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe përfaqësues të universiteteve, në kuadër të nismës së qeverisë “Shqipëria dixhitale”. Takimi, ku ishin të pranishëm ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo dhe drejtues të Agjencisë së Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u fokusua në prioritetet, sfidat, projektet dhe veprimin e përbashkët për një zhvillim sa më të shpejtë të ICT-së në Shqipëri. 

Kryeministri Berisha, pasi u ndal në rezultatet e arritura në katër vitet e shkuara në këtë fushë, si shtrirja e internetit në çdo shkollë, dixhitalizimi i sistemit të gjendjes civile dhe i procedurave të tjera administrative, harta dixhitale e vendit etj., theksoi se objektivi në këto tre vite është tejkalimi i mesatares së Bashkimit Europian përsa i përket shtrirjes së IT-së.

“Ne jemi komb i ri dhe asgjë nuk mund të bëjmë më shumë për këtë vend, sesa të zgjerojmë me shpejtësi më të madhe shoqërinë e informacionit në shoqërinë shqiptare”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha propozoi krijimin e një forumi kombëtar, të përbërë nga përfaqësues të qeverisë e sektorit publik, të botës akademike dhe të biznesit, si dhe krijimin e një fond kombëtar për ‘Shqipërinë dixhitale’. Këto propozime u mirëpriten dhe u mbështetën nga komuniteti i biznesi, të cilët shprehën mbështetjen e plotë për nismat dhe projektet e qeverisë për zhvillimin e shoqërisë së informacionit në vend.

Kryeministri ngriti gjatë fjalës së tij edhe domosdoshmërinë e përgatitjes së burimeve njerëzore në fushën e IT-së. Kompanitë në vend, fakultetet e shkollat e tjera profesionale, tha Kryeministri, duhet të nxiten, stimulohen dhe mbështeten për Inovacion dhe kërkim në këtë fushë.

Gjatë takimit, Ministri Pollo u ndal gjithashtu në disa nga projektet e përfunduara dhe në përfundim e sipër, duke përmendur shtrirjen e internetit në shkolla, projekt që përfundoi vitin e shkuar, gov-net, rrjetin qeveritar që, pas Tiranës, po shtrihet edhe në Durrës, pikat e aksesit publik, një projekt i rëndësishëm i postës shqiptare. Ambicia jonë, tha ministri Pollo, është që të jemi një qendër rajonale të ICT-së dhe kjo arrihet duke zhvilluar resurset njerëzore, kapacitet e tyre që prodhojmë dhe të shërbejmë në tregun tonë dhe më gjerë.

Ky ishte takimi i parë me komunitetin e biznesit që operon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe universiteteve, që do të pasohet nga takime të tjera, për të vendosur një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë midis qeverisë dhe tyre, në funksion zhvillimit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“I nderuari zoti ministër,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve të komunitetit, publik dhe privat të shoqërisë së informacionit,

Kemi thirrur këtë takim, dua ta theksoj që në fillim, me vonesë, për një çështje më themelore të zhvillimit të vendit që është zhvillimi i shoqërisë së informacionit. Qeveria ka përcaktuar si drejtim themelor ndërtimin e një infrastrukture të shoqërisë së informacionit, ndër më modernet, të standardeve më të larta, si kusht vendimtar për të ndjekur orën globale, e cila, para së gjithash e mbi të gjitha, është orë dixhitale, si kusht vendimtar për të shkëputur Shqipërinë nga prapambetjet e saj të trashëguara.

 
Në katër vitet që shkuan, ritmet e ecjes në këtë drejtim, kanë qenë në disa raste edhe më të shpejtat në Europë. U krijua një rrjet i tërë institucionesh publike; u shtri interneti dhe kabinetet e informatikës në çdo shkollë; u dixhitalizua tërësisht sistemi i gjendjes civile, regjistrimti të bizneseve, pagesës së taksave, prokurimeve publike; harta fotografike e vendit është dixhitale dhe po ecet në një seri shërbimesh të tjera.

 

Disa tregues kanë pasur rritje shumë të shpejtë si ai i penetrimit të internetit, nga 4.8 përqind në vitin 2005, në 32 përqind në vitin 2009. Po të shohësh rrugësh dhe ta krahasosh me objektivin, ne kemi bërë gjysmën e rrugës, por gjysma e dytë kërkon përpjekje shumë më të mëdha. Detyrat që duhet të përmbushim në gjysmën e dytë janë për të tejkaluar mesataren europiane. Ambicia jonë duhet të jetë tejkalimi i mesatares europiane. Nuk mund të them që, në tre vjet, të kapim mesataren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne duhet të tejkalojmë mesataren europiane. Këtu fillon problematika e madhe, që ne sëbashku duhet të zgjidhim. Ajo çka ne kemi arritur është inkurajim i madh për të kapur finishin, në këtë maratonë që nuk mbaron kurrë.

 
Në këto katër vite, janë realizuar, në një mënyrë të sforcuar do të thosha, këto tregues, duke përcaktuar praktika si interneti në çdo shkollë apo dixhitalizimi me shpejtësi i gjithë sistemit të gjendjes civile, por midis hard-it dhe soft-it ka një  disnivel të papranueshëm. Kilometrat e gjysmës së dytë për këtë shkak dhe nëse nuk kapërcehet kjo, bëhen shumë të vështirë.

 
Komuniteti i shoqërisë së informacionit në Shqipëri është një komunitet i vogël, i cili duhet të shohë përreth dhe të rritet me shpejtësi të madhe. Përndryshe, edhe sikur ta mbushin të gjithë Shqipërinë me hard, do të gjejmë shumë shpejt se kemi grumbulluar veçse hekurishte.
 

Ne jemi mbrapa në drejtim të përgatitjes së burimeve njerëzore. Ndaj mendoj se në konkluzionet e këtij takimi shumë të rëndësishëm duhet të jetë një qëndrim i ri në përgatitjen me shpejtësi të burimeve njerëzore për të përballuar plotësisht moshën dixhitale të shoqërisë e të vendit. Ministri i Arsimit, që gabimisht nuk është ftuar, ka marrë porosi të qarta që vitin e ardhshëm të dyfishojnë numrin e studentëve në të gjitha degët, si dhe të hapen degë të reja. Në rast nevoje, nëse nuk mjaftojnë burimet ekzistuese, të merren edhe pedagogë edhe nga vendet e tjera. Po ashtu të shqyrtojnë me shpejtësi curriculat dhe është e domosdoshme t’i standardizojmë ato. Duhet të nxisim tek shqiptarët si pasionin e përdorimit të ICT-së, edhe pasionin e kërkimit e të studimit. Kompanitë në vend, fakultetet e shkollat e tjera profesionale duhet të nxiten, stimulohen dhe mbështeten për Inovacion dhe kërkim në këtë fushë. Kompanitë e vendit duhet të ndihmohen, pasi nuk ka të ardhme pa zhvillimin e të gjitha potencialeve të tyre,  në mirëmbajtje, avancim dhe zhvillim të sistemeve.
 

E theksoj edhe një herë se pjesën e parë të rrugës e kemi bërë, por e dyta do të jetë shumë e vështirë, në rast se nuk veprojmë me shpejtësi të madhe, me shpejtësi dixhitale. Nuk mund të pretendojmë se do të zhvillojmë dhe do të arrijmë aty ku duhet, në rast se nuk marrim masa për të zhvilluar me shpejtësi rrjetin kombëtar të eksesit në internet apo kurrizoren kombëtare. Qeveria po punon dhe së shpejti do të dalë në treg për ndërtim e saj. Ndërtimi i këtij rrjeti do të jetë tërësisht mbi bazën e partneritetit publik privat. Do të aplikohen të gjitha rrugët e mënyrat, në mënyrë që, me një objektiv ambicioz, të synojmë që në tre vite, çdo familje shqiptare të marrë internet me bandë të gjerë dhe teknologjitë e lejojnë plotësisht. Në shumëllojshmërinë e tyre, është e rëndësishme që ne të përdorim një parim, liberalizimin. Bazuar në këtë parim, ne mund të arrijmë në një kohë të shkurtër të çojmë në çdo familje shqiptare, aty, ku është drita elektrike, edhe internetin me bandë të gjerë. Qeveria ka një zotim elektoral dhe unë i qëndroj, kompjuter për çdo të ri. Ky është një premtim që do të mbahet. Ne po studiojmë se në çfarë drejtimi do të ecim, drejt projektit Lap Top 100 dollarë, të Negropontes, i cili në disa vende konsiderohet sukses, por ka edhe kritikat e tij, apo një variant tjetër është në spektrin e lirë, një prodhim i Intel për Portugalinë, më i kushtueshëm, por duket shumë më kompakt. Të shpresojmë se tipi tjetër do të dalë me çmim të përshtatshëm, të xhepit tonë. Sidoqoftë ne do të bëjmë çdo përpjekje që të rinjtë të kenë kompjuter. Në një mënyrë apo një tjetër, ne do të mbajmë premtimin tonë.

 

Sërish jemi shumë mbrapa në edukimin e qytetarëve shqiptarë me përdorimin dhe shfrytëzimin e potencialeve të internetit. Është e domosdoshme që bashkërisht të ndërmarrim një edukim masiv të qytetarëve. Ministria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po punojnë me bankat dhe duhet të lançojnë së shpejti M-Banking (Mobile-Banking), transfertat me celular. Do të ishte e domosdoshme një edukim masiv dhe këtë radhë, mund të fillonte me pensionistët e të kapte më pas të gjitha shtresat. Ne duhet të arrijmë që çdo qytetar të mund ta shfrytëzojë internetin dhe shërbimet e ofruara dixhitale.

Unë dua t’ju dëgjoj juve, por mendoj se nga ky takim duhet të vendosim të krijojmë një forum kombëtar, të cilin mund ta quajmë bord, këshill apo qoftë një emërtim tjetër, të përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe sektorit publik, përfaqësues të botës akademike dhe të biznesit.

Nga ky takim, ne duhet të vendosim të krijojmë një fond kombëtar për Shqipërinë dixhitale, mundësisht nga qershori apo korriku. Nga ky takim, le të përcaktojmë përparësitë e veprimit të përbashkët, por objektivi është Shqipëria, në tre vite, mbi mesataren e Bashkimit Europian dhe kjo sepse na përket. Ne jemi komb i ri dhe asgjë nuk mund të bëjmë më shumë për këtë vend, sesa të zgjerojmë me shpejtësinë më të madhe shoqërinë e informacionit në shoqërinë shqiptare. Ne jemi vend i vogël, me një shoqëri të re në moshë dhe i kemi të gjitha mundësitë të përmbushim ambiciet tona në këtë fushë.

Gjatë këtyre tre viteve, ne ecim paralelisht në dy drejtime kryesore, njëri është infrastruktura rrugore dhe tjetri infrastruktura dixhitale. Këto janë përparësitë absolute të qeverisë sime dhe këtu ne duhet të operojmë me vendosmëri, agresivitet, me mençurinë më të madhe.

Edhe një herë ju falënderoj për praninë këtu dhe shpresoj që ky takim i parë të ketë çelur rrugën e një serie takimesh të tjera, që bashkërisht të kemi mbushur një objektiv, më të rëndësishmin e të gjithë objektivave të tjera.”

Lajmet e fundit>