Lajmet

Kryeministri Berisha viziton Parkun Industrial të Teknologjisë së Lartë në Shenzhen

Apr 19 2009
0 Shpërndarje
Kryeministri Berisha viziton Parkun Industrial të Teknologjisë së Lartë në Shenzhen

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Shenzhenit, Kryeministri Berisha vizitoi parkun industrial të teknologjisë së lartë në këtë qytet i krijuar në vitin 1996, një nga gjashtë parqet më të mëdha në botë. Ky  park është një zone ekonomike e krijuar nga qeveria rajonale e Shenzhenit në bashkëpunim me biznesin kinez dhe ndërkombëtar dhe në të janë përqendruar mbi 500 kompani që merren me zhvillimin e produkteve të reja të teknologjisë së lartë si dhe krijon ndërveprim midis kompanive dhe 51 universiteteve të kërkimit shkencor më në zë në botë.

Parku industrial i Shenzhenit përbëhet nga 500 kompani të ndryshme teknologjie nga 121 vende të botës si Kina, Franca, Belgjika, Gjermania, Australia etj. si dhe 51 universitete të kërkimit shkencor nga e gjithë bota. Në vitin 2007 aktiviteti ekonomiko-tregtar i bizneseve të këtij parku kapi shifrën e rreth 30 miliard dollarë me një rritje vjetore prej më shumë se 18 %. Në vitin 2007 nga ky park u licencuan mbi 7 700 patenta nga të cilat rreth 5000 ishin shpikje të reja teknologjike. Nga puna kërkimore në këtë park kanë dalë disa biznese të suksesshme në fushën e komunikimit, kompjuterave, software-it dhe bio-teknologjisë farmaceutike. Bashkëpunimi midis qeverisë kineze, universiteteve si dhe studentëve kinezë të diplomuar në universitetet më të mëdha në botë ka prodhuar grupe kërkimore, të cilat krijojnë produkte në pararojë të teknologjisë moderne në këto fusha. Në total kompanitë kërkimore të Parkut kanë trajnuar mbi 95 000 studentë, nga të cilët 1155 Dr. Shkencash, 25220 Master Shkencash, 22 981 studentë të nivelit të parë si dhe 22081 kërkues të nivelit pasuniversitar part-time.

Dy nga kompanitë kineze të komunikimit me aktivitet të shtrirë në gjithë botën, Huawei dhe ZTE janë gjithashtu pjesë e këtij parku të madh, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 11.5 km.
Gjatë takimit Drejtori Ekzekutiv i Parkut, zoti Zhang Hen Chun, e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën e tij në këtë park dhe në Shenzhen, dhe bëri një prezantim të parkut dhe teknologjive më të reja që po zhvillohen brenda tij. Ai i ftoi bizneset shqiptare të këtyre fushave të bëhen pjesëtare të këtij parku në mënyrë që të përfitojnë nga inovacionet e tij.

Në fund të takimit z. Chun e shoqëroi Kryeministrin Berisha të vizitojë ekspozitën e produkteve dhe kompanive që operojnë në këtë park shumë nga të cilat zënë vendet e para ne botë siç është rasti i teknologjisë optike.
Kryeministri Berisha e falënderoi Drejtorin Ekzekutiv, Zhang hen Chun për mikpritjen e ngrohtë që ai dhe qyteti i Shenzhenit i rezervuan gjatë kësaj vizite dhe u shpreh i impresionuar nga ky park madhështor, të cilin e quajti margaritarin e Shenzhenit.

Kryeministri u shpreh se Shenzheni, por edhe Kina në përgjithësi janë tashmë liderë të teknologjisë së lartë në botë.
Kryeministri tha se po vjen nga një drekë shumë e ngrohtë dhe miqësore me kryetarin e bashkisë së Shenzhenit, me të cilin pati diskutime të zgjeruara për potencialin që Shqipëria paraqet për investitorët kinezë të teknologjisë.
Kryeministri u shpreh se Huawei dhe ZTE janë tashmë në tregun  shqiptar, gjë e cila përbën një fillim shumë të mbarë për investimet kineze në Shqipëri. Qeveria ime-tha Kryeministri- ka krijuar lehtësirat më të mëdha për investimet kineze dhe do të vazhdojë të bëjë ç` është e mundur për të inkurajuar thellimin e këtyre investimeve në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur që Huawei e ka bërë Shqipërinë qendrën rajonale të kompanisë, sepse kjo tregon se kemi krijuar besimin e duhur për të zhvilluar më tej këto marrëdhënie.

Kryeministri tha se në vlerësimin e tij në vitin 2004 kompania konsulente me prestigjioze në botë Mc Kenzie është shprehur se zona Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në një Shenzhen të Europës për teknologjinë e lartë dhe se ai shpreson që kjo të arrihet.

Kryeministri e vuri theksin tek avantazhet që paraqet Shqipëria për investitorët e huaj, si pozicioni gjeografik pranë vendeve të BE-së, një klimë e shkëlqyer biznesi, taksat më të ulëta në Europë, një forcë pune e shkolluar dhe të lirë si dhe lehtësirat që ka krijuar qeveria si iniciativa “Shqipëria një euro”.

Kryeministri Berisha ftoi bizneset e parkut industrial të Shenzhenit të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri duke u shprehur se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë çdo përpjekje që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi. 
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se në Shqipëri ekziston një klimë shumë miqësore ndaj popullit kinez dhe kjo është në traditën e kombeve tona. Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohej nga ambasadori kinez në Shqipëri Wang Junlin si dhe nga Zv/Kryetari i Bashkisë së Shenzhenit z. Tang Jie.

Lajmet e fundit>