Blog

Ks ks, a je në internet?

Jan 29 2009
0 Shpërndarje
Ks ks, a je në internet?
Momentin kur kjo kolumne që po lexoni postohet në internet, ajo do të dalë në ueb-faqen e gazetës Express, që përfundon me prapashtesën tashmë universalisht të njohur “.com”. Kjo shtojcë që vendoset në fund të emërtimit të entiteteve dhe personave në Internet, quhet domen i nivelit të parë. Shtojca të tilla janë edhe “.org” dhe “.net”.

Shtetet normale, që të gjitha kanë domenin e vet, që mund të përdoret për të treguar prejardhjen e ueb-sajtit apo bazën e entitetit në fjalë. Qeveritë për shembull, përdorin ekskluzivisht domenin e shtetit të vet, si Shqipëria http://www.keshilliministrave.al/ apo Mali i Zi http://www.gov.me

Kosova nuk ka domen të vetin shtetëror. Është temë që shpesh përmendet në komunitetin e teknologjisë informative në Kosovë, por që është çuditërisht e injoruar nga Qeveria.

Ç’është e vërteta, Ministria e Transportit dhe Telekomunikimit e ka përmendur çështjet e domenit për Kosovën në strategjinë e tyre dhe raportet e punës, por kjo çështje rëndom përshkruhet si e bllokuar për shkak statusit.

Një studim pak më i thellë tregon se gjërat ndoshta nuk janë edhe aq keq dhe të pa shpresë për pranimin ndërkombëtar të domenit Kosovar. Domenet e shteteve jepen nga një organizatë ndërkombëtare, e regjistruar në SHBA që quhet ICAAN. ICAAN ka rregulla të qarta për përcaktim të domeneve shtetërore. Për ta ruajtur kredibilitetin si ndërmjetësues dhe përcaktues i “rendit” në Internet, ICAAN nuk përzihet fort në çështje politike. ICAAN ka pasur politikë të qartë që dedikon domene të nivelit të lartë vetëm shteteve që kanë të aprovuar shkurtesën zyrtare nga Organizata ndërkombëtare për Standarde (ISO). ISO ka krijuar listën zyrtare të quajtur ISO 3166-1 të shkurtesave apo “akronimeve” zyrtare të shteteve, që janë valide për komunikim postal, kode monetare, simbol gjeografik. ISO shton dhe heq shkurtesa nga lista, sipas urdhrave nga Zyra për Statistika e OKB-së.

Më herët, shkurtesa e internetit te ne ka qenë “.yu “. Tani kjo shkurtesë është fshirë dhe është e zëvendësuar me gjashtë të reja si psh e Sllovenisë SI, respektivisht “.si”, Bosnjës “.ba” apo Maqedonisë “.mk”

Pasi që Kosova nuk është e njohur nga OKB, Zyra për Statistika e OKB-së nuk mund të rekomandojë shtimin e shkurtesës për Kosovën në listën e ISO’s. Rrjedhimisht edhe ICAAN nuk mund të konsiderojë krijimin e domenit vetanak të Kosovës në Internet. Kosova në tabela kerresh dhe pasaporta përdor shkurtesën KS, por si e tillë, shkurtesa nuk është e pranuar ndërkombtarisht dhe është vetëm shkurtesë joformale.

Në blogun zyrtar të ICAAN, përshkrimi i gjendjes nuk duket fort optimist për neve: “Momentalisht, Abkhazia, Kosova, Transnistria, Somaliland, Osetia dhe ca entitete tjera nuk janë në standarde zyrtare të ISO 3166-1, kështu që ICAAN nuk është në pozitë për të aprovuar çfarëdo domeni korrespondues për ta. Duke përcjellë strikt standardet e ISO, ICAAN mbetet neutrale ndaj politikes duke u bazuar në standarde të pranuara ndërkombëtare.”

Përshkrimi duket i qartë edhepse debati nuk përfundon me kaq.

Ca dashamirë të Kosovës kanë protestuar ndaj ICAAN duke kërkuar shpjegime pse Katalonia dhe Taivani kanë domene të nivelit të lartë (“.cat” dhe “.tw”)? As njëra as tjetra nuk janë shtete të pranuara ndërkombëtarisht?

ICAAN shpjegon se në rastin e Taivanit, ky entitet është i standardizuar që moti pasi që deri në vitet e shtatëdhjeta, është konsideruar si bartëse e shtetësisë kinezë dhe ka qenë anëtare e OKB’së deri vonë (prej nga është përjashtuar me insistimin e Kinës).

Ndërsa Katalonia nuk ka domen gjeografik por kulturor dhe gjuhësor sepse përdoret jo nga organe parashtetërore por nga entitete kulturore që mund të shtrohen në Spanjë, Itali, Francë dhe Andorrë, ku ka katalanë.

Mu këtu edhe qëndron edhe shpresa e Kosovës. ICAAN deri në fund të 2009 do të hapë procesin e lëshimit të domeneve të larta duke relaksuar rregullat e emërtimeve. Kohëve të fundit janë shtuar domen të reja si “.tv”, por së shpejti edhe entitete private apo komunitete distinktive do të mund të aplikojnë për domene të nivelit të lartë. ICAAN është momentalisht duke zhvilluar debate publike në tërë globin për të krijuar një platformë shumë më të gjerë të emërtimeve në Internet.

Kosova do të ketë mundësinë të aplikojë për domenin “.ks” apo “.kos” duke insistuar që është rajon distinktiv me karakteristika të veçanta që vlen të emërtohen me domen specifik në Internet. Por, po këto domene mund t’i kërkon, themi Kisha Ortodokse Serbe, kështu që është esenciale që një ekipi juristësh nga Qeveria e Kosovës t’i rrinë gati kësaj pune me dokumentacion që do të dorëzohet i kompletuar, argumentuar dhe jo i stërvonuar.

Fakti që ICAAN do ta liberalizojë sistemin e emërtimeve në Internet është lajm i mirë, por problem do të mbetet emërtimi zyrtar në listën e ISO, pa të cilën Kosova nuk mund të përdor ndonjë shkurtesë që është obligatorike për të gjitha shtetet, si ato që na kanë pranuar, ashtu edhe ato që na bojkotojnë. Pa një shkurtesë zyrtare, bizneset kosovare do të kenë probleme në komunikim, sistemet e interaksionit informativ me botën në baza multilaterale dhe bilaterale do të jetë i komplikuar, ndërsa insistimi ynë për shkurtesën KS nuk do të ketë kurrfarë rëndësie reale as te shtetet “mike” as te ato “armike”.

Pak studim dhe diskutim me ISO na rrëfen që gjërat nuk janë pa rrugëdalje as në ISO. Është e vërtetë se kjo organizatë e OKB’së nuk mund të na fusë në listën e shteteve të pranuara, por ekziston një birë në sistem që kemi dështuar ta përdorim deri tani.

Pika 7.2 e rregullores së ISO 3166-1 thuhet se “ shtimi i listës së shteteve dhe shkurtesa të standardizuara të tyre bëhet në bazë të informatës që dërgohen nga kreu i OKB-së, apo me kërkesë të shteteve anëtare të ISO’s. Në rastin e dytë, ISO 3166 do të vendosë për shtesë në bazë të justifikimit juridik për të krijuar shkurtesë për shkëmbim ndërkombëtar. Elementit e kodit do të jepen pas shqyrtimit”.

Kështu ISO më 2006 është njoftuar nga BE’a (sipas RÈGLEMENT (CE) No1833/2006 DE LA COMMISSION du 13 décembre 2006 relatif à la nomenclature des pays et territoires pour les statistiques du commerce extérieur de la Communauté et du commerce entre ses États member) që ka filluar të përdorë shkurtesën XK për të emërtuar Kosovën në statistikat tregtare.

Pas një shkëmbimi me emaila me menaxherin teknik dhe redaktorin e emërtimeve në ISO Mary Lou Pelaprat, ISO mund të dërgon rekomandimin e tyre që kodi joshtetëror alfanumerik XK apo, nëse Kosova dëshiron XKS, të jetë shkurtesa zyrtare kosovare në shkëmbin komercial, komunikim zyrtar dhe mbajtje statistikash.
Do të ishte e rendit që Zyra ligjore e Kryeministrit, që udhëhiqet nga ish-“avokati numër një” i UNMIK-ut Aleksandër Borg Olivier, së bashku me zyrtarë nga MTTP dhe Ministrisë së Tregtisë dhe asaj të Punëve të jashtme të punojnë me zell që Kosova 2009 ta përdorë për të krijuar “infrastrukturën simbolike” të shtetit, duke përfshirë edhe domenin e Internetit.

Mundësi të vogla port ë rëndësishme ekzistojnë në sistem, ndërsa ne duhet t’i përdorim nëse duam që kolumnet tona, vendimet qeveritare ofertat kulturore apo komerciale të origjinojnë nga .ks e dashur.

Lajmet e fundit>