Vëzhgim

Kujdes RAM-in

Feb 24 2010
0 Shpërndarje
Kujdes RAM-in

Deri pak vite më parë ky komponent ishte si uji i pakët, i shtrenjtë, i kursyer dhe me të gjitha problemet e performancës që sjell mungesa e tij; ndërkohë që problemi i sasisë është i zgjidhur, cilësia e tij është një argument totalisht i ndryshëm.

Zgjedhjet
Dy llojet kryesore të memories në dispozicion janë DDR2 dhe DDR3. Standardi i parë është ai më i vjetër, i shfaqur që në vitin 2004 me Pentium 4 e parë mbetet ende sot opsioni më i zakonshëm në konfigurimet e performancës së mesme dhe të ulët.
DDR3 u shfaq për herë të parë në bordet e Intel vetëm vitin e kaluar. Me një tension operimi (dhe konsum) më të ulët se DDR2 dhe duke arritur frekuenca rreth dy herë më të larta se paraardhësi, ky është standardi i ri i performancës maksimale në desktopët dhe laptopët e rinj.
Në dhjetë vitet e fundit, tre breza të ndryshëm të DDR-së janë alternuar për të ofruar performancën e duhur në sistemet e kohës. Le t’u hedhim një vështrim të shpejtë hapave kryesorë historikë.

DDR(1)
Frekuencat tipike (në MHz): 200, 266, 333, 400. Tensioni standard i operimit: 2.5V
I pari dhe origjinali, RAM-i DDR apo Double DataRate ishte pasardhësi i drejtpërdrejtë i SDR (Single DataRate), të përdorur gjerësisht deri rreth vitit 2000 në platformat e Pentium III dhe Athlon. I përdorur nga Intel deri në fillimet e platformës LGA775 dhe nga AMD deri në Socket 939, sot mund të keni një kompjuter të pajisur me RAM të tillë në shtëpi, por vështirë ta gjeni në treg. Shumë distributorë nuk e ofrojnë më këtë memorie dhe ata që e disponojnë vendosin çmime shumë më të kripura se për DDR2.

DDR2
Frekuencat tipike (në MHz): 400, 533, 667, 800, 1066. Tensioni standard i operimit: 1.8V
Lloji më i zakonshëm i memories me të cilën pajisen kompjuterët e sotëm është drejt fillimit të fundit të tij. Tani që prodhuesit po kthejnë njëqind për qind të prodhimit në DDR3, çmimi i DDR2, megjithëse rreth dy herë më i ulët se ai i standardit të ri, ka filluar që tani të rritet në mungesë të furnizimeve të reja.

DR3
Frekuencat tipike (në MHz): 1066, 1300, 1466, 1600, 1800, 2000. Tensioni standard i operimit: 1.5V
Pas çmimeve stratosferike që shoqërojnë çdo produkt të ri, ka pak muaj që DDR3 është kthyer në një opsion për të gjithë si pasojë edhe e çmimeve më të arsyeshme të komponentëve të tjerë të sistemeve që ato pajisin. Ndërkohë që diferenca e perceptueshme e performancës me DDR2 është ende e vogël, masiviteti në rritje i të dhënave do ta shtyjë gjithmonë në rritje këtë distancë dhe nëse ju ofrohet zgjedhja midis konfigurimeve me njërin apo tjetrin standard, pajisja me DDR3 është patjetër një pikë më shumë në favor, por pa dyshim jo gjithçka që duhet të keni parasysh.

Si e vlerësoni
Një aksiomë e vjetër, por gjithmonë e vlefshme, thotë se një kompjuter është aq i shpejtë sa përbërësi i tij më i ngadaltë. Përpara dhjetë vjetësh, për përdoruesin tip ky komponent kishte shpesh të ngjarë të ishte procesori. Me hyrjen në lojë të procesorëve më të fuqishëm single dhe dual core, pika e dobët mbeti sasia e memories; me çmimet që nuk lëviznin, sasia tipike ishte 512MB apo 1GB, por pas hyrjes së Windows Vista edhe kjo arriti nivele të kënaqshme.
Me konsumin tipik të një sistemi operativ (Windows Vista apo 7) që arrin apo kalon 1GB, një sasi e madhe të dhënash popullon sot RAM-in e çdo kompjuteri modern dhe nëse procesorët përballojnë më së miri ngarkesat standarde të aplikacioneve të përditshme dhe 2-4GB janë një rezervë e mirë, shpejtësia me të cilën lexohet dhe shkruhet kjo sasi në rritje informacioni bëhet një pikë kyçe e performancës së pajisjes që përdorni. Një pikë veçanërisht e dobët e kompjuterit të sotëm dhe një tipar për t’u fokusuar është pikërisht performanca e memories dhe dy janë aspektet kryesore që e përbëjnë: frekuenca dhe kohët.

Frekuenca
Frekuenca apo thjesht shpejtësia e operimit është aspekti më i thjeshtë për t’u vlerësuar. Zakonisht, ashtu si për çdo komponent tjetër, sa më shpejt punon, aq më e lartë është performanca e memories. Frekuencat standarde të DDR2 fillojnë me 400 MHz dhe përfundojnë me 1066MHz. Ndërkohë që variantet 400 dhe 533 MHz pothuajse janë zhdukur nga qarkullimi, mund të gjeni DDR2 të performancës së lartë që arrin 1150-1200MHz dhe një prodhues ka arritur deri në 1300MHz.
DDR3 fillon aty ku mbaron DDR2; 1066 MHz është frekuenca e parë standarde, por pak e përdorur. 1300-1600 MHz janë tani për tani frekuencat e modeleve më të përdorura, ndërsa ata që kërkojnë performancë maksimale duhet të hedhin më shumë para për DDR3 që operon nga 1800 deri në 2400 MHz.

Kohët
Një aspekt pak më i vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u llogaritur janë kohët e operimit të një moduli RAM. Ndërkohë që frekuenca e modulit është thjesht shpejtësia bruto e operimit të tij, shkrimi, leximi dhe magazinimi I të dhënave në të kryhen më rrallë, në një numë të caktuar ciklesh të cilët përbëjnë vonesën e procesit të shkëmbimit të të dhënave. Tre parametrat kryesorë të vonesës së një RAM-i janë CAS (CL), tRCD dhe tRP dhe shprehen në numra të plotë. Në përgjithësi, sa më e madhe është frekuenca, aq më i madh është ky numër ciklesh. Një DDR2 tipik prej 800 MHz mund të ketë vlerat 5-5-5 përkatësisht për CL, tRCD dhe tRP, ndërsa një DDR3 prej 1300 MHz arrin normalisht 7-7-7.

Modulet më cilësore kanë përveç frekuencës më të lartë edhe kohë vonese më të ulëta dhe gjatë zgjedhjes suaj dy parametrat kryesorë duhet të vlerësohen paralelisht; një kompjuter i pajisur me DDR3 1600MHz mund të ketë kohë vonese shumë të larta si 9-9-9, ndërsa një modul tjetër me po të njëjtën frekuencë, por kohë si 6-7-7 do të performojnë më mirë.

Në përdorimin e përditshëm, një memorie më e shpejtë rezulton në një sistem përgjithësisht më të shpejtë, që përballon më mirë ngarkesat e mëdha gjatë transferimit të të dhënave masive nga një disk në tjetrin. Aksesimi i koleksioneve gjigante të fotove apo filmave që sot janë kaq të pranishme në jetën multimediale është diçka për të cilën ia vlen të investoni në memorie më të shpejtë; të gjitha këto të dhëna do të kalojnë në RAM dhe prej andej do të luhen si muzikë, video apo do të aksesohen nga karta grafike si fotografi dhe gatishmëria me të cilën memoria përgjigjet, ndikon direkt në kohën që ju duhet të prisni, duke lehtësuar stresin dhe pakësuar bllokimet. Lojërat janë gjithashtu një lloj programi ku RAM-i përdoret gjerësisht dhe vazhdimisht, prandaj cilësia ka të bëjë edhe këtu.

Kur të kontrolloni dyqanet në kërkim të një kompjuteri të ri, mbajeni adrenalinën kur t’ju ofrohet një model me 4 apo dhe 8GB RAM. Sot RAM-i standard i përdorur në pjesën më të madhe të kompjuterëve është aq i lirë sa prodhuesit e përdorin si dhuratë në pakot e patatinave. Në vend që të shpenzoni 50 euro më shumë për një procesor 200 MHz më të shpejtë, mund t’ia kushtoni këto para një pajisjeje më dinjitoze me RAM; performanca e perceptuar mund të jetë shpesh më e lartë.

Është më mirë një Ferrari apo 10 Renault Clio? Më shumë nuk do të thotë gjithnjë më mirë dhe nëse 8 GB është jashtë mundësive të shfrytëzimit të pjesës më të madhe të përdoruesve, 2-4GB të një RAM-i më cilësor do të kushtojnë njësoj dhe do të jenë shumë më të dobishme në përdorim të përditshëm.

Lajmet e fundit>