Lajmet

Ministri Agani vizitoi Uniceff Inovation Lab

Apr 11 2011
0 Shpërndarje
Ministri Agani vizitoi Uniceff Inovation Lab

Duke folur mbi punën e UNICEF-it në Kosovë, Agani tha se qëllimi i kësaj vizite ishte edhe fakti që sipas një hulumtimi që UNICEF-i kishte bërë me mbi 1300 të rinj në Kosovë, rreth 47 për qind e tyre e ndiejnë vetëm të larguar nga institucionet shtetërore, si të përjashtuar, që do të thotë pa komunikim të duhur me institucionet shtetërore.

I nisur nga ky fakt, Agani tha se e ka parë të arsyeshme që si ministër të vizitojë këtë laborator, në mënyrë që të afrohet, të rrijë, si dhe të kuptojë logjikën e punës dhe konceptin me të cilin të rinjtë janë të angazhuar, e po ashtu edhe për të parë se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit.

“Ajo që unë e shoh si shumë të rëndësishme dhe mendoj që MSH-së i ka munguar dukshëm në periudhën e kaluar kohore, ka qenë parandalimi i shumë sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme. Kemi shumë pak promovime, shumë pak bashkëbisedime me qytetarët, veçmas me të rinjtë dhe kjo do të jetë njëra nga temat dhe idetë që unë do t’ia sugjeroj udhëheqësit të këtij programi në UNICEF dhe unë ta jap një kontribut me një ide që ne të bashkëpunojmë si MSH, me këtë laborator”, ka thënë ministri Agani, duke shtuar se duhet të kyçen edhe mediat publike, veçmas elektronike, rreth temave të ndryshme, e sipas tij veçanërisht në temat e shëndetësisë.

Gjithashtu Agani ka treguar se për shkak të angazhimeve dhe prioriteteve të shumta që ka MSH-ja, ai ka zgjedhur këtë ditë pushimi të vizitojë laboratorin për inovacione të UNICEF-it në Kosovë.

Zv. shefi i UNICEF-it, Luciano Calestini, i kënaqur me vizitën e ministrit Agani, tha se shpreson që kjo hapësirë në të ardhmen të shihet si një vazhdimësi e zyrave të institucioneve të Kosovës për punë.

“Kjo hapësirë që sot po e viziton ministri, është një vend ku bashkohet rinia më e ndritshme e Kosovës, për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës me zgjedhje të problemeve në teknologji. Arsyeja kryesore pse sot jemi këtu, është që të bisedojmë që së bashku me ministrin për t’i identifikuar disa nga këto probleme që ka MSH-ja dhe të involvojmë rininë e Kosovës në zgjedhjen e tyre me teknologjinë më të fundit”, ka thënë Calestini, duke shtuar se ministri Agani është ministri i parë që viziton këtë laborator.

Laboratori i inovacioneve i UNICEF-it në Kosovë kultivon inovacionet për të mirën e rinisë së Kosovës. Projektet “Nga të rinjtë për të rinjtë”, janë rast për rininë e Kosovës që të ndikojnë në jetën e tyre dhe të bashkëmoshatarëve të tyre. Qendra e dizajnit ndërton inovacionet teknologjike për institucionet e Kosovës që punojnë në emër të rinisë dhe fëmijëve. Projekti duhet të udhëhiqet nga një kosovar i ri i moshës 16-29 vjeçare dhe duhet të jetë i leverdishëm për shoqërinë dhe rininë e Kosovës. /kosovapress/

Lajmet e fundit>