Analiza

“Lamtumirë” Maus: Përshëndetje kontroll me mendje

Dec 2 2012
0 Shpërndarje
“Lamtumirë” Maus: Përshëndetje kontroll me mendje

Kur kompjuterët e punës lanë pas ndërfaqet e bazuara te komandat dhe nisën të përdornin ndërfaqen grafike të bazuar te mausi dhe dritaret, ishte një avancim i madh në përdorueshmëri.

Tani jemi duke hyrë në një epokë të re të dizajnit të ndërfaqes së përdoruesit, ku kompanitë po eksperimentojnë me çdo gjë: nga kontakti dhe zëri te gjestet dhe kontrolli i drejtpërdrejtë me mendje. Por cila nga këto ndërfaqe të reja është e përshtatshme për një mjedis korporatash dhe cilat prej tyre nuk janë ende gati?

A më dëgjon?

Njohja e zërit është një teknologji që ka bërë përparim të madh. Një dekadë më parë, saktësia ishte e ulët dhe teknologjia kërkonte shumë trajnime.

Sot, është e zakonshme të kesh njohje të zërit kur telefonon qendrën e mbështetjes së konsumatorëve dhe natyrisht e gjejmë në smartfonët e fundit.

Për përdorim zyre njohja e zërit ka ndikim të madh në fusha të specializuara, si ligji dhe mjekësia.

Në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, për shembull, transkriptimi automatik ka zëvendësuar pothuajse plotësisht transkriptimet e njerëzve në departamentin e radiologjisë.

Si rezultat, saktësia ka shkuar nga rreth 70% në 80% para 10 vitesh deri në 100% saktësi sot.

Transkriptimi njerëzor ka pësuar rënie në saktësi teksa spitalet kanë hequr dorë nga përdorimi i sekretareve të përkushtuara që njihnin zërin e mjekut duke përdorur shërbime të palëve të treta.

Agjentët e mençur

Siri i Apple është njëri nga shembujt e përdorimit të inteligjencës artificiale nga kompanitë për të kuptuar atë që duan klientët, pasi klienti mund të pyesë Siri për çdo gjë. Pak më e lehtë është të njihet gjuha e folur në kontekste të kufizuara, si për shembull në banka dhe në qendra thirrjesh telefonike.

“Këtu e nisim me një grup rregullash që e dimë se funksionojnë, për shembull për telekomunikacionin, dhe i përdorim në lidhje me këtë fushë” thotë Chris Ezekiel, shefi ekzekutiv i Creative Virtual, një kompani që proceson fjalën ë thënë dhe të shkruar për kompani si Verizon, Virgin Media, Renault, dhe Hekurudhat Kombëtare të Britanisë së Madhe.

‘Hannah’, për shembull, që përdoret nga M&S Bank, në Britani të Madhe, di gjithçka për kartat e kreditit, huat dhe produkte të tjera financiare”, -thotë ai.

Gjestet, të vështira për t’u deshifruar

Dizajnuesit e ndërfaqeve që ndërveprojnë me fjalët e thëna ose të shkruara kanë epërsi ndaj atyre që shërbejnë për kuptimin e gjesteve ose metodave jo tradicionale të marrjes së të dhënave.

Arsyeja është se dizajnerët e njohin gjuhën e folur, kurse gjuha e gjesteve njerëzore është shumë më pak e njohur dhe e studiuar. Kohët e fundit janë bërë kërkime për ndërfaqe shfletuesish që punojnë me lëvizjet e trupit në vend të lëvizjeve të mausit.

Ka gjeste që janë të kuptueshme universalisht, por të tjera që mund të jenë më pak të përshtatshme gjatë punës. Një ambient virtual është shumë i përshtatshëm në fusha si dizajni kompjuterik, vizualizimi i të dhënave, farmaceutikën, mjekësinë dhe simulimet për naftë dhe gaz.

Një teknologji e vështirë për tregun është ndjekja me sy, e cila përdoret zakonisht për të parë se cilën pjesë të reklamës ose të një uebfaqeje shohin klientët ose përdoruesit.

Ajo përdoret gjithashtu për të përmirësuar komunikimin për invalidët. Reynold Bailey, profesor i shkencave kompjuterike në Institutin e Teknologjisë Rochester, përdor ndjekjen me sy për të mësuar mjekët të lexojnë më mirë mamogramët.

“Nëse kjo funksionon me mamogramët, ka edhe aplikime të tjera”, -thotë ai. E njëjta teknologji mund të përdoret për të trajnuar pilotët se si të kontrollojnë pajisjet. Por ai thotë se nuk pret që ndjekja me sy të përdoret si një pajisje input, pra të zëvendësojë një maus për përdorim të përgjithshëm.

Kufijtë e kontrollit me mendje

Mund të duket si fantashkencë, por në treg ka tashmë pajisje që lexojnë mendjen, që nuk kanë nevojë për futjen e sensorëve në kokën tuaj. Disa punojnë duke dërguar sinjale nervore këmbëve dhe duarve dhe shërbejnë për të rikthyer lëvizshmërinë te invalidët.

Të tjera lexojnë valët e nervave në tru, si për shembull kufjet Intific, Emotiv dhe NeuroSky. Kufjet Intific dhe Emotiv mund të përdoren për të luajtur video lojëra me mendjen tuaj.

Por këto pajisje bëjnë më shumë sesa të lidhen me kompjuterë. NeuroSky, për shembull, është krijuesi i teknologjisë së lojës Stars Wars Force Trainer dhe MindFlex Duel nga Mattel, të cilat u lejojnë lojtarëve të ngrenë në ajër topa me fuqinë e mendjes. Kjo nuk do të thotë se nëpunësit mund të mbështeten në kolltuk, të mendojnë fjali dhe ato do të shfaqen si me magji në ekran.

“Nëse jeni i shkathët, shkrimi i fjalive me tastierë është shumë më e shpejtë sesa me ndërfaqen e kontrollit të trurit”, thotë Holtzman, nga MIT Media Lab. Nuk janë vetëm shprehjet e fytyrës apo skanimet e mendjes që mund të përdoren nga kompjuterët.

Smartfonët dhe tabletët e sotshëm janë të pajisur me një shumëllojshmëri sensorësh, përfshirë gjurmuesit GPS, ora, mikrofona, akselerometër, xhiroskopë dhe kompase, të cilët mund të tregojnë nëse pajisja është duke lëvizur, si po mbahet në dorë, ku është vendosur, në cilin moment të ditës dhe shumë më tepër.

Për shembull, Hamid Najafi, drejtues i lartë i inxhinierisë së aplikimit në teknologjinë e sensorëve në kompaninë InvenSense, thotë se një smartfon duhet të jetë në gjendje të tregojë nëse përdoruesi është në një teatër, në kinema ose në aeroplan, apo duke u ushtruar në palestër, është në gjumë ose në një takim. “Smartfoni mund të kalojë automatikisht në opsionin “i heshtur” në teatër dhe gjatë takimeve”, thotë ai.

Përdorimi në biznes ka mbetur pas

Sipas David Hogue, profesor i psikologjisë që fokusohet në përvojën e përdoruesit në San Francisco State University, biznesi zakonisht ka mbetur pas aplikimeve të tjera për ndërfaqe të reja.

“Gjithkush do të mendonte se biznesi është lider, por ajo që po bëjnë njerëzit në shtëpi është bërë si kriter për pritshmëritë e tyre”. thotë ai. Për shembull, ndërfaqet më të avancuara të kontrollit me mendje gjenden në lojëra dhe për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara, ndërkohë që ndërfaqet me prekje dhe njohje zëri janë bërë standard për shkak të adoptimit të tyre nga konsumatorët.

“Ndonjëherë është e habitshme të shohësh se bizneset përdorin dy ose tre versionet e mëhershme duke qenë shumë pas botës personale, pasi ka shpenzime të mëdha për të ndryshuar infrastrukturën”, -thotë ai. Por ritmi i ndryshimit do të përshpejtojë teksa bizneset do të shkojnë drejt softuerit si shërbim dhe aplikacioneve në re, shton ai. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>