Lajmet

Lançohet përditësimi i aplikacionit Google Hangouts për iOS

Mar 2 2014
0 Shpërndarje
Lançohet përditësimi i aplikacionit Google Hangouts për iOS

hangout1-100248379-galleryGoogle bëri “bujë” të madhe për lançimin e aplikacionit të përditësuar Hangouts për iOS, duke shtuar veçori që mund të jenë kërcënim në fushën e konkurrencës ndaj aplikacioneve të tjera të shkëmbimit të mesazheve. Këto risi përfshijnë edhe shtimin e “stikerave” dhe “emotikonëve”, foto të vogla që shprehin emocionet e përdoruesve, forma të mesazheve të shkurtra video dhe ndarjen e vendndodhjes, që të gjitha mund të gjenden në aplikacione të tjera konkurrente.

Ky përditësim nuk mund të vinte më mirë në një kohë tjetër. Përdoruesit e smartfonëve tani po presin më shumë nga shërbimet e mesazheve sesa thjesht komunikim me tekst. E meqë nuk janë të pakta aplikacionet alternative nga të cilat përdoruesit mund të zgjedhin, Google duhet që ta bënte një “shpërthim” me të reja për Hangouts që të kapte vëmendjen e përdoruesve. Në pamje të parë, Hangouts 2.0 duket si një përditësim për të mbajtur të sigurt aplikacionin, por që është më shumë se aq, duke kombinuar pjesë esenciale të shërbimit të mesazheve me një eksperiencë e motiv të stilit të Google.

Për ata përdorues të Google Hangouts që janë të familjarizuar me aplikacionin, ato veçori që janë më esenciale janë akoma aty, por ka edhe të reja. Të rejat gjithashtu e bëjnë më të lehtë edhe për përdoruesit e rinj që të mësohen shpejt me aplikacionin dhe me ndërfaqen e tij në përdorim dhe bëhet fjalë për iOS, sistemi ku aplikacioni ka marrë përditësimin. Logimi nuk ndryshon, mjafton lidhja me llogarinë Google (Gmail) dhe sipas preferencave, mund të kërkohet dhe një numër telefoni për konfirmim.

Pas logimit, përdoruesi shkon në ekranin e parë (Home Screen) ku fillimisht gjen një listë me çatet e ruajtura të cilat Google iu referohet si hangout individuale (biseda individuale). Hangouts bën një sinkronizim automatik ndër pajisje prandaj mund të përdoret si në një iPhone edhe në kompjuter pa pasur problem se do të humbni bisedat. Secili prej çateve individuale mund të shënohet si i preferuar nëpërmjet një menuje të shpejtë në të. Duke selektuar një bisedë, ju mund ta vazhdoni, të hapni një çat video në të, të bllokoni bisedën ose edhe ta arkivoni.

Gjatë kohës së çatimit, ju mund të shtoni më shumë në mesazhet tuaja duke shtypur butonin e bashkangjitjes, për të dërguar edhe dokumente apo materiale të tjera deri në një madhësi të caktuar. Risi është shtimi i butonit të videove të stilit Vine tek të cilat aksesoni duke shtypur butonin e kamerës. Sipas aplikacionit, duhet ta shtypni një herë për të bërë një foto ose ta mbani shtypur për të regjistruar një video Vine. Videot mund të jenë deri në nëntë sekonda të gjata dhe pastaj mund të luhen gjithmonë të përsëritura kur dërgohen. Numri i “stikerave” dhe “emotikonëve” është në 46 dhe veç tyre mund të dërgoni edhe nga aplikacioni Camera Roll apo edhe të dërgoni vendndodhjen tuaj.

Shiriti i navigimit në fund mban tre faqe; kontaktet, të preferuara dhe telefonatat. Telefonatat falas janë vetëm brenda në SHBA. Më e mira e Hangouts mbetet video çati. Deri tani, Google ofron mundësinë e video çatit deri në dhjetë persona njëherësh. Video çati ofrohet si eksperiencë më e mirë nga një iPad në vend të një iPhone, por ndryshimi në produktivitet nuk është shumë i madh. Por gjithsesi, ende ka vend për përmirësime në video çatin në iOS për shkak se ende ka një tingull zhurme pas zërit të përdoruesve dhe videot herë pas herë mund të jenë edhe pak të turbullta, e jo prej linjës së internetit.

Por përgjithësisht, Hangouts 2.0 ka një numër të mirë përmirësimesh në këtë version dhe risitë mirëpriten nga përdoruesit. Që Hangouts të fitojë supremaci në tregun e aplikacioneve të këtij lloji, mbase do të duhej që të rregullonte cilësinë e videove dhe zërit. Veç këtij përmirësimi, pjesa tjetër e risive është mëse e vlerësuar dhe avantazhi që do marrë Hangouts në treg do të jetë vërtet i dallueshëm ndër aplikacionet e shkëmbimit të mesazheve në iOS. (PCWorld Albanian)

Tags >

iOS
Lajmet e fundit>