Lajmet

Lançohet sistemi operativ mobile i Mozilla-s për shfletuesin tuaj

Nov 23 2012
0 Shpërndarje
Lançohet sistemi operativ mobile i Mozilla-s për shfletuesin tuaj

Mozilla ka lançuar për publikun një prototip të ri të sistemit operativ mobile që është duke zhvilluar, i cili mban emrin Firefox OS.

Edhe pse ende në fazë ndryshimesh dhe me disa probleme, ju mund të shihni dhe ta eksploroni sistemin përmes një add-on në shfletuesin tuaj Firefox, pa pasur nevojë ta instaloni në celular. Sistemi është i hapur dhe targeti kryesor i Mozilla-s janë pikërisht këto lloj tregjesh.

Aktualisht kompania po zhvillon një kërkim në Brazil për të mësuar se si i përdor celularët e tyre klasa e mesme. Në këtë mënyrë, ata synojnë të përshtasin sistemin Firefox OS në varësi të kërkesave të përdoruesve.

“Ashtu si edhe versionet e Firefox, koncepti kryesor është ofrimi i cilësisë, por jo e lidhur kjo domosdoshmërisht me çmimin e lartë. Cilësia e mirë në dizajn duhet të jetë e aksesueshme nga të gjithë, ashtu siç ndodh me produktet e tjera të kompanisë sonë,” u shpreh Patryk Adamczyk në një postim në blog para disa muajsh. “Qëllimi ynë është të fokusohemi tek cilësia e lartë dhe dizajni i veçantë.” Funksionet bazë të telefonit, telefonatat, mesazhet dhe kalendari, janë të gjitha të bazuara në HTML5.

Sistemi operativ ka tashmë disa aplikacione të disponueshme në treg, të cilat mund të aksesohen edhe përmes simulimit. Mozilla shpreson se duke e bërë të disponueshëm simulatorin, do të ketë mundësi të tërheqë zhvillues të rinj për platformën.

Pajisjet e para me sistemin Firefox OS priten në vitin 2013 dhe deri tani Mozilla ka marrë mbështjetje të rëndësishme për projektin. Dy prodhues të mëdhenj në Kinë, ZTE dhe TCL, janë shprehur se do të ndërtojnë telefonë me Firefox OS.

Smartfonët do të përdorin procesorë Qualcomm Snapdragon, të njëjtat çipe që gjenden në smartfonët më popullorë në treg. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>