Harduer

LG do të rikthehet më “fleksibël” se kurrë me lançimin e G Flex 2

Nov 30 2013
0 Shpërndarje
LG do të rikthehet më “fleksibël” se kurrë me lançimin e G Flex 2

Në qoftë se mendoni se smartfonët Samsung Galaxy Round dhe LG G Flex nuk janë aq fleksibël sa duhet për të tërhequr vëmendjen tuaj, atëherë do të duhet të prisni edhe një vit tjetër derisa të hidhet në treg smartfoni i parë me të vërtetë fleksibël.

Sipas një lajmi të publikuar nga ZDNet Korea, rezulton se LG është duke punuar për ndërtimin e smartfonit G Flex 2 i cili do të ketë aftësi të përkulet deri në 90°. Përkulja prej 90° nënkupton se G Flex 2 nuk mund të paloset totalisht megjithatë, përdoruesi mund të ketë disa përfitime interesante prej tij.

Për shembull, imagjinoni sa mirë do të ishte sikur telefoni të përputhej sipas trupit tuaj kur t’a fusnit në xhep. Përveç faktit që përdoruesi do të mund të ndjehet më rehat, smartfoni do të jetë më elastik ndaj dëmtimeve.

Që kjo ide të kthehet në realitet nuk mjafton që të përkulet vetëm ekrani, por duhet që këtë aftësi t’a disponojë edhe skeleti i jashtëm apo disa prej komponentëve të tjera të brendshëm.

Smartfoni G Flex është një provë që tregon se LG po përparon gjithnjë e më tepër me zhvillimin e ekraneve fleksibël madje, divizioni i baterive të kompanisë ka njoftuar se po punon për krijimin e baterive fleksibël (https://www.pcworld.al/lg-po-pergatitet-per-lancimin-e-baterive-fleksibile/ ) të cilat do të ofrojnë energjinë e nevojshme për smartfonët e ardhshëm që do të prodhojë LG.

Megjithatë, lançimi i smartfonit plotësisht të përkulshëm do të bëhet në disa faza. Fillimisht G Flex do të n’a prezantojë me idenë e telefonit fleksibël, më pas G Flex 2 do të jetë më afër smartfonit fleksibël që ne imagjinojmë.

Është raportuar gjithashtu se në një fazë të mëvonshme smartfoni do të paloset plotësisht, si një copë letër. LG ka planifikuar lançimin e këtij smartfoni në vitin 2015. (PCWorld Albanian)

LG

Tags >

LG
Lajmet e fundit>