Lajmet

Lideri i WikiLeaks Julian Assange humb apelin e ekstradimit

May 30 2012
0 Shpërndarje
Lideri i WikiLeaks Julian Assange humb apelin e ekstradimit

Autoritetet suedeze kanë kërkuar ekstradimin e tij nga Britania e Madhe në mënyrë që ta marrin në pyetje rreth akuzave për vepra seksuale. 

Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange mund të ekstradohet në Suedi për t’u marrë në pyetje rreth akuzave për ngacmim seksual. Gjyqi Suprem në Britani vendosi sot, duke mbështetur kështu një vendim të një gjykate më të ulët dhe duke hedhur poshtë apelin që bëri Assange. 

Autoriteti i Prokurorisë suedeze lëshoi një mandat arresti për Assange në nëntor të vitit 2010, duke kërkuar ekstradimin e tij në Suedi për t’u marrë në pyetje rreth krimeve seksuale. Ai u arrestua në Londër me 7 dhjetor 2010, dhe u vendos në arrest shtëpiak derisa gjyqi shqyrtoi kërkesën për ekstradim, që në fund i’u refuzua. 

Vendimi i sotëm u kthye në një pyetje se a u lëshua ky mandat arresti nga një “autoritet gjyqësor”. Gjyqi vendosi se gjithçka ishte në rregull. Ekipi ligjor i Assange menjëherë ngriti një mundësi se ata do të kërkojnë një ri-ekzaminim të rastit në një pikë tjetër të ligjit dhe gjyqi u dha atyre 14 ditë për ta parashtruar kërkesën.  

WikiLeaks, Ueb faqe të cilën Assange e themeloi, po përballet me një të ardhme të pasigurt. 

Fluksi i fondeve në këtë Ueb faqe u pengua në të njëjtin muaj kur Assange u arrestua, duke bërë që Visa, MasterCard, PayPal, Western Union dhe Bank of America të ndalojnë të gjitha përpunimet e donacioneve për shkak të frikës se ato donacione do të financonin aktivitete të paligjshme. Kjo bëri që të bllokohen 95% e donacioneve duke e detyruar faqen t’i drejtojë të gjitha përpjekjet e saj në metoda alternative për mbledhjen e fondeve e poashtu, edhe duke bërë ngadalësimin e paraqitjeve të dosjeve sekrete.  

Në një paraqitje publike në dhjetor 2011, Assange tha se SSL më nuk është i sigurt, dhe njoftoi se WikiLeaks po punon në një sistem të ri. Megjithatë, ai nuk bëri të ditur kur do të jetë ky sistem online. 

Assange vazhdoi punën e tij duke promovuar WikiLeaks-in pas arrestimit të tij në Britani, madje kishte regjistruar 6 episode në një TV shou për rrjetin televiziv rus RT. 

Por mbështetësit e tij frikohen se, në Suedi, ai mund të ballafaqohet me më shumë se një vit burg duke pritur për t’u marrë në pyetje dhe më shumë se katër vjet nëse akuzohet dhe dënohet. 

Ata poashtu frikohen se, nga Suedia, mund të transferohet në SHBA për t’u përballuar me akuza për spiunim. Dy nga dosjet më të mëdha që kanë rrjedhur nga Wikileaks janë kabllot diplomatike të SHBA-së (Cablegate) dhe videon e helikopterit amerikan ( Collateral Murder). (PCWorld Albanian)

Tags >

WikiLeaks
Lajmet e fundit>