Lajmet

Lidhja “diplomatike” më e re është ajo mes Kosovës dhe distributorit amerikan online Amazon

Feb 2 2015
0 Shpërndarje
Lidhja “diplomatike” më e re është ajo mes Kosovës dhe distributorit amerikan online Amazon

DSC_0339

Që nga dita kur u shpall pavarësia e gjer më sot, shteti i Kosovës njihet nga 110 shtete të botës ku 108 prej tyre janë pjesë e organizatës së kombeve të bashkuara. Njohjet ndërkombëtare të Kosovës vazhdojnë edhe ditëve të sotme falë lobimeve të ministrave kosovarë dhe shqiptarë. Në PCWorld Albanian nuk kemi folur asnjëherë për politikë, sepse ne jemi një portal teknologjik, por do ju drejtojmë një pyetje të thjeshtë. Kush mendoni se e ka njohur së fundmi Kosovën, natyrisht përveç Serbisë ?

Lidhja më e fundit “diplomatike” është ajo mes shtetit të Kosovës dhe distributorit amerikan online, Amazon. Një numër i lartë diplomatësh dixhitalë të Digital Kosovo kanë dërguar kërkesa pranë distributorit për të njohur Kosovën në listen e shteteve të adresave tona. Tashmë kjo njohje është një realitet.

Tani në Amazon mund të blini shumë më tepër sesa ofron një libër. Gjatë kryerjes së një blerjeje, në fushën e destinacionit së dërgesës ekziston opsioni “Kosovo”. Iniciativat e Digital Kosovo kanë qenë në lobimin për njohjen e shtetit më të ri të botës në platformat dhe shërbimet online. Kjo përkthehet ndryshe në kontribut ndaj sektorit ICT të këtij vendi.

Duke i uruar Kosovës sa më shumë njohje jo vetëm diplomatike por edhe dixhitale, shpresat tona janë që ky vend i vogël të bëhet qendra e ICT-së në rajon në një të ardhme jo të largët.

(PCWorld Albanian)

Tags >

Amazon
Lajmet e fundit>