Biznes

Linja Nokia Lumia shënon shitjet më të mira që prej lançimit të saj

Jul 19 2013
0 Shpërndarje
Linja Nokia Lumia shënon shitjet më të mira që prej lançimit të saj

Nokia shiti 7.4 milionë smartfonë Lumia në tremujorin e dytë të këtij viti, duke shënuar shitjet më të mira që kur lançoi për herë të parë pajisjet me Windows Phone.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi kompaninë të shënonte sërish humbje neto. Shitjet neto përbënin në total 5.7 miliardë €, rreth 24% ulje vit pas viti.

Kompania raportoi humbje neto prej 278 milionë €, dukshëm më e ulët se ajo e vitit të kaluar prej 1.53 miliardë €. Gjatë tremujorit, Nokia shiti 7.4 milionë pajisje smart, të gjitha Lumia të cilat operojnë me Windows Phone.

Nëse do ta krahasonim me vitin e kaluar, kompania ka shitur rreth 27% më pak (10.2 milionë pajisje smart: 4 milionë Lumia dhe 6.2 milionë telefonë të vjetër të kompanisë me sistemin – tashmë të braktisur – Symbian). Të gjitha këto përbëjnë 1.16 miliardë € ose 24% ulje të të ardhurave.

Shitjet e telefonëve të thjeshtë Nokia, përfshi linjën Asha, ranë me 39% në aspektin e të ardhurave, duke përbërë 1.41 miliardë €.

Humbjet operative të Nokia-s mbi pajisjet dhe shërbimet janë reduktuar në 33 milionë € nga 473 milionë € që ishin një vit më parë. Kompania pret që shitjet e telefonëve të rriten në tremujorin e tretë, ndërsa humbjet operative të arrijnë të paktën pikën 0.

Shitjet në Nokia Siemens Networks, kompania që Nokia ka tashmë kontroll të plotë pas blerjes së gjysmës së rrjetit, ra me 17% vit pas viti duke arritur në 2.78 miliardë €. Ky sektor ka fitim operativ prej 8 milionë € nga një humbje operative prej 226 milionë € vitin e kaluar.

Në tremujorin e tretë, Nokia parashikon që fitimet operative të rriten mes 3 dhe 11%. Divizioni i navigimit dhe hartave pati po ashtu rënie shitjesh, kësaj here me 18%, edhe pse humbjet operative ishin pak më të vogla se viti i kaluar. (PCWorld Albanian)

Nokia Lumia

Lajmet e fundit>