Analiza

Lulëzon interneti mobil në Shqipëri, internet fiks as në mesataren e vendeve në zhvillim

Aug 15 2017
0 Shpërndarje
Ndërsa interneti mobil ka shënuar rritje me të paktën 5Mbps krahasuar me një vit më parë, ai fiks ka qëndruar pothuajse në vend. Lulëzon interneti mobil në Shqipëri, internet fiks as në mesataren e vendeve në zhvillim Photo Source: PCWorld

I njohur prej kohësh si barometri i shpejtësive tuaja të internetit, Speedtest.net ka padyshim të dhëna të bollshme për tu ofruar përdoruesve.

Së fundi ka hapur një segment të ri për të gjithë të cilët duan të krahasojnë raportet e shpejtësisë së internetit në mbarë globin.

Të dhënat do të përpilohen në një raport mujor Speedtest Global Index dhe i pari është publikuar së fundi. (http://bit.ly/2w2HJd3)

Tani e tutje për çdo muaj do të publikohen shpejtësitë mesatare të internetit fiks dhe mobil për secilin vend të botës përfshirë edhe Shqipërinë.

Në klasifikimin e përgjithshëm Norvegjia udhëheq me shpejtësinë më të lartë mestare të internetit mobil prej 52.59Mbps ndjekur nga Hollanda me 46.94Mbps, Hungaria me 46.24Mbps, Singapori me 45.99Mbps dhe Malta me 44.84Mbps.

Kur bëhet fjalë për internetin fiks, Singapori dominon me një shpejtësi mesatare interneti prej 154.38Mbps ndjekur nga Koreja e Jugut me 125.69Mbps, Hong Kongu me 117.21Mbps, Islanda me 110.52Mbps dhe Rumania me 91.48Mbps.

Interneti dhe Shqipëria

Ndërsa Shqipëria vazhdimisht ka vuajtur me internetin fiks, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për internetin mobil.

Në klasifikimin e përgjithshëm Shqipëria zë vendin e 46 në botë nga 12 shtete të përfshira në raport me një shpejtësi mesatare shkarkimi të internetit mobil prej 22.56Mbps dhe ngarkimi prej 8.99 Mbps.

Që nga Vera e 2015-ës interneti mobil në Shqipëri pati rritje të ndjeshme falë adoptimit të teknogjisë më të fundit celulare 4G LTE dhe më pas 4G+ ose siç quhet ndryshe LTE Advanced.

Tre nga katër operatorë përfshirë Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Eagle Mobile i ALBtelecom ofrojnë prej mëse 2 vitesh internet mobil 4G+ tek qytetarët Shqiptarë.

Por në klasifikimin e përgjithshëm vendi ynë qëndron pas fqinjëve të Greqisë me 33.53Mbps, Serbisë me 28.43Mbps, Italisë me 28.41Mbps, Maqedonisë me 27.80Mbps dhe Malit të Zi me 25.26 Mbps.

Raporti për internetin fiks është histori tjetër. Shqipëria radhitet e 98-ta nga 125 vende pjesë e raportit me shpejtësi mesatare shkarkimi prej 11.09Mbps dhe ngarkimi prej 6.67Mbps.

Ndërsa interneti mobil ka shënuar rritje me të paktën 5Mbps krahasuar me një vit më parë, ai fiks ka qëndruar pothuajse në vend.

Por gjërat duket se nuk janë mirë në këtë drejtim edhe për fqinjët tanë. Greqia ka një shpejtësi mesatare interneti prej 12.66Mbps. Disi më lart janë Mali i Zi dhe Maqedonia me 16Mbps dhe 19.85Mbps respektivisht.

Serbia dhe Italia dominojnë me 22.47Mbps dhe 25.46Mbps. Penetrimi i dobët i shërbimeve fikse dhe për rrjedhojë internetit fiks vjen edhe si rezultat i një konkurrence të dobët në treg ndryshe nga sa tregojnë shërbimet mobile.

Ndërsa tregu i shërbimeve mobile ka një rivalitet të ashpër mes Vodafone Albania, Telekom Albania dhe ALBtelecom, shërbimet fikse dominohen prej vitesh nga ALBtelecom ku zotëron mbi 60% të tregut.

Rivali më i afërt është Abcom me një diferencë prej të paktën 50,000 abonentësh në një total prej 266.379 abonentësh në mbarë Shqipërinë. Abissnet dhe Tring nuk kanë arritur dot të konkurrojnë ALBtelecom si rezultat i mungesës së infrastrukturës së gjërë në qytetet të tjera të Shqipërisë me përjashtim të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Norma e penetrimit të internetit fiks në Shqipëri është vetëm 10%, edhe mëposhtë sesa mesatarja e vendeve në zhvillim. Sipas të dhënave të ITU-së, 15.2% është mesatarja e penetrimit të internetit fiks në mbarë botën ndërsa në vendet e BE-së dhe atyre të zhvilluara është 39.9%. (http://bit.ly/2vAGdy2)

Teknologjitë mbizotëruese janë DSL dhe Hybrid-Fiber Coax, ndërsa Fiber-to-the-Home është një luks që shumë pak Shqiptarë e kanë. Sipas AKEP 80% të Shqiptarëve kanë akses në internet fiks me shpejtësi 2 deri në 10 Mbps. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>