Blog

Marketingu “alla Ballkan” dhe tregu shqipfolës

Oct 31 2008
0 Shpërndarje
Marketingu “alla Ballkan” dhe tregu shqipfolës

Duke dëgjuar në një nga konferencat më të fundit të IDG një nga 400 miliarderët e botës të flasë aq thjesht dhe kuptueshëm për krizën financiare botërore dhe mundësitë për ta shfrytëzuar si një trampolinë biznesi, të vjen ndërmend të pyesësh veten, pse këto fjalë tani janë plot kuptim e deri dje ishin absurditete.

Thjesht çështje mentaliteti. Z. Mc Govern është i sigurt për ato që thotë ndaj fjalët e tij kanë kuptim dhe i hapin rrugë biznesit dhe përfitimeve. Ndoshta dhe ne i dimë deri diku ato që thotë ai, por i kemi të ngatërruara mes plot gjërash të kota dhe banalitete provinciale mbi seriozitetin, nderin, respektin dhe në përgjithësi me hundën përpjetë.

Fjalët e themeluesit të IDG më bënë të ndjehem i vogël dhe i pafuqishëm, por me mundësinë për t’u bërë një gjigant i plotfuqishëm. Nga ana tjetër më bëri të kuptoj më mirë ato që po bëj gabim vetë e që të tjerët rreth meje po gabojnë. U fol shumë për marketingun në Tiara Atlantik Park Hotel në Lisbonë. 230 veta nga më shumë se 40 shtete i treguan sekretet njëri-tjetrit, duke qenë të sigurt se suksesi i secilit ndikun në suksesin e të gjithëve në përgjithësi.

Ky mentalitet dhe mënyrë funksionimi është ajo që e bën botën të suksesshme dhe ne na le akoma në erën e “lokaleve dhe bareve”, ku presim që nga dera të hyjë dikush rastësisht dhe mallkojmë që nuk hyri në lokalin tonë. Reklama është shpirti i biznesit na është thënë dikur, por ne e kemi harruar, siç duket. Në tregun ballkanik jemi akoma në epokën e kryeneçësisë. Akoma nuk e kuptojmë se nuk mjafton të bëhët marketing, por duhet të jetë dhe i suksesshëm. Mund të bësh eksperimente, por kur e sheh që nuk po ecën heq dorë.

Ndoshta deri dje unë e kuptoja se si marketingu i Eagle Mobile, psh, shkonte dhe publikonte te 4 revista që as kanë të bëjnë me këtë biznes dhe tragetin e tij dhe për më tepër janë thjesht ca fletushka që pak njerëz i lexojnë (të paktën janë politikanë). Ky është marketing për t’i bërë qefin miqve e për të dëmtuar (jo konkurruar) të tjerët. Por ky mentalitet nuk është vetëm brenda Shqipërisë dhe pak më pak në Kosovë. Është kudo në Ballkan.

Tregu IT përcaktohet në shumicën e rasteve nga kufijtë gjuhësorë, sepse është i varur nga shumë faktorë që janë të pandashëm me gjuhën. Një shqiptari as që i shkon ndërmend të hapë një faqe maqedonase apo bullgare e aq më pak i intereson një maqedonasi apo bullgari të dijë se ç’shkruhet në faqe shqiptare. E njëjta gjë shkon për televizionin, revistat, gazetat dhe radiot. Marketingu në kohën e globalizimit nuk mund dhe nuk duhet të bëhet bazuar në kufij shtetërorë, sepse për biznesin këto tashmë nuk kanë më kuptim. Me marrëveshjet e tregtisë së lirë jemi thuajse një treg.

Me këtë logjikë do ishte e drejtë të konsiderohej se dhe punët e marketingut të biznesit do të shkonin vaj. Mundësia për ekspansion dhe rritje janë ato që e bëjnë një biznes të suksesshëm. Por për të pasur këtë ekspansion duhet dhe një marketing i denjë për këtë mentalitet.

Marrim një shembull: Microsoft ka vendosur në Maqedoni qendrën e tij rajonale. Nuk ka ndonjë të keqe. Komshinjtë tanë e kanë treguar veten miqësorë kur është dashur, por kjo nuk do të thotë se kanë aftësitë e duhura për të gjykuar tregun shqipfolës. Tregu Shqipfolës! Është një koncept i ri që ne dhe Brands duhet të kuptojmë. Nëse Shqipëria ka rreth 3.5 milion shqipfolës, Kosova 2.2 milion, Maqedonia rreth 700 mijë dhe Mali i Zi rreth 200 mijë shqipfolës, nuk mund të bëhet më fjalë për vende të vogla, por për një treg të madh aq sa dhe Serbia dhe Greqia.

Të lësh vendimet e biznesit për një treg 6.5 milionësh në duart e dikujt që as e ka idenë e këtij tregu dhe as që ka interes ta mësojë, nuk është vetëm naive; është kundëproduktive. Kjo mënyrë e të bërit biznes është një nga pengesat më të mëdha të rritjes së industrive të veçanta. Përveç HP-së që e ka marrë seriozisht tregun shqipfolës, të mëdhenjtë e tjerë as që e kanë idenë se ç’po bëhet.

Revista si PC World Albanian dhe media të ngjashme në shtrirje si ajo, janë një platformë ideale marketingu, ku me një gur mund të vrasësh 4-5 zogj, jo një të vetëm. Z. Mc Govern tha një fjalë me vend: “Ngrini çmimet që të vlerësoheni për atë që jeni”.

PC World Albanian shitet aktualisht në 4 shtete dhe në forumin e saj mbledh gjithë specialistët IT shqipfolës të këtyre shteteve. Më vjen keq por nëse dikush mendon se jemi të vegjël e të rinj në treg, me siguri që po na sheh vetëm këmbët, duhet të ngrerë kokën lart.

Këtë që po shkruaj unë tani ju siguroj që do ta lexojnë të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimin e teknologjisë informatike në Ballkan dhe këtu nuk po flas vetëm për shqiptarët.

Lajmet e fundit>