Analiza

Marrëveshja Microsoft – Nokia tregon se Apple kishte të drejtë

Sep 5 2013
0 Shpërndarje
Marrëveshja Microsoft – Nokia tregon se Apple kishte të drejtë

Microsoft-i ka zyrtarizuar blerjen prej 7.2 miliardë $ të finlandezës Nokia. Marrëveshja, mbi të cilën kishte filluar të flitej kohët e fundit, plotëson pjesën e mbetur në ekosistemin e Microsoft-it, duke shtuar kontrollin mbi Windows Phone.

Në thelb, Microsoft-i sapo është bërë si Apple. Përveç faktit se në të vërtetë nuk është Apple. Sigurisht, blerja është më e mira nga gjithë alternativat e mundshme që mund të kishte kompania. Por, Microsoft-i dhe Windows Phone janë shumë ndryshe nga Apple dhe iOS. Përveç ekosistemit dhe përqindjes së tregut, të dyja kompanitë kanë kultura totalisht të ndryshme nga njëra-tjetra.

Është e vërtetë se Microsoft-i po pëson një ndryshim organizativ duke filluar nga krerët e deri tek punonjësit e thjeshte dhe shtimi i 32 000 punonjësve të Nokia-s (përfshi 18 300 të cilët bëjnë pjesë direkt në sektorin e prodhimit) do të sjellë pak frymë finlandeze në kompani. Por, nuk mund të bëhesh Apple thjesht duke adaptuar strategjinë e tij. Në fakt, Microsoft-i duhet të shqyrtojë me kujdes biznesin e tabletëve Surface, të cilat nuk arritën të shndërroheshin në rivalët e vërtetë të iPad-it.

Me fjalë të tjera, kjo marrëveshje e bën Microsoft-in më tepër të ngjashëm me Google, duke qenë se të dyja kompanitë kanë bërë blerje pothuajse të njëjta (Google bleu Motorola-n). Nga ana tjetër, të dyja kompanitë duhet të mbajnë të kënaqur edhe partnerët e tyre si Samsung, HTC dhe Huawei. Këta të fundit me siguri nuk janë aq të lumtur për Windows Phone saç ishin dje.

Por, mes Google dhe Microsoft-it ka një ndryshim. Kur Google bleu Motorola-n po kërkonte thjesht një kompani të cilën mund ta shfrytëzonte për të zgjeruar Android-in e vet. Nokia nga ana tjetër është prodhuesi më i madh i smartfonëve me Windows Phone – duke e bërë në këtë rast Microsoft-in më të ngjashëm me Apple.

Disa analistë ndërkohë kanë vënë në dukje se tashmë e kemi një Apple. Shumë njerëz nuk i kanë kushtuar edhe aq rëndësi ekosistemit (rasti i Samsung-ut). Atëhere, si planifikon Microsoft-i të sjellë fitime në të ardhmen duke pasur një treg të kufizuar pune?

Përgjigjja në këtë rast gjendet në një pjesë “kyçe” të marrëveshjes. Bëhet fjalë për pajisjet Asha të Nokia-s. Microsoft mund t’i përdorë ato duke i shitur nën emrin e Nokia-s. Kështu, kompania është shprehur se do që t’i përdorë telefonët Asha si një shkallë nga ku të ngjitet dalëngadalë tek Windows Phone. Telefonët Asha mund të luajnë një rol të rëndësishëm në tregjet botërore, veçanërisht në vende si Brazili, Kina dhe Rusia. Në këto vende dy janë kompanitë që kanë hyrë më fuqishëm në treg, BlackBerry dhe Nokia. Kanadezët e BlackBerry-t kanë problemet e tyre dhe ky fakt i jep më tepër avantazh Nokia-s.

Blerja e Nokia-s nuk është ndonjë lëvizje gjeniale. Ajo po e vendos Microsoft-in në konkurrencë të drejtpërdrejtë me platformat e tjera më të mëdha. Ky fakt mund të jetë pozitiv për Windows Phone por pyetja shtrohet: A është mjaftueshëm vizionar? (PCWorld Albanian)

micosoft-nokia

Lajmet e fundit>