Lajmet

MAS nënshkruan marrëveshjen “Horizon 2020”, programi i BE-së për kërkim shkencor dhe inovacion

Jul 1 2014
0 Shpërndarje
MAS nënshkruan marrëveshjen “Horizon 2020”, programi i BE-së për kërkim shkencor dhe inovacion

big_horizon_2020Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla ka firmosur sot, në Bruksel Marrëveshjen “Horizon 2020”, programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion i cili premton arritje të mëdha në kërkimin shkencor. “Horizon 2020” ofron financime prej 80 miliardë Euro për një periudhë 7 vjeçare (2014-2020), përveç financimeve që do të mund të sigurohen prej investuesve privatë. 

Ministrja Nikolla tha gjatë ceremonisë së firmosjes së marrëveshjes se Qeveria e Shqipërisë do të ofrojë mbështetjen maksimale për të gjithë iniciativat e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve shkencorë vendas dhe atyre ndërkombëtarë. “Një javë më parë Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Ky objektiv i rëndësishëm e ka sjellë Shqipërinë një hap më afër integrimit në BE. Megjithatë nevojitet ende shumë punë për përfundimin e procesit të integrimit. Rruga e integrimit evropian e vendeve të rajonit tonë kërkon përmbushjen e standardeve për ndërtimin e një sistemi arsimi dhe kërkimi shkencor i cili do të shndërrojë Shqipërinë në vendin e krijimit të njohurive dhe inovacionit”, u shpreh ministrja Nikolla në fjalën e saj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

 “Horizon 2020”, i perceptuar si mjet për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës, gëzon mbështetjen e nevojshme politike të udhëheqësve evropianë dhe të anëtarëve të Parlamentit Evropian. Ata kanë rënë të gjithë dakord se kërkimi shkencor është një investim në të ardhmen tonë dhe për këtë arsye e kanë vendosur atë në themel të kuadrit të BE-së për rritje të qëndrueshme, të zgjuar dhe gjithëpërfshirëse dhe për krijimin e vendeve të punës.

Duke kombinuar kërkimin dhe inovacionin, “Horizon 2020” po ndihmon për arritjen e këtij objektivi, duke vënë theksin tek shkenca e ekselencës, udhëheqja në fushën e industrisë dhe tek përballja me sfidat e shoqërisë. Programi i BE-së për kërkim dhe inovacion do të plotësohet nga masa të mëtejshme për të përfunduar dhe zhvilluar më tej Zonën Kërkimore Evropiane. Këto masa do të synojnë gjithashtu të eliminojnë pengesat për krijimin e një tregu të përbashkët funksional për njohuritë, kërkimin dhe inovacionin. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>