Lajmet

Mbahet IT Campi i parë në Kosovë nga Microsoft

May 15 2012
0 Shpërndarje
Mbahet IT Campi i parë në Kosovë nga Microsoft

Gjatë ditës së sotme, për herë të parë në Kosovë, në Universitetin Amerikan të Kosovës, u mbajt Microsoft IT Camp, e cila paraqet një formë ndryshe nga ajo që mund të jeni mësuar zakonisht me konferenca.

Duke filluar rreth orës 10, përfaqësuesi i ndërmarrjes për Microsoft, Agim Bekaj, i tha disa fjalë për t’i falënderuar pjesëmarrësit të cilët, megjithëse gjatë një dite me shi, kishin ndarë kohë për të qenë në IT Camp. Fjalën më pastaj e mori edhe ligjëruesi Damien Caro i cili e tregoi agjendën e ngjarjes dhe tregoi për atë se çfarë mund të prisnin të pranishmit që të shihnin. Damien Caro tregoi që gjërat bazë që e përbëjnë IT Campin janë interaktiviteti, diskutimi i hapur, shtrimi i lirshëm i pyetjeve, si dhe të pranishmit do të mund të cicëronin në Twitter me fjalën kyçe #mitcamps, si dhe demonstrimin për ndërtimin e një makine virtuale.

Damien tregoi përgjithësisht se çfarë paraqet virtualizimi, çka është Hyper V dhe cilat janë përparësitë e përdorimit të Hyper V. Pas një hyrje bazë, sipas agjendës, erdhi radha e drekës, ku për një orë ishte caktuar që pjesëmarrësit të mund të hanin drekë në kuzhinën e Universitetit Amerikan të Kosovës.

Pas drekës, salla ku po mbahej ngjarja nuk u mbush plotësisht, megjithëse edhe para pushimit të drekës nuk ishte mbushur tërësisht, por pas drekës numri i të pranishmëve në ndjekjen e ligjërimit të Damien Caro ishte më i pakët dhe arsyeja për këtë mund të ketë qenë edhe mosarritja e shikimit të asaj që ishte paraparë të arrihet para pjesëmarrjes.

Pas një shpjegimi të mëtutjeshëm nga Damien Caro, Bekim Dauti dhe Diogjeni bënë paraqitjen edhe demonstrimin e lidhjeve të dy llaptopëve të cilët i quanin si nyje (ang. node) në një llaptop tjetër të quajtur si tufëz (ang. cluster).

Sa i përket diskutimit të hapur dhe pyetjeve, të pranishmit në sallë ishin të lirë që çdo herë të shtronin pyetje apo edhe të jepnin ide dhe përgjigje ndaj pyetjeve që parashtroheshin për kuriozitet nga eksperti i Microsoft, Damien Caro.

Dhe kjo pra ishte përgjithësisht virutalizimi i IT-së i paraqitur gjatë ditës së sotme. Gjatë ditës së nesërme do të mbahet një ngjarje tjetër e organizuar nga Microsoft, e njohur ndryshe edhe si Microsoft Tech Days, që paraqet tashmë një ngjarje tradicionale që është mbajtur për disa vite rresht në vendin tonë. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>