Lajmet

Mbahet konferenca Software Freedom Kosova 2014

Oct 26 2014
0 Shpërndarje
Mbahet konferenca Software Freedom Kosova 2014

fred 2Gjatë ditës së shtunë është mbajtur konferenca në kuadër të eventit Software Freedom Kosova 2014, që ka grumbulluar dhjetëra të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të botës në Prishtinë për të ndjekur nga afër ligjëratat e ndryshme që ishin përgatitur enkas për këtë konferencë. Sipas Arianit Dobroshit, i cili dha një prononcim për PCWorld Albanian, edicioni i këtij viti dallohet nga edicionet paraprake, përveç të tjerash edhe me faktin që në këtë edicion janë prezantuar autori dhe kolumnisti anglez Glyn Moody, përfaqësuesi nga asociacioni gjerman Open Source Business Alliance, Thomas Uhl, datahakeri amerikan Thomas Levine, administratori i sistemeve nga Sofja Marian Marinov, hakeri nga Shkodra Gjergj Sheldija e kështu me radhë.

Ligjëratën e parë e mbajti autor i artikujve të teknologjisë, Glyn Modd, i cili foli për epokën e artë të softuerit të lirë dhe të hapur në këtë kohë. Modd, i cili më së miri njihet për librin e tij “Rebel Code: Linux and the Open Source Revolution”, që ishte njëri nga fjalimet më të rëndësishme gjatë konferencës, pasi tregoi për hapat e parë të softuerit të lirë dhe të hapur, që është edhe përqendrimi kyç i kësaj konference, si dhe rrugëtimin e tij deri në ditët tona dhe ndikimin që ai ka pasur në botën e teknologjisë dhe më gjerë.

Ai përveç të tjerash tregoi për frymëzimin e themeluesit të softuerit të lirë Richard Stallman, i cili donte ta shfrytëzonte softuerin si mjet për të arritur deri tek objektivi i tij, që ishte përhapja e lirisë, e më pas mospajtimet e tij me nismën open-source, që nuk e përdori emrin “free software” por e zëvendësoi atë me “open source” i cili zëvendësim ishte bërë për t’iu shmangur dykuptimësisë “i lirë” dhe “i hapur” që vjen si rezultat i fjalës me dy kuptime që është në anglisht; suksesin e sistemit operativ Linux, i cili, në versionet e ndryshme të tij përdoret nga 93 për qind e top 500 super-kompjuterëve më të shpejt në botë; përdorimi i tij nga 80 për qind e pajisjeve mobile pasi që sistemi i popullarizuar Android ka bazë në Linux; si dhe ndikimin e filozofisë së softuerit të lirë në nisma të shumta si shpërndarja e gjërave në rrjetet sociale, publikimi i gjërave, qasja e lirshme për të gjithë, etj.

Ai duke cituar fjalët e ish-kontraktuesit të Agjencisë Kombëtare amerikane të Sigurisë, NSA, Edward Snwoden, të cilat tregonin që çdo aktivitet në internet përgjohet, ftoi të pranishmit që të angazhoheshin në përgatitjen e softuerëve të hapur të cilët do të mund të përdoren për enkriptim të të dhënave, për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e të gjithëve.

Fjalimin e radhës e mbajti Georges Labreche, i cili tre muaj më parë kishte ardhur në Kosovë dhe kishte nisur projektin online Open Data Kosovo, që tregoi për rëndësinë e publikimit të të dhënave, si dhe për mënyrat e grumbullimit, analizimit dhe shpërndarjes së tyre me ndihmën me teknologjive. Labreche, pas analizave që kishte bërë, kishte ardhur në përfundim që mungesa e të dhënave për gjëra të ndryshme në Kosovë pamundësonte edhe zgjidhjen e problemeve në lidhje me to, si dhe tregoi që ai së bashku me ekipin e tij kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve.

Maxima është programi i lirë dhe i hapur softuerik që ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme matematike dhe paraqitjen grafike të tyre, të cilin e përdor shkencëtari nga Gjakova, Ardian Gojani i cili ka mbaruar studimet e doktoratës në Universitetin Tohoku të Japonisë. Gojani, duke e marrë punën e tij hulumtuese në fushën e fizikës si shembull, e cila tashmë ka qenë e cituar me dhjetëra herë në punime të ndryshme shkencore, tregoi që shumica e llogaritjeve matematike të cilat ai duhet t’i bëjë mund të kryhen përmes Maxima-s, që përveç që përmban lirinë softuerike, ai është edhe falas dhe ofron mundësi të shumta që mund të jenë të mirëseardhura për llogaritje të ndryshme në matematikë.

Marian Marinov, me përvojë dhjetëra vjeçare si administrator sistemesh, i cili momentalisht ligjëron lëndët Administrimi i Sistemeve me Linux dhe Siguria e Internetit në Universitetin e Sofjes në Bullgari tregoi për gjendjen e Rrjetit të Definuar Softuerik në Linux, si dhe përvojën e tij me OpenVswitch dhe VxLAN.

Giannis Konstantinidis nga Greqia ligjëroi për principet dhe vlerat në të cilat bazohet sistemi operativ Firefox, duke treguar për përparësitë e shumta që ofron ky sistem operativ relativisht i ri mobil i cili dita-ditës po gjen përkrahje nëpër botë, që para pak javësh brenda tre ditëve janë shitur 15 mijë pajisje që përdorin këtë sistem operativ. Konstantinidis tregoi po ashtu që gjatë mëngjesit të ditës së diel do të mbahet punëtoria nën udhëheqjen e tij kur do të jepen udhëzime hap pas hapi rreth zhvillimit të një aplikacioni uebi që mund të përdoret edhe në sistemin operativ Firefox.

Thomas Uhl përmes ligjëratës së tij tregoi për përdorimin madhor që ka gjetur softueri i lirë dhe i hapur në Gjermani, duke treguar për dobitë që mund të vijnë nga softuerët e këtij lloji, përveç të tjerash në ruajtjen e privatësisë, ashtu edhe në çështjet e sigurisë së infrastrukturës kompjuterike, duke e shfaqur vendin gjerman si vend mirëpritës për personat që kanë përvojë dhe aftësi me softuerët e këtij lloji për shkak të nevojës dhe përdorimit të madh të tij.

Më pas, njëri nga anëtarët e bordit ekzekutiv të shoqatës FLOSSK, Gent Thaçi, tregoi për historinë e kësaj shoqate, për hapat e parë të saj në Kosovë, si dhe etapat e aktiviteteve të saj duke mbajtur konferenca, seminare praktike dhe ngjarje të tjera të ngjashme të cilat kanë si prioritet parësor promovimin e softuerit të lirë dhe të hapur.

Gjatë ditës së premte kishte mbajtur një ligjëratë praktike, kurse gjatë konferencës Janis Janovskis pati hapësirën e tij për të treguar mënyrat se si mund të arrihet një skuadër e përshtatshme në fushën e IT-së, e cila gjë mund të jetë shumë e nevojshme para se të bëhet nisja e zhvillimit apo mirëmbajtjes së ndonjë shërbimi apo produkti.

Ligjëratën e fundit, por jo më pak të rëndësishme e mbajti Redon Skikuli nga Tirana, i cili shfaqi disa pika interesante se si softueri i lirë do të mund të ndikonte në mposhtjen e sistemeve burokratike të cilat kontrollojnë popullatën, duke i angazhuar njerëzit e thjeshtë në menaxhimin dhe shpërndarjen e informacioneve, duke publikuar çdo informacion qeveritar në domein publik, duke i marrë seriozisht të dhënat e hapura dhe duke përdorur platformën open-source WordPress për hapjen dhe menaxhimin e uebfaqeve.

Dhe konferenca u mbyll me fjalë përmbyllëse nga anëtarët e FLOSSK-ut, ndërsa gjatë ditës së diel do të mbahen edhe gjashtë seancat praktike të tjera, duke e çuar numrin e tyre në dymbëdhjetë gjithsej për këtë vit, në të cilat do të kemi trajtime të temave të ndryshme dhe demonstrime që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike, gjuhën programuese scratch e cila është mjaft e përshtatshme për fillestarët në programime dhe tema të tjera, për të cilat mund të informoheni duke vizituar këtë faqe.

Sipas Dobroshit, puna e FLOSSK-ut në muajt në vazhdim është ndërtimi i Prishtina Hackerspace, vazhdimi i trajnimeve të ndryshme si ajo për Mozilla Webmaker, seminare për sigurinë online për gazetarët, një maratonë e përkthimit të softuerëve, punëtori për Github dhe disa të tjera që ende nuk mund t’i bëjnë publike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>