Lajmet

Mbahet për të tretën herë eventi Starup Grind Pristina, e ftuar Ulpiana Lama

Oct 29 2014
0 Shpërndarje
Mbahet për të tretën herë eventi Starup Grind Pristina, e ftuar Ulpiana Lama

1545739_778895845507052_4310627319793331053_nPër të tretin vit radhazi u mbajt iniciativa Startup Grind me mbështetjen Google for Entrepreneurs në kryeqytetin e radhës në Prishtinë. Siç edhe shumë prej jush e dinë, Startup Grind është një komunitet krijuar për të edukuar, inkurajuar, dhe krijuar kontakt mes sipërmarrësve, e cila mundësohet nga Google for Entrepreneurs. Çdo muaj evente të tilla mbahen në më shumë se 100 qytete dhe 42 shtete me pjesëmarrjen e inovatorëve, edukatorëve, dhe investitorëve vendas të cilët ndajnë historinë dhe rrugëtimin e tyre personal në aftësimin profesional dhe karrierë, në ndërmarrjen e iniciativave apo dhe themelimin e bizneseve të tyre. Startuar fillimisht nga Derek Andersen dhe Spencer Nielsen në shkurt të 2010 në një zyrë të vogël në Kaliforni, objektivi primar ishte për të bashkuar miq që mund të ndihmonin njëri-tjetrin dhe tashmë kjo është e përhapur në të gjithë botën.

Eventi u prezantua nga Uranik Bregu i cili aktualisht shërben si Drejtor Ekzekutiv pranë qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK). Më parë ai ka punuar si drejtor i departamentit të marketingut pranë Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në eventin e tretë për këtë vit e ftuar e radhës ishte Ulpiana Lama, një eksperte në fushën e medias dhe komunikimit. Ajo ka përfunduar edukimin dhe aftësimin e saj në Tiranë, Paris dhe Washington. Zonja Lama më parë ka mbajtur role të rëndësishme si ish zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, gazetare në radio dhe televizion, analiste lidhur me zhvillimin politiko-social si dhe lektore në universitete. Ajo është e përfshirë në iniciativa vullnetare, aktivitete humanitare, sociale dhe filantropike. Zonjusha Lama vazhdimisht shkruan për gazetat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Kohët e fundit ajo ka publikuar librin e saj të parë me titull “Ia dolëm”.

Prezantuesi Uranik Bregu citoi se Prishtina për të tretë herë qëndron me krenari së bashku me qytetet e tjera të botës që shënojnë këtë aktivitet. Ai theksoi se këto evente do të postohen në platformën globale të Startup Grind duke lajmëruar njëherazi rreth eventit të radhësh në muajin nëntor gjatë javës së sipërmarrjes. Në këtë event, u fol për komunikimin ku Ulpiana Lama vuri theksin tek një shoqëri e hierarkizuar. Fakti se një shoqëri si kjo e jona i mungon një komunikim cilësor, kjo sjell një dimensionalitet i cili e vret kulturën e debatit tek masat si dhe sjell eksternalizimin e fajit. Këto në thelb përbëjnë disa aspekte negative të shoqërisë. Po ashtu Lama u këshilloi të pranishmëve të zhvillonin një mendim kritik dhe kulturë debati edhe në familje.

Disa nga problemet kyçe ishin, kultura e negativitetit e cila është e formësuar nga ndjenja e tejskajshme e demokratizimit. Dhe janë disa faktorë që kanë sjellë këtë demokratizim të skajshëm kur me revolucionin teknologjik të pas viteve 90 erdhi edhe interneti i cili në thelb përbën edhe një liri të shprehjes së mendimit. Mënyrat janë të ndryshme ku Zonja Lama theksoi disa si blogjet të cilat janë mjaft të përhapura apo dhe mediat sociale. E gjithë kjo liri përbën një problem real në vetvete dhe siç tha Ulpiana, media sociale dikur ishte e mbushur me përshkrime, ndërsa sot me opinione dhe shumica e individëve dëgjojnë për tu përgjigjur dhe jo për të kuptuar. “Sot mendimi mund të jepet me vetëm 140 germa në Twitter” citoi Lama, dhe pikërisht këto faktorë që përmendëm më lart përbëjnë disa nga arsyet kryesore të humbjes së një shoqërie.

Këto ishin në aspektin individual të komunikimit përsa u fol në këtë emision, por një pjesë të veçantë zuri edhe nga pikëpamja e biznesit dhe ushtrimit të tij. Lama shpjegoi se një nga promotorët kryesor të biznesit është komunikimi i jashtëm, pra produkti dhe publiciteti. Komunikim i jashtëm përdoret për bizneset, por edhe vendimmarrjes. Parësore qëndron gjithmonë ndërtimi i marrëdhënieve. Po ashtu brendimi, kanalet e komunikimit dhe strategjia si pjesë e komunikimit të jashtëm janë faktorë kyç në suksesin e një biznesi ose sipërmarrjeje.

Krahas komunikimit të jashtëm i rëndësishëm është dhe komunikimi i brendshëm që nuk duhet nënvlerësuar aspak. Ndërtimi i një marrëdhënie me punonjës është faktor kyç për suksesin. Lama përmendi një sondazh i bërë me 40,000 të pyetur, ku 93 % e këtyre të intervistuarve thanë se vlerësojnë më së shumë transparencën brenda kompanisë. Lama vuri theksin e fuqishëm në faktin se “Transparenca tashmë nuk është vetëm çështje etike, por shërben edhe si një motivues i jashtëzakonshëm për punonjësit”. Pjesë e komunikimit të brendshëm është edhe qartësimi i misionit dhe vizionit ku Lama përmendi shembullin e asaj kompanisë farmaceutike amerikane që hasi një problem të rëndë që bëri bujë mbi opinionin publik dhe e zgjidhi thjesht për shkak të qartësisë që ekzistonte tek punonjësit se misioni ishte shërbimi cilësor dhe klienti.

Dhe përpara se të kalonin në fazën e pyetje përgjigjeve, Ulpiana citoi “Sot kemi të bëjmë me një shoqëri që e do dijen si një produkt, e ju duhet t’ia thoni me 140 germa. Por si do ti formulosh këto 140 germa të mençura?” (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>