Lajmet

Mbaron Startup Weekend Prishtina, shpallen fituesit

Nov 12 2012
0 Shpërndarje
Mbaron Startup Weekend Prishtina, shpallen fituesit

Pas një maratone prej 54 orësh, më në fund është mbyllur Startup Weekend Prishtina.

Konferenca filloi ditën e premte, me prezantimin e projektëve të ekipeve pjesëmarrëse, për të vazhduar më pas me punën që këto ekipe duhej të bënin për të përgatitur modelet e tyre të biznesit gjatë ditës së shtunë dhe gjatë ditës së diel.

Në fund të konferencës u shpallën fituesit e tre vendeve të para. Pas një pune të palodhshme, ekipi Xiik arriti që të fitojë vendin e parë, duke qenë kështu fitues në fundjavën e dytë rresht, pasi në fundjavën e kaluar kishin fituar garën App Camp Kosova.

Ekipi Xiik krijoi një lojë, e cila u vlerësua mjaft mirë edhe nga duartrokitjet e pjesëmarrësve gjatë prezantimit.

Leart Zogjani nga ky ekip tha që ai dhe anëtari i tij i vetëm i skuadrës, Bardh Lohaj, kishin disa plane dhe se u nevojitej përkrahje për të ecur më tej.

Ata në fillim synojnë që të jenë të pranishëm në tregun vendor, e më pas synojnë që të zgjerohen edhe në tregun ndërkombëtar.

Vendi i dytë i takoi ekipit Learn Albanian, i cili në fakt ka ndërruar edhe qëllimin, pasi në fillim ishte nisur si ekip për të krijuar mundësi për të mësuar gjuhën angleze.

Por siç duket ky ndryshim ka qenë me rëndësi për këtë ekip, sepse që në prezantim gjatë të dielës, edhe nga vetë anëtarët e jurisë të cilët nuk ishin shqiptarë u paraqit një interesim individual, për shkak të interesimit të tyre për ta mësuar gjuhën shqipe.

Në vendin e tretë juria vendosi që të jetë ekipi Mjeshtrit, ekip ky që kishte idenë për të krijuar një portal online që do të mundësonte një ndërmjetësim të mjeshtërve të lëmenjve të ndryshëm me klientë.

Në këtë Startup Weekend Prishtina u paraqitën ide të kategorive të ndryshme, por dominonin idetë për edukim, për të bërë lehtësimin e të mësuarit për studentët, të cilët ka raste kur kanë probleme me sigurim të literaturës, si dhe vështirësi për kalim të provimeve.

Një ngjarje e këtillë si kjo, e organizuar me aq profesionalizëm, shpresojmë që të mos jetë e fundit, por urojmë që të organizohen edhe shumë herë të tjera, për të nxjerr në pah vlera të mirëfillta në Kosovë. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>