Siguri

Mbroni privatësinë tuaj kur postoni foto

Jan 28 2010
0 Shpërndarje
Mbroni privatësinë tuaj kur postoni foto

Mund ta dini gjithashtu se fotografia juaj mund t’ju tregojë prodhuesin dhe modelin e aparatit që keni përdorur si dhe detajet rreth lenteve dhe blicit, por gjithashtu mund të vendosni emrin tuaj, adresën e shtëpisë tuaj (shikoni “Photos That Know Where They Were Taken” në find.pcworld.com/62882) si dhe informacione të tjera private dhe ndoshta turpëruese në këta skedarë. Të gjitha këto mund të shihen edhe nga të tjerët nëse i postoni fotografitë online. Të sigurohemi që dini si të mbroni të dhënat tuaja personale.

Brenda të dhënave të fotografive tuaja
Shumë informacione gjenden brenda fotografive tuaja – më shumë se ç’mund të dini. Mund t’i zbuloni të gjitha të dhënat përmes Windows ose përmes ndonjë organizuesi fotografish. Nëse keni për shembull Windows Vista, klikoni me tastin e djathtë mbi fotografi dhe zgjidhni Properties. Pastaj klikoni fushën Details dhe duhet të shihni të dhënat e paketuara brenda fotografisë suaj.

Organizuesit e fotove zakonisht e aranzhojnë informacionin e njëjtë në mënyra atraktive. (Versioni online i këtij artikulli në find.pcworld.com/62883 – përfshin një shembull.)
Shumica e atij informacioni është i padëmshëm. Shpejtësia e shkrepjes dhe opsionet e lenteve të aparatit tuaj? Punë e madhe! Por çfarë ndodh nëse përdorni një pajisje GPS për të gjeolokalizuar fotografitë tuaja? Kjo do të ishte e dobishme, por ndoshta nuk dëshironi të bëni publik vendndodhjen GPS të oborrit tuaj.

Fjalët kyçe dhe etiketat mund të jenë me rrengje. Në blogun tim rekomandoj që t’i etiketoni fotografitë tuaja në vend që t’i organizoni ato nëpër dosje. Kjo është në rregull, nëse nuk përdorni ndonjë fjalë të turpshme. Nëse keni etiketuar fotografitë e të afërmve, shokëve apo bashkëpunëtorëve me ndonjë nofkë të çuditshme, mos harroni që t’i pastroni ato fotografi para se t’i postoni në ndonjë faqe për shkëmbim fotografish, pasi etiketat zakonisht postohen bashkë me fotografinë. Kështu që çdokush që shikon fotografinë e shefit tuaj, mund të shohë se e keni etiketuar si “dështak”. Oops!

Si mund të mbroni të dhënat tuaja private?

Të brengosur? Nëse keni në fotografi të dhëna që nuk doni t’i shkëmbeni me të tjerët, mos u brengosni. Është e lehtë të largoni informacionet personale nga fotografitë para se t’i postoni në internet.
Mund të largoni të gjitha shënimet në fotografi duke përdorur vetëm Windows Vista. Vetëm shkoni në fushën Details në kutinë dialoguese Properties të përmendur më herët. Në pjesën e poshtme të dritares do të shihni një link i cili thotë Remove Properties and Personal Information. Klikojeni atë dhe Windows do të fshijë të gjitha informacionet nga fotografia juaj. Gjithashtu mund të zgjidhni disa fotografi dhe t’ia bëni këtë të gjithave në të njëjtën kohë.

Nëse nuk keni Vista ose dëshironi t’i largoni edhe më lehtë informacionet nga fotografitë, provoni programin JPEG & PNG Stripper (find.pcworld.com/62884). Kjo pajisje falas kryen atë që premton: Për ta përdorur, vetëm zhvendosni foton në dritaren Stripper dhe aplikacioni menjëherë fshin të dhënat.
Nëse përdorni ndonjërën nga këto metoda për të fshirë të dhënat, ato do të zhduken përgjithmonë, kështu që ndoshta është më mirë t’i fshini të dhënat nga kopja e fotografisë që dëshironi të postoni apo shkëmbeni. Mos ia bëni këtë kopjes të cilën dëshironi ta ruani në kompjuter, me përjashtim të rastit kur dëshironi të fshini qëllimisht të gjitha të dhënat, që të mos gjenden më kurrë.

Lajmet e fundit>