Lajmet

Mbyllet Balkan Venture Forum, shpallen fituesit

Nov 15 2013
0 Shpërndarje
Mbyllet Balkan Venture Forum, shpallen fituesit

cropped-logo-BkVF-Tirana-mediumËshtë mbyllur me sukses forumi më i madh i investimeve në Ballkan, i cili organizohej këtë vit në Tiranë duke shënuar edicionin e tij të katërt.

Kompani startup nga i gjithë rajoni prezantuan idetë e tyre duke kërkuar financime për vazhdimësinë dhe zgjerimin e projektit të ndërmarrë tashmë, ndërsa sipërmarrës të suksesshëm mbajtën fjalime mbresëlënëse gjatë të dy ditëve të aktivitetit.

Të premten, në ditën e dytë të eventit, u mbajtën tre seksione për prezantimin e ideve si dhe një panel diskutimi mes sipërmarrësve, ku u diskutua mbi mënyrat se si mund të matet suksesi në një kompani të re.

DSC03992Profesionistët këshilluan gjithë të rinjtë që sapo kishin hapur kompaninë e tyre të investojnë me zgjuarsi, duke ditur se sa kanë investuar dhe sa presin të marrin në këmbim.

Ata i sugjeruan atyre të punësojnë analistët e duhur për t’i ndihmuar në leximin dhe interpretimin e statistikave. Së fundmi, i nxitën ata të vendosin vetë treguesit brenda biznesit të tyre dhe jo të adaptojnë verbërisht mënyra të ndryshme të analizimit të ecurisë në treg.

Pjesa e mbetur e eventit i takoi prezantimeve, të cilat patën po ashtu një fushë të gjerë shtrirjesh tematike, por duke mbetur gjithmonë në kontekstin e ICT-së.

DSC03982Ato varionin nga sistemet e shërbimeve operative, automatizimin e biznesit, zhvillimin e softuerëve, krijimin e algoritmeve të të dhënave masive, shërbimeve inteligjente të transportit, krijimin e softuerëve për parashikimin e rrjedhjes së të ardhurave etj.

Në fund të ditës së dytë të Forumit, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike e Republikës së Shqipërisë, Milena Harito, mbajti një fjalim përmbyllës ku vuri në pah se dija është e vetmja mënyrë, edhe pse e vështirë, me të cilën mund të konkurrojë tashmë Shqipëria.

Ajo theksoi se zhvillimi i sektorit privat është një prej detyrave më të rëndësishme të qeverisë dhe inovacioni është pjesë integrale e këtij zhvillimi. Vendi ynë, tha ajo, ka të ardhura të ulta për kërkim dhe zhvillim inovacioni, prandaj është e rëndësishme që klima të ndryshojë dhe mbështetja nga qeveria të rritet.

DSC04007Ministrja përfundoi duke thënë se kompanitë startup janë një prej mënyrave më të mira për të ngritur ekonominë e vendit dhe për të hapur vende pune për të rinjtë.

Eventi u mbyll me ceremoninë e lajmërimit të fituesve, të cilët ishin shtatë të tillë. Ata do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre në muajin dhjetor në Dyseldorf të Gjermanisë, së bashku me shumë kompani të tjera startup nga bota.

Lista e fituesve të edicionit të katërt të Balkan Venture Forum ishte si më poshtë:

123.al – lider në shpërndarjen e ofertave ditore nga fusha të ndryshme të tregut

iVote – ofrues i menaxhimit të zgjedhjeve vendore dhe lokale

Leevia – portal për financimin e projekteve të bamirësisë dhe organizatave jofitimprurëse

Energomechanic – kompani e fokusuar në pajisjet e energjisë së rinovueshme

TM Vista – sistem inteligjent i transportit

Epikinonia – menaxhimi i projekteve të ICT-së

SmartROFO – mjete për optimizimin e vlerës së inventarit dhe parashikimit të kërkesave të klientit (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>