Lajmet

Mbyllja e aplikimeve mbledh në Tiranë jurinë e edicionit të pestë të Albanian ICT Awards

Apr 3 2017
0 Shpërndarje
Janë mbyllur aplikimet e edicionit të pestë të garës mbarëkombëtare në fushën e teknologjisë së informacionit Albanian ICT Awards mbrëmjen e së Premtes, dy muaj nga hapja e edicionit jubilar. Mbyllja e aplikimeve mbledh në Tiranë jurinë e edicionit të pestë të Albanian ICT Awards Photo Source: ICT Awards

U mbajtën 20 takime me të rinj, studentë, profesorë, dhe të pasionuar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Shkodër, Preshevë dhe Gjakovë.

106 aplikime të kuafilikuara mbërritën pranë organizatovëve të garës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore dhe Diaspora.

Gara qëndroi e hapur deri në mesnatën e datës 31 Mars në tetë kategori: ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, Femra në ICT dhe ICT Siguria Kibernetike.

Mblidhet Juria e Albanian ICT Awards

Ashtu siç ishte parashikuar, dita e parë e muajit Prill shënoi fillimin e procesit të vlerësimeve nga ana e jurisë së Albanian ICT Awards e cila përfaqësohet nga figura të shquara në fushën e teknologjisë dhe informacionit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedoni.

Këtë vit juria përbëhet nga: Julia Goga-Cooke, Mirlinda Karçanaj, Anila Hoxha Tollkuçi, Anni Dasho Sharko, Jonida Çerekja, Altin Petre, Visar Jasiqi, Mareglen Biba, Jeton Siqeca, Azir Aliu, Sokol Vladi, Gjergji Mulla dhe Endri Xhina.

Mesditën e së Shtunës, u mblodh për herë të parë juria e edicionit të pestë të Albanin ICT Awards. Në këtë mbledhje të jurisë traditë me çdo edicion, anëtarët diskutuan dhe analizuan në mënyrë të detajuar të gjitha kriteret e vlerësimit, si dhe votuan procese të ndryshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Gjatë mbledhjes zunë vend diskutime rreth kritereve të vlerësimit të kategorisë Cyber Security si një kategori e themeluar për herë të parë. Kontributi i jurisë është si përherë i thelbësor në adaptimin e këtyre kritereve me qëllim që të inkurajohen sa më shumë profesionistë të kësaj fushe.

Me unanimitet të plotë, u vendos që kryetarja e jurisë së këtij edicionit të jetë zj. Mirlinda Karçanaj, drejtore e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ndërsa nënkryetar u votua z. Sokol Vladi, drejtor ekzekutiv i Microsoft Albania.

Që të dy u shprehën të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe rëndësinë e lartë që bartin këto role si dhe shprehën vullnetin, dëshirën dhe kënaqësinë e tyre për të përfaqësuar jurinë në proceset në vijim.

Takimi i radhës i jurisë do të mbahet të Shtunën e datës 15 Prill ku do të prezantohen aplikimet. Organizatorët e garës do të mbajnë të gjithë kandidatët të informuar edhe në forma të drejtpërdrejta komunikimi.

Edicioni i pestë i Albanian ICT Awards hapi aplikimet më 27 Janar në tetë kategori. Organizuar nga shtëpia botuese ICTSmedia dhe vlerësuar me çmimin Bleta e Artë në Kategorinë ICT për kontributin e çmuar në drejtim të promovimit të sipërmarrjes dhe zhvillimit në këtë sektor, kjo garë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen dhe Albsoft.

Rreth Albanian ICT Awards

Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së. Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze nga një juri e përbërë nga figura të shquara të komunitetit ICT në vend, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese lider në botimet mediatike në fushën e Teknologjisë, Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë. Këtë vit prezanton edicionin e 5-të vjetor kombëtarë të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards V.” /ICTSmedia

Artikulli ne faqen zyrtare: https://ictawards.org/2016/mbyllja-e-aplikimeve-mbledh-ne-tirane-jurine-e-edicionit-te-peste-te-albanian-ict-awards/

Lajmet e fundit>