Lajmet

Më 26 Maj Startup Grind Tirana sjell në Shqipëri sipërmarrësin ndërkombëtar Baybars Altuntas

Apr 15 2015
0 Shpërndarje
Më 26 Maj Startup Grind Tirana sjell në Shqipëri sipërmarrësin ndërkombëtar Baybars Altuntas

startup gridIshte data 9 Prill kur Startup Grind Tirana mbajti takimin e fundit, dhe i radhës po vjen muajin e ardhshëm, pikërisht në datën 26 Maj. Ky takim do të jetë disi ndryshe nga ato që janë organizuar më parë duke marrë shkas edhe nga një i ftuar ndërkombëtar. Por çfarë është Startup Grind?

Startup Grind është një komunitet global startup-esh ndërtuar për të edukuar, inspiruar dhe lidhur sipërmarrësit. Çdo muaj mbahen takime në më shumë se 150 qytete dhe 65 shtete me të ftuar sipërmarrës lokalë, themelues të kompanive dhe investitorë të cilët ndajnë me këtë komunitet historitë dhe mësimet që kanë nxjerrë nga një sipërmarrje.

Po le të kthehemi e të flasim për takimin e radhës që do të mbahet në Tiranë. Prezantimin e këtij takimi do e mbajë si gjithmonë, Endri Mataj, një sipërmarrësi i ri, dhe adhurues i teknologjisë dhe informacionit i cili ka një background eksperti në fushën e telekomunikacionit dhe menaxhimit të rrjeteve.

Baybars Altuntas

Ndërsa i ftuar do të jetë një sipërmarrës serial, dhe investitor mjaft i suksesshëm, BayBars Altuntas. Ka drejtuar një sërë projektesh globale dhe është dekoruar nga Organizata Europiane e Tregtisë së Engjëjve të Biznesit(ETABA) si sipërmarrësi më i mirë. Ai është i vetmi sipërmarrës i cili ka mbajtur një prezantim me një audiencë të veçantë si Presidenti Obama gjatë Samitit të Sipërmarrjes në Washington. Ky Samit cilësohet si takimi më i rëndësishëm i shekulli 21 për sipërmarrjen. Librat Baybars Altuntas janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme ku secili prej tyre ka rezultuar një “best seller”. Në moshën e tij Universitare ai ka qenë pjesë e 40 biznesmenëve më të suksesshëm në Turqi. Ka investuar në një numër të konsiderueshëm startup-esh. Libri i tij, “Rruga drejt Suksesit: Ngritja juaj në sipërmarrje” ka garantuar suksesin e mijërave individëve në jetët e tyre të përditshme. Më shumë se 100 mijë njerëz kanë gjetur tek ai inspirim gjatë konferencave të prezantura. Altuntas është aktualisht ambasador në Forumin Botëror të Sipërmarrjes për Ballkanin dhe Turqinë si dhe mban një diplomë pranë Universitetit të Bosforit në Turqi.

Baybars Altuntas do të vijë në Tiranë së bashku me një delegacion investitorësh nga Angel Investors dhe qëllimi i tyre është të investojnë në 5 Starup-e në Shqipëri.

Startup Grind Tirana

Startup Grind Tirana ka organizuar gjer tani plot gjashtë takime. Takimi i parë pati të ftuar Gentian Likaj, CEO i Communication Progress. Më pas ishte rezervuar një prezantim me një sipërmarrës kosovar mjaft të suksesshëm si Alejtin Berisha. Të ftuar të tjerë ishin: Lindita Shomo CEO e EasyPay, Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska, Ludvic Laventure CEO i MPay, Romeo Sherko CEO dhe themelues i portalit IKUB. Takimi i radhës me Baybars Altuntas është i katërti për këtë vit.

Startup Grind Tirana si gjithmonë vjen me mbështetjen e Google, dhe iniciativës së saj Google for Enterprenuers. Takimi në Tiranë do të mbahet më datë 26 Maj pranë Universitetit Marin Barleti. Prezantimi do të fillojë në ora 17:30 për tu përmbyllur në ora 19:30. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>