Lajmet

Më 29 mars do të organizohet në Gjakovë konferenca BarCamp #7

Mar 27 2014
0 Shpërndarje
Më 29 mars do të organizohet në Gjakovë konferenca BarCamp #7

barcampgjakovaTë shtunën më 29 mars do të mbahet në Gjakovë konferenca jozyrtare BarCamp Gjakova #7 në DEL House. Ajo organizohet nga Komuniteti Aktiv Qytetar (KAQ) dhe mbështetet nga IPKO Foundation. Në të do të marrin pjesë folës të cilët do të referojnë mbi tema mjaft interesante duke ndarë me të pranishmit përvojën e tyre.

Ndër folësit që do të diskutojnë mbi tema të ndryshme do të jenë Emanuel Bajra, i cili ka kryer studimet parauniversitare dhe ato universitare me rezultate të larta në Britaninë e Madhe. Ai është i angazhuar momentalisht pranë zyrës për ekonomi, politika monetare e stabilitet financiar në Bankën Qëndrore të Anglisë në një projekt profesional me temën “ Shtypja e parasë dhe ndikimet e saj në nivelin e papunësisë dhe varfërisë ne Mbretërinë e Bashkuar”. Ai është gjithashtu i punësuar në “Lloyds Banking Group”, me qendër në Londër. Një prej hobeve të tij është leximi i librave, një pasion që ai e ka kultivuar prej vitesh dhe si rezultat, numëron në bibliotekën e tij personale mbi dy mijë libra që datojnë prej shekullit XIV. Ai do të flasë të shtunën mbi temën “E ardhmja e sistemit bankar dhe Interneti”.

Alejtin Berisha, drejtor ekzekutiv i Kolegjit Universum, anëtar i bordit në European Higher Education Society, bashkëpunëtor në Institutin Steinhardt për Politika të Arsimit të lartë në New York University do të flasë mbi rolin e universiteteve në krijimin e ekosistemit të sipërmarrjes. Ai është sipërmarrës dhe bashkëthemelues i iziSurvey.com si dhe drejtor menaxhues për i Wilson Learning Kosovën dhe Shqipërinë. Halil Radogoshi, Drejtor Strategjik në Dovela QM, kompani franceze e cila është e specializuar në menaxhimin cilësor dhe inteligjencën në biznes, është përgjegjës për vlerësimin e rreziqeve dhe mundësive globale për kompaninë. Deri vitin e kaluar, Radogoshi ka punuar në Geneva International Center for Humanitarian Demining (GICHD), si konsulent senior për menaxhimin e Sistemit të Informacionit. Përvoja e tij 15 vjeçare do të jetë padyshim një udhërrëfyes i vlefshëm për të pranishmit në Barcamp, ku ai do të flasë mbi sfidat për sipërmarrësit e rinj në Kosovë. Barcamp Gjakova mbulohet mediatikisht edhe nga PCWorld Albanian. Për të gjithë interesuarit që dëshirojnë të kenë më shumë informacione rreth BarCamp Gjakova, mund të vizitojnë fanpage-n zyrtar: https://www.facebook.com/BarCampGjakova. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>