Lajmet

Me 30 janar organizohet eventi Pacinno Startup Investment Conference në Universitetin e Tiranës

Jan 30 2015
0 Shpërndarje
Me 30 janar organizohet eventi Pacinno Startup Investment Conference në Universitetin e Tiranës

PACINNO imgUniversiteti i Tiranës në bashkëpunim me PACINNO (Platform for trans-Academic Cooperation in Innovation), një projekt ndërkombëtar i financuar nga IPA Adriatic Cross-border Cooperation Programme, do të mbajë në datë 30 janar ora 16 pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës eventin “Pacinno Startup Investment Conference”.

Projektet inovatore me potencial të lartë zhvillimi, preferuar nga fusha e teknologjisë së informacionit (TIK) do të jenë targeti kryesor i kësaj konference. Nga Universiteti i Tiranës janë përzgjedhur 7 projekte të cilat esencialisht janë ide të zhvillimit teknologjik apo kompanive të reja. Këto ide do të vijnë të prezantuara nga: Easy Travel (Enri Dervishi, Ardit Dine), AmaKids (Engjëll Rraklli, Anisa Kadareja, Altin Kadareja, Aldo Biturku), Doktoriim.com (Arbër Rrapi, Remand Gaziu), E-travel (Marsel Omeri, Serxhio Daci), Pickup Tirana (Ardit Gavani, Ariol Sallaku), Design by Pana (Pezana Rexha), FindIt.al (Bledar Bregu).

Këto grupe të përzgjedhura, fillimisht kanë zhvilluar një trajnim më datë 29 janar, nga i cili ata kanë marrë pikëpamjet e nevojshme për një prezantim sa më të mire dhe të plotë në konferencë. Një trajnim i cili shënoi seksionin e fundit të një cikli modulesh për starup-et, i mbajtur nga Hekovnik Startup School, një shkollë kjo e mirënjohur në fushën e startup-eve dhe inkubatorëve të biznesit në Slloveni.

“Pacinno Startup Investment Conference” zhvillohet në të gjitha vendet partnere si Italia, Sllovenia, Greqia, Mali i Zi, Bosnje&Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria. Dy projektet më të mira nga secili vend do të plotësojnë kornizën me 16 ekipet më të mira, por eksperienca e tyre nuk përfundon këtu. Këta 16 ekipe do të bëhen pjesë e Konferencës Rajonale të Investimeve në Korfuz, pra dy fituesit e vendeve të para të “Pacinno Startup Investment Conference” do të kenë mundësinë e artë të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin e startupeve fituese të rajonit.

Një mundësi tjetër që do t’u jepet fituesve shqiptarë në konferencën në Korfuz do të jetë krijimi i bashkëpunimeve, kërkimi i investitorëve si dhe ajo do mund të shërbejë si një trampolinë e shkëlqyer për zgjerim si në tregun vendas ashtu edhe në atë rajonal. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>