Siguri

Menjanimi i transmetuesve ilegal në Kosovë, përcillet me incidente

Apr 24 2010
0 Shpërndarje
Menjanimi i transmetuesve ilegal në Kosovë, përcillet me incidente

Autoriteti Rregullativ i Kosovës e quan të përfunduar aksionin për mënjanimin e transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë. Drejtuesi i këtij organi, Ekrem Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se ART-ja gjykon se është arritur efekti i duhur.

“Ka vazhduar dhe ka përfunduar para gjysmë ore (13:30) në gjithë Kosovën. Pra, në gjithë Kosovën ka përfunduar ky aksion dhe të hënën do të dalim me komunikata”, tha Hoxha, duke mos dhënë detaje se sa stacione bazë të këtyre transmetuesve janë larguar.

Një ditë më parë, ART-ja ka bërë të ditur se janë hequr 14 stacione bazë të këtyre transmetuesve, jo vetëm në Prishtinë, por në nivel të Kosovës.

Ekrem Hoxha bëri të ditur se ART-ja do të monitorojë për një periudhë të caktuar situatën në terren. “Do të bëhet monitorim aktiv njëmujor për efektet, eventualisht sinjalin e mbetur dhe fuqinë transmetuese, dhe nëse ka nevojë, do të vazhdohet me aksionin.

“Ne gjykojmë se është arritur efekti i duhur. Aksioni mbetet i hapur; po qe se paraqitet nevoja, nëse ka rivendosje apo ka sinjal, do të vazhdojë”, tha Hoxha

Në anën tjetër Gazeta Express ka bërë të ditur se persona ende të panjohur kanë dëmtuar, gjatë natës së mbrëmshme transmetuesin e telefonisë mobile të kompanisë IPKO, në veri të Kosovës. Antena e kësaj kompanie, që ndodhet në Rudar të Vogël të Zveçanit, është dëmtuar në mes të ditës së premte dhe ditës së shtunë.

IPKO ka deklaruar për Express se antena do të rikthehet brenda ditës në funksion. Alban Kastrati, zëdhënës i IPKO-s, ka thënë se për detajet, opinioni do të njoftohet të hënën.

“Incidenti është regjistruar rreth orës 3:30 të mëngjesit të sotëm në fshatin Rudar i Vogël të Zveçanit. Policia e ka marr njoftimin që ka pasur një shpërthim, nga i cili nuk ka pasuar askush, ndërsa çfarë dëme i ka shkaktuar transmetuesve atje ne nuk i kemi përcaktuar, sepse ekspertët do të merren me të. Momentalisht nuk ka të arrestuar, por policia beson që ky akt sigurisht që është çështje e kundërpërgjigjes pas aksionit të ndërmarrë nga ART-ja gjatë ditës së djeshme për shkyçjen e operatorëve ilegal në Kosovë”, ka deklaruar Besnik Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Mitrovicë për Express.

Ndërsa sipas një shkrimi të botuar sot në Kohën Ditore, Mënjanimi i antenave të disa transmetuesve të telefonisë së Serbisë në disa pjesë të Kosovës ka aktivizuar pjesëtarët e Mbrojtjes Civile serbe në veri të Mitrovicës,

Pjesëtarë të kësaj strukture paralele të sigurisë, të premten, në orët e hershme të mëngjesit janë vënë në gatishmëri për të mbrojturat antenat e telefonisë serbe, shkruajnë burime të kësaj gazete.

Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin dhe ka ritheksuar se është e përkushtuar për vendosjen e ligjit në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës.

“Veprimet e dhunshme ndaj operatorëve të autorizuar dhe të licencuar të telefonisë mobile, nga kushdo që bëhen ato, janë veprime kriminale, që cenojnë rendin dhe ligjin dhe si të tilla janë të dënueshme”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Lajmet e fundit>