Lajmet

Menuja Start mund të rikthehet në Windows

Dec 11 2013
0 Shpërndarje
Menuja Start mund të rikthehet në Windows

Mesa duket Microsoft po përgatit ndryshime të rëndësishme për versionin e ardhshëm të Windows.

Sipas një raportimi kompania ka në plan të rikthejë menunë Start si një opsion në lançimin e ardhshëm madhor të sistemit Windows të njohur me emrin e koduar “Threshold”.

Ndryshimi i menusë Start do të jetë pasues i rikthimit të butonit Start në Windoes 8.1. Nuk është ende e qartë nëse menuja Start do të jetë e disponueshme për të gjithë versionet e Windows Threshold madje, ka mundësi që të shfaqet si opsion vetëm për ato versione që suportojnë vetëm aplikacionet desktop.

Në listën e përditësimeve të “Threshold” pritet të përfshihet edhe opsioni i ekzekutimit në desktop të aplikacioneve të dizajnuara për Windows 8. Në versionin e ardhshëm të Windows pritet që këto lloj aplikacionesh të ekzekutohen si dritare të veçanta në desktop.

Tashmë ky funksionalitet mundësohet nga mjetet e palëve të treta si për shembull Stardox’s ModernMix, por mesa duket Microsoft do t’a shtojë si pjesë të sistemit për të ofruar më tepër fleksibilitet për aplikacionet e reja.

Përsa i përket përditësimit madhor “Threshold”, agjencia e lajmeve ZDNet ka raportuar se Microsoft po përpiqet të ofrojë një version të thjeshtuar të sistemit Windows për përdoruesit, përfshirë këtu një version të fokusuar në aplikacionet e dizajnuara për Windows 8 që përditësohen vazhdimisht dhe do të jetë i disponueshëm për të gjithë kompjuterët personalë, tabletët dhe smartfonët Windows që kanë në ndërtimin e tyre proçesorë ARM.

Për tregun aktual të kompjuterëve personalë do të dizajnohet një version më tradicional i cili do të ofrojë suport të plotë për aplikacionet ekzistuese desktop.

Në një version të veçantë për bizneset do të përfshihet menaxhimi i politikave dhe funksionalitetet tipike për bizneset që priten, por nuk do të përditësohet aq shpesh sa versioni i konsumatorëve.

Microsoft Windows Threshold pritet të debutojë në pranverë të vitit 2015. (PCWorld Albanian)

windowsbluestock_large_verge_medium_landscape

Lajmet e fundit>