Lajmet

Merrni pjesë në olimpiadën shqiptare online të matematikës

Sep 24 2013
0 Shpërndarje
Merrni pjesë në olimpiadën shqiptare online të matematikës

Më 6 tetor është planifikuar që të mbahet një olimpiadë e matematikës në forumin MinistryofMath.info.

Mbase nga emri në anglisht mund të fitoni përshtypje që po bëhet fjalë për ndonjë seksion të ndonjë forumi anglisht, por që kanë mundësuar përdorimin e shqipes, por nuk është ashtu. Ky forum është nisur dhe mirëmbahet nga shqiptarët dhe është i tëri në shqip, nga një komunitet i vullnetarëve të interesuar në lëndën e matematikës.

Para dy viteve kemi shkruar një artikull për komunitetin shqiptar online të matematikës, komunitet ky i cili e ka gjetur veten mjaft mirë në forumin MinistryofMath, ku është bërë zbulimi i talenteve të rinj të matematikës, të cilët kanë arritur të marrin çmime nderi në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, si për shembull Petrit Avdylaj, Valdrin Sherifi, Besart Kodraliu dhe Arbër Selimi.

Në po këtë forum është planifikuar që të mbahet një olimpiadë online, ku më 6 tetor pritet të bëhet postimi i 4 detyrave, ku njëra prej tyre pritet të jetë e nivelit të lehtë, 2 detyra të jenë të nivelit të mesëm, ndërsa 1 detyrë të jetë e nivelit të vështirë.

Gara pritet të fillojë në ora 9:00 në mëngjes dhe pritet të përfundojë pas 4 ose 5 orësh sa janë në dispozicion. Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë, por si fitues mund të shpallen ata që janë në shkollë fillore ose të mesme. Për fituesit do të ketë shpërblime, sipas radhitjes, ku vendi i parë pritet të marrë 3 libra, vendi i dytë 2 libra, ndërsa vendi i tretë pritet të shpërblehet me 1 libër.

Ata që duan të marrin pjesë duhet të regjistrohen në forumin MinistryofMath dhe të dërgojnë porosi private tek moderatori i këtij forumi Dorlir Ahmeti. Ndonëse mund të duket si një garë e thjeshtë, e cila po organizohet për herë të dytë me radhë, kjo mundësi mund të jetë si një sfidë motivuese dhe përgatitore për ata që kanë ambicie për gara në matematikë. Të gjithë pjesëmarrësve PC World Albanian iu uron suksese. (PCWorld Albanian)

Ministry of Math

Lajmet e fundit>