Ja se si

Mësoni të zotëroni Wolfram Alpha për kërkime online

Apr 2 2010
0 Shpërndarje
Mësoni të zotëroni Wolfram Alpha për kërkime online

Këto të dhëna i mora nga Wolfram Alpha (www.Wolframalpha.com), faqja e re e kërkimit “llogaritëse”. Sigurisht që kjo është një lojë e lezetshme: unë i tregova faqes ku dhe kur kisha lindur dhe ajo prodhoi këto detaje. Por fuqia e saj vjen nga krahasimi i të dhënave në serverët e disponueshëm.

Në vend që të kërkojë faqe të tjera, Wolfram Alpha ka punonjës që fusin dhe shqyrtojnë të dhëna duke përdorur si metoda automatike ashtu edhe manuale. Faqja bën krahasime, mbivendos grafikë të parapërgatitur, krijon grafikë dhe raporte të cilat veçojnë ngjashmëritë apo ndryshimet midis të dhënave dhe ju ndihmon të nxirrni përfundime mbi detaje që intersektohen.

Duhet të mendoni ndryshe për të filluar të hyni në aftësitë e Wolfram Alpha. Këtu janë disa këshilla për të filluar të përdorni këtë mjet të veçantë krahasimi.

Filloni me kërkime të vogla
Megjithëse Wolfram Alfa ka pesë vite që zhvillohet, ajo shpesh keqkupton kërkesa të ndërlikuara. Nëse hasni probleme në tekstin tuaj të kërkimit, filloni me gjëra të vogla. Filloni me kërkimin e një vendi, p.sh. shkruani ‘California’. Mund të shikoni menjëherë se si faqja trupëzon datën aktuale duke theksuar se shteti iu bashkëngjit Unionit më 9 shtator 1850, domethënë (prej qershorit 2009) 158 vite më parë. Më pas merrni një frazë tjetër, e cila do të japë të dhëna krahasuese të intersektuara, si ‘California income’. Mjaft thjesht. Çdo rezultat përfshin një dritare pop-up që tregon origjinën e materialit, në rastin se doni të gërmoni deri në origjinën e informacionit të Wolfram Alpha.

Tani provoni një tjetër frazë me mbivendosje, si ‘California New York income’. Faqja gjeneron një tabelë të thjeshtë e cila krahason të ardhurat e dy shteteve. Po filloni të shikoni potencialin e saj?
Faqja është e re dhe deri tani është e pajisur për t’u përgjigjur vetëm në disa tema. Kështu, një kërkim për ‘San Francisco income’ nuk do të japë rezultate. Nëse e zbërtheni një kërkim deri në thelbin e tij dhe faqja ende nuk ka diçka për t’u përgjigjur, ajo temë e caktuar mund të mungojë totalisht nga baza e të dhënave. Shikoni disa nga shembujt e dhënë (www.Wolframalpha.com/examples/) për të parë nëse ka një temë të ngjashme.

Shihni nëse Wolfram Alpha ju kupton
Pasi jepni një temë kërkimi, Wolfram Alpha jep feedback mbi kuptimin e saj. Nëse futni terma të ngjashme si emra kompanish, rreshti i interpretimit të të dhënave duhet t’i paraqesë të tëra. Nëse po modifikoni një kërkim, si ‘1984 Apple IBM’, interpretimi tregon se jeni duke kërkuar çmimin përfundimtar të mbylljes së bursave për këto dy kompani gjatë gjithë atij viti. Nëse doni një ditë të vetme, rishikoni kërkimin tuaj për diçka si ‘January 24 1984 Apple IBM’.

Përfitoni nga vetëdija e vendndodhjes
Wolfram Alfa di diçka mbi kërkimin tuaj edhe më parë se të shkruani një shkronjë të vetme. Duke përdorur detajet e adresës suaj IP, ajo hamendëson vendndodhjen tuaj, duke bërë të mundur rezultate kontekstuale.
Supozoni se jeni në Austin, Minnesota, dhe po kërkoni informacion për këtë qytet; faqja do t’i raportojë këto rezultate në vend të atyre për Austin, Texas. Megjithatë, dritaret pop-up ju lejojnë të korrigjoni kërkimin në rast se po kërkoni të dhënat për qytetin tjetër – apo nëse doni rezultate për emrin e veçantë “Austin” (meqë ra fjala, nëse takoni dikë me një emër të tillë, ka shumë mundësi që të jetë rreth 15 vjeç). Vendndodhja luan gjithashtu rol në kërkime të tjera, nëse shkruani ‘7-4-2009’ brenda Shteteve të Bashkuara, struktura e kërkimit do ta trajtojë numrin ‘7’ si muaji korrik. Nëse jeni në Evropë, Wolfram Alpha do ta konsiderojë 4-ën si muajin prill.

Qëndrojuni fakteve
Anoni nga tema të cilat mund të zbërthehen në fakte: popullsi qytetesh, të dhëna shtëpish kinematografike apo statistika mbi vizitorët e faqeve web për shembull Wolfram Alpha llogarit në terma faktikë. Por shikoni shiritin anësor me linqe jashtë faqes; për më shumë tregimtari mund të kërkoni në faqe të tjera si wikipedia.

Eksportoni rezultatet e faqes në Excel
Rezultatet e Wolfram Alpha janë mbresëlënëse në një faqe interneti, por nuk konvertohen lehtësisht në një faqe Excel apo përmbajtje për database. Mjeti i disponueshëm aty eksporton vetëm në formatet Live Mathematica dhe PDF (klikoni linqet e shkarkimit në pjesën e fundit djathtas të rezultateve që të mund të merrni dokumentet e kërkuara).
Edhe të dhënat e tekstit paraqiten si imazhe, kështu që as nuk mund të kopjoni të dhënat e qelizave për t’i hedhur ato në Excel. Mundet përkohësisht t’i ktheni imazhet në tekst, por nëse e bëni, ato do të humbasin formatimin e tyre qelizor. Bëjeni sidoqoftë – do t’ju tregoj se si të hidhni të dhëna në Excel.

Hidhni tekstin në Word. Përdorni ‘Find and Replace për të kthyer karakteret  | në tabe: klikoni butonin ‘Replace’ në pjesën e sipërme djathtas dhe futni karakterin | në fushën e kërkimit. Futni ^t në  fushën e zëvendësimit dhe klikoni Replace All.

Kopjoni tekstin sërish dhe hidheni në Excel. Automatikisht ai do të vendoset nëpër qeliza. Nëse përdorni një database apo spreadsheet tjetër, së cilës i mungon ky tipar, importoni dokumentin me tabe, pothuajse të gjitha programet njohin thyerjet e tabit.

Wolfram Alpha Professional ka eksport të drejtpërdrejtë për në Excel. Një zëdhënës më tha se versioni me pagesë “do të jetë i disponueshëm brenda pak muajsh”, me një çmim ende për t’u përcaktuar. Një tjetër opsion i variantit Professional do të jetë aftësia për të kryqëzuar të dhënat tuaja personale me ato të kërkimit.

Zgjidhni shprehje matematikore
Meqë është ndërtuar mbi Mathematica (find.pcworld.com/63284), një tjetër mjet llogaritës, Wolfram Alpha është një ndihmë e shkëlqyer në matematikë. Ajo kupton shumë ekuacione dhe terma nga matematika, kimia, inxhinieria, fizika dhe shkenca të tjera. Provoni të shkruani vlera si ‘1, 2, 3, 5, 8, 13…’ (me atë hapësirë dhe tri pikat) dhe mjeti do të prodhojë një grafik me pikat dhe do të ofrojë sugjerime mbi burimin e ekuacionit.

Krahasoni rezultate mjekësore
Duke përdorur të dhënat e saj mjekësore dhe socio-ekonomike, Wolfram Alpha mund të ofrojë të dhëna të vlefshme mjekësore. Filloni me një kërkesë të thjeshtë, ‘cholesterol 153’ (theksojmë se ndërkohë që shkruam ‘153 cholesterol’ nuk funksionoi, një tjetër shembull i kuptimit të kufizuar të sistemit të kërkimit). Rezultati paraqet shpërndarjen në popullsinë e SHBA-ve. Shtoni gjininë dhe moshën për rezultate më të detajuara.

Gjeni përmbajtjen e ushqimeve
Në database ruhen gjithashtu detaje për ushqimet. Kërkoni për ‘banana’ dhe do të merrni rezultate të plota mbi përmbajtjen dietetike të bananes. Por provoni të kërkoni me ‘2 bananas and 0.5 snickers bars’ për rezultate që mbledhin të dyja vlerat. Vini re se operatori ‘and’ është mjaft i rëndësishëm në këtë rast. Pa të, mekanizmi do të interpretojë se po kërkoni një krahasim dhe jo përmbajtjen.

Eksploroni dhe eksperimentoni
Wolfram Alpha katalogon edhe më shumë tema të tjera si (në një renditje të çfarëdoshme), astronomi, teori ngjyrash, muzikë dhe konvertime njësish. Thjesht luani duke përdorur fjalë për të kërkuar në fusha ku ju intereson të zgjeroni njohuritë. Nëse keni vështirësi, konsultoni prezantimin video të faqes (find.pcworld.com/63285) për të parë shembuj.

Lajmet e fundit>