Biznes

Microsoft blen rrjetin social Yammer

Jun 26 2012
0 Shpërndarje
Microsoft blen rrjetin social Yammer

Pas shumë thashethemeve, Microsoft më në fund konfirmoi se ka blerë rrjetin social Yammer për 1.2 miliardë dollarë. Microsoft shpreson se blerja e Yammer do të tërheq më shumë konsumatorë.

Ky rrjet social, që është aktiv në treg për mëse 4 vjet ka rreth 5 milionë përdorues, dhe operon sikurse Facebook për komunikim brenda kompanive. PCworld Albanian kishte raportuar se këto dy kompani ishin në bisedime për një marrëveshje, por Microsoft nuk e konfirmoi këtë deri ditën e hënë. Yammer përdoret nga disa kompani të mëdha si gjiganti i veturave Ford dhe kompania për shërbime biznesore Deloitte.

Microsoft shpreson se kjo blerje do ta bëjë gamën e saj të produkteve softuerike më tërheqëse. Vitin e kaluar Microsoft e bleu Skype dhe është duke e integruar atë në produktet e veta, përfshirë edhe softuerin e saj Office i cili kontribuoi me 60% të të ardhurave të kompanisë gjatë vitit të kaluar. Yammer planifikohet të vazhdoj me ofrimin e shërbimeve të veta në mënyrë të njëjtë sikurse deri më sot.

Shefi ekzekutiv i Yammer David Sacks tha: “Kur ne filluam me Yammer para katër viteve, ne u përcaktuam të bëjmë diçka të madhe”.

“Ne kishim një vizion se si rrjetet sociale mund ta ndryshonin mënyrën se si punojmë. Bashkimi me Microsoft-in do ta përshpejtojë atë vizion dhe do të na jep çasje në teknologjitë, ekspertizat dhe burimet që na nevojiten për rritje dhe inovacion”, shtoi në fund Sacks. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>