Lajmet

Microsoft dhe ICTSmedia organizuan në Tiranë eventin DigiGirlz për inkurajimin e vajzave në fushën e ICT-së

Mar 28 2018
0 Shpërndarje
Pjesa e parë e eventit u përqëndrua tek të ftuarit e panelit të cilët u bënë pjesë e këtij organizimi duke ndarë me pjesëmarrësit eksperiencën e tyre në ICT. Të ftuarat ishin tre femra të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fushës së teknologjisë në vend edhe në rajon. Microsoft dhe ICTSmedia organizuan në Tiranë eventin DigiGirlz për inkurajimin e vajzave në fushën e ICT-së

Dje pasdite u organizua eventi DigiGirlz pranë Universitetit Politeknik të Tiranës i cili kishte si qëllim përfshirjen dhe nxitjen e vajzave në fushën e ICT. Ky event u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të ICTSmedia dhe Microsoft, me mbështetjen e iniciativës rinore Code in Rose.

DigiGirlz është një program për të rinjtë i krijuar nga Microsoft në mënyrë që të njohë vajzat e shkollave të mesme e të larta me mundësitë e reja që u ofrohen në fushën e teknologjisë. Me një pjesëmarrje dhe interes mjaft të lartë nga vajzat ky event përfshiu nxënëse të shkollave të mesme të Tiranës dhe gjithashtu të shkollave profesionale në qytetet e tjera të vendit. Pjesëmarrje të lartë pati edhe nga studente të degës së informatikës dhe shkencave elektronike.

Pjesa e parë e eventit u përqendrua tek të ftuarit e panelit të cilët u bënë pjesë e këtij organizimi duke ndarë me pjesëmarrësit eksperiencën e tyre në ICT. Të ftuarat ishin tre femra të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fushës së teknologjisë në vend edhe në rajon.

Linda Shomo, përfaqësuese e kompanisë EasyPay, foli mbi përvojën e saj duke motivuar vajzat në vazhdimin e zgjedhjes që ato kanë bërë. “E ardhmja është teknologjia dhe digjitalizimi, në 2020 shumë profesione do të zhduken dhe do të zëvendësohen nga informaticienë, programues e zhvillues, prandaj duhet të punoni fort” – u shpreh ajo.

Një femër tjetër mjaft e suksesshme, historia e së cilës ngjalli mjaft interes tek pjesëmarrëset, ishte edhe Anila Hoxha, e cila mban rolin e Drejtoreshës së Sigurisë në bankën Raiffeisen.  Anila rastësisht kishte zgjedhur të studionte për shkenca kompjuterike dhe më pas kishte kuptuar që ishte profesioni më i dashur për të. Paneli përfaqësohej edhe nga Alborita Mehana, përfaqësuese e Girls Coding Kosova, duke ndarë me vajzat përvojën e saj në fushën e programimit dhe kodimit.

Aktiviteti vijoi me prezantime të ideve inovative nga vajzat pjesëmarrëse ku spikatën mjaft ide interesante, disa prej të cilave ishin në fazë implementimi. Ideja fituese e cila u përzgjodh nga vetë vajzat ishte Albatrack dhe konsistonte në krijimin e një platformë turizmi ku të përfshiheshin të gjitha ofertat dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri duke i ardhur kështu në ndihmë turistëve.

Ide të tjera mjaft interesante ishin C-Girls, website për nxitjen e vajzave në zgjedhjen e IT si profesion dhe lidhjen e tyre me tregun e kësaj fushe, Motivo.com, SHIP IT etj. Grupit me idenë fituese iu dha mundësia e një vizite pranë zyrave të Microsoft në Tiranë ku do të mund të shikonin dhe njiheshin më nga afër me mundësitë që jep kjo kompani. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>