Harduer

Microsoft-i po punon për një version të ri të pajisjes Xbox Mini

Nov 24 2012
0 Shpërndarje
Microsoft-i po punon për një version të ri të pajisjes Xbox Mini

Me gjeneratën tjetër të konsolës së lojërave Xbox, Microsoft-i mund t’i ketë vënë syrin një pajisjeje më të vogël në përpjekje për të hyrë në biznesin e TV me një Xbox Mini, që pritet të dalë në vitin 2013.

Sipas Verge, e cila citon “burime të ndryshme pranë kompanisë në Redmond”, Microsoft-i është duke punuar për një version të pajisjes së saj popullore që mund të lidhet me televizorin dhe që do të konkurrojë me liderët e këtij tregu, Apple dhe Roku.

Strategjia e Microsoft-it në krijimin e Xbox “Mini” është që të forcojë pozitën e saj në dhomat e ndenjjes së klientëve duke u ofruar një pajisje me çmim ekonomik e cila u mundëson të kenë akses në shërbimet kryesore të argëtimit si dhe në lojëra. Ende nuk janë përmendur çmime, ndërkohë që dihet se produktet e tilla nga Apple kushtojnë 99 $, kurse Roku ofron pajisje me 50 $.

Xbox Mini do të jetë një pajisje përherë në punë, ka shkruar raportuesi i Verge, Tom Warren, dhe arkitektura e saj do të jetë një miniaturë e Xbox të gjeneratës tjetër. Duket se Microsoft-i po përpiqet të bëjë me Xbox atë që bëri me Windows 8: që të lidhë të gjitha platformat – desktop, laptop, telefona dhe tabletë.

Sipas Warren, Microsoft-i mund të kombinojë sistemin e Xbox të ri me qëllim që shërbimet e Xbox Live mund të përdoren edhe në një pajisje dore, si për shembull një pajisje dore që funksionon me Windows Phone.

Kompania Microsoft në lidhje me planet e saj të ardhshme ka thënë: “Ne mendojmë gjithnjë për platformën tonë të ardhshme dhe se si të vazhdojmë të sfidojmë konvencionin e ciklit jetësor.”

Mundësia e një Xbox Mini megjithatë ngre disa pikëpyetje. Për shembull, çfarë nënkupton kompania me lojëra “kazuale“? Edhe pse kuptohet që një pajisje që lidhet me televizorin mund të mos jetë për lojtarë që luajnë lojën Halo, “kazuale” mund të jetë një klasifikim shumë i papërcaktuar.

Microsoft prezanton aplikacionin My Xbox Live për Android

Një pajisje e tillë do të hyjë në rangun e Xbox Live, e cila ofron tashmë shërbime argëtuese, si Hulu Plus dhe Netflix krahas lojërave online. A duhet të ndryshojë çmimi i Live, tashmë te 60 $, për të ruajtur vlerën e propozimit për pajtimtarët e saj?

Ky Xbox do të dalë në treg në periudhën e festave në vitin 2013, së bashku me një tjetër gjeneratë të “vëllait” të tij të madh. Edhe pse Microsoft-i nuk ka nxjerrë ndonjë detaj për Xbox e radhës, dokumentet e bëra publike në internet i kanë bërë entuziastë fansat e Xbox.

Veçoritë që përfliten janë:

• 8 GB RAM standarde, katër porte USB

• Përkrahje për “Kinect 2.0”, e cila pritet të përkrahë lëvizjet e lehta të gishtave dhe të pikasë deri në katër lojtarë në një dhomë.

• Syze më të mira

• Zë 3D për ta projektuar zërin në pjesë të caktuara të dhomës.

• Përkrahje për video Blu-ray.

• Kontrollues të ri me ekran me prekje ose butona të programueshëm.

• Veçori “always on” për akses çasti në të gjitha funksionet.

Krahas kësaj, Microsoft-i mund të hedhë në treg edhe shërbimin e vet në re për lojëra, që do të përkrahë lojërat në disa platforma : kompjuterë, telefona dhe tabletë. (PCWorld Albanian)

Tags >

xbox
Lajmet e fundit>