Lajmet

Microsoft: Numri i malware-ëve për Windows XP do të rritet në muajt e ardhshëm

Nov 3 2013
0 Shpërndarje
Microsoft: Numri i malware-ëve për Windows XP do të rritet në muajt e ardhshëm

Microsoft-i vazhdon të tërheqë vëmendjen e konsumatorëve që përdorin ende sistemin Windows XP, për të hequr sa më shpejt dorë prej tij duke qenë se suporti do të përfundojë më 8 prill 2014.

Kjo do të thotë se numri i malware-ëve që do të targetojnë XP-në do të rritet drastikisht në atë periudhë dhe sipas vlerësimeve të kompanisë, mund të shënohet një rritje prej 67%.

“Pas përfundimit të suportit, sulmuesit do të kenë avantazhe mbi përdoruesit që vazhdojnë të përdorin XP-në.

Pas prillit të vitit tjetër, ata do të përpiqen të gjejnë përmes inxhinierimit të kundërt se si janë bërë rregullimet e fundit të sigurisë dhe do të tentojnë të gjejnë dobësi në to dhe në gjithë sistemin në përgjithësi. Nëse ia arrijnë qëllimit, atëhere mund të bëjnë gjithçka me kompjuterin tuaj,” shprehet Tim Rains, drejtor i Microsoft Trustworthy Computing Group.

Ai vazhdon shpjegimin duke thënë se: “Ne kemi krijuar një ide tashmë se çfarë mund të ndodhë pasi Windows XP të mos suportohet më.

Brenda dy viteve që Service Pack 2 doli nga suporti, infektimi me malware u rrit me 66% krahasuar me Service Pack 3 – versioni i fundit i suportuar i XP-së.” Suporti për Service Pack 2 përfundoi në qershor 2010, rreth dy vite pas daljes së Service Pack 3.

Edhe pse ndalimi i suportit mund të mos jetë i vetmi shkak i infektimit të kompjuterëve me Service Pack 2, analizon Rains, ai është patjetër kryesori.

Një arsye tjetër mund të jetë edhe mospërditësimi i programeve të tjera të instaluara në kompjuter.

Kohët e fundit, Microsoft-i po ve gjithmonë e më në dukje rreziqet që i kanosen konsumatorëve që do të vazhdojnë të përdorin sistemin pas prillit të vitit të ardhshëm.

Kjo për arsyen se XP vazhdon të mbetet sistem mjaft i përhapur, pavarësisht vjetërsisë së tij (lançuar në vitin 2001). (PCWorld Albanian)

windows_xp_logo-100032392-large

Lajmet e fundit>