Lajmet

Microsoft pranon që ka zbuluar të dhëna të përdoruesve për qeverinë indiane

Mar 25 2013
0 Shpërndarje
Microsoft pranon që ka zbuluar të dhëna të përdoruesve për qeverinë indiane

Ndërmarrje të ndryshme dhe veçanërisht ato të mëdha marrin kërkesa të shumta nga qeveritë që të bëhet zbulimi i identitetit të personave të caktuar në mënyrë që të njihet realisht shkelësi i ndonjë rregulli në një shtet të caktuar.

Kjo ndodhi me gjigantin softuerik Microsoft, që gjatë vitit 2012 mori 400 kërkesa nga qeveria indiane për zbulim të afro 600 përdoruesve dhe llogarive. Nga këto kërkesa, Microsoft-i përmbushi 370 (ose 88.5%), kërkesa që rezultuan në të dhëna të zbuluara të abonentit/transaksionuesit.

Sidoqoftë, ndërmarrja tha që nuk kishte zbatuar ndonjë kërkesë që do të rezultonte me ofrimin e përmbajtjes së saktë. “Ne besojmë që kemi një përgjegjësi për të respektuar të drejtat e njeriut dhe principet e shprehjes së lirë dhe privatësisë. Si pjesë e kësaj, ne jemi duke ofruar informacione në kërkesat për zbatim të ligjit të cilat i marrim për të dhënat e konsumatorëve,” tha ndërmarrja në uebfaqen e vet.

Kjo është hera e parë që ndërmarrja Microsoft është duke zbuluar informacione të tilla dhe planifikon që ta bëjë këtë gjë në një bazë të vazhdueshme përgjatë asaj që e quan “Raporti për Kërkesat për Zbatim të Ligjit”.

Sipas raportit nga kjo ndërmarrje, në mesin e përmbajtjes së zbuluar përfshihen titulli ose trupi i një e-maili, fotografitë e ruajtura në SkyDrive, informacionet për librin e adresave dhe kalendarëve. Informacionet jo të përmbajtjes, që ishte shpërndarë kryesisht me qeverinë indiane, mund të përfshinte edhe emrin e përdoruesit, adresat e faturimit dhe historinë e IP-ve përveç të tjerash.

Siç dihet, Skype është tashmë pronë e ndërmarrjes Microsoft, ku edhe për këtë produkt kjo ndërmarrje ka marrë 53 kërkesa për të zbuluar të dhëna nga 101 llogari gjatë vitit 2012 , por asnjëra nga këto kërkesa nuk kishte marrë përgjigje pozitive.

Të gjitha produktet dhe shërbimet e ndërmarrjes Microsoft që janë përfshirë në këtë raport janë Hotmail, Outlook.com, SkyDrive, MicrosoftAccount dhe Office 365. (PCWorld Albanian)

Microsoft

Lajmet e fundit>