Biznes

Microsoft sulmon Google Shopping me reklamën “Scroogled”

Dec 7 2012
0 Shpërndarje
Microsoft sulmon Google Shopping me reklamën “Scroogled”

Microsoft-i është i drejtpërdrejtë me sulmet ndaj Google kur vjen puna te reklama për motorin e vet të kërkimit Bing.

Kompania ka hedhur në internet një reklamë të titulluar “Scroogled”, (që është kombinim i fjalëve screw dhe gogole dhe do të thotë marrje e rezultateve të gabuara gjatë kërkimit në google), për të tërhequr vëmendjen te sistemi paguaj-për-të luajtur në Google Shopping. “Sigurisht, ata thonë se kërkimi juaj klasifikohet në bazë të rëndësisë, por e vërteta është se Google i shet rezultatet e shopingut”, thuhet në videon që mund të shihet në scroogled.com. “Ata ju keq informojnë duke e përkufizuar relevancën në varësi të parave që u jepni.”

Natyrisht që fushata rekomandon motorin Bing si një kërkim pa hile.

Google Shopping, që dikur quhej Google Product Search, më parë i vendoste emrat e firmave tregtare falas, por kompania e ndryshoi këtë në muajin maj duke kaluar në listime vetëm me pagesë dhe nisi ta bënte këtë tranzicion në muajin tetor, sipas Search Engine Land. Pagesa është njëri nga disa faktorë që përdoren në renditjen e rezultateve të kërkimit; kur ju klikoni në një produkt, të gjitha linket në faqet ku mund të blini produktin janë të sponsorizuara.

Por edhe Bing liston disa firma me pagesë, të marra nga shopping.com. Stefan Weitz, drejtor i Bing, thotë se Bing përfshin edhe listime falas edhe me pagesë, por nuk i rendit tregtarët sipas pagesës. Bing gjithashtu nuk i lejon tregtarët të ofrojnë më shumë për të marrë një renditje më të lartë. Google, në anën tjetër, i jep rëndësi pagesave në rezultatet e saj të kërkimeve.

Me fjalë të tjera, qasja e Bing duket më e pastër sesa ajo e Google, por edhe Bing nuk u thotë klientëve se cilat rezultate vijnë nga listimet e paguara. Asnjëra palë nuk është aq e pastër sa dëshiron t’ju bëjë të besoni.

Thoni ç’të doni për këtë ndryshim të bërë nga Google, por ia vlen të thuhet se as Bing nuk është tërësisht e sinqertë në atë që thotë, Edhe pse tregtarët mund të influencojnë në renditjen e tyre duke paguar për disa fjalë kyçe, nuk është pagesa ajo që garanton e vetme një vend të artë në renditje, sipas Search Engine Land.

Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se Google është larguar nga rrënjët e saj, kur refuzonte të merrte para për të përfshirë firma të caktuara në rezultatet e kërkimit dhe jo vetëm për Google Shopping. Kur përdoruesit pyesin motorin kryesor të kërkimit të Google për informacione mbi një fluturim të caktuar, marrin disa sugjerime, disa prej të cilave janë të sponsorizuara nga kompanitë ajrore.

Në të vërtetë dallimi mes kërkimi të pastër dhe atij të paguar duket se po zbehet te Google dhe Microsoft-i ka të drejtë ta theksojë këtë gjë. Por ajo që të bën për të qeshur me sulmin e reklamës së Microsoft-it duket se asnjëra prej këtyre faqeve nuk është rruga më e mirë për të gjetur produktet. Të njëjtat probleme aplikohen edhe për Bing dhe Google, përfshi listime dublikate dhe linke në shitës jo të njohur. Por ndonëse Bing pretendon se Google ka “kërkim të keq”, të dy shërbimet duken të ngjashme në praktikë. (PCWorld Albanian)

Tags >

reklama
Lajmet e fundit>