Microsoft synon ndryshimin e politikave për Windows Phone

Mar 17 2014
0 Shpërndarje
Microsoft synon ndryshimin e politikave për Windows Phone

htc-8xt-windows-phoneMicrosoft po përpiqet të bëjë një lëvizje tjetër në treg, ofrimin falas (ose shumë lirë) të sistemit operativ për smartfonë, Windows Phone. Kjo është një taktikë e nevojshme në një treg botëror që dominohet nga sistemi Android i Google dhe nga të tjera sisteme operimi, të reja që janë tashmë në treg falas por edhe që priten të vijnë. Që nga viti i kaluar, Microsoft ka qenë në përpjekje me një kompani telefonike nga India për të prodhuar “pajisje me çmim të përballueshëm me sistem Windows Phone”.

Marrëveshja e Microsoft “përfundoi” me sukses kur kjo kompani pranoi që ta ofrojë sistemin Windows Phone nën komisionin e zakonshëm të pagesës, por zëdhënësi i Microsoft-it në atë kohë ka deklaruar se “nuk mund të diskutohen çështje konfidenciale të termave të licencimit.” Sistemi Windows Phone ka një përdorim rreth 10% në tregun e smartfonëve në Indi dhe është një rrezik i llogaritur, por që ende ka vend për përfitim për Microsoft dhe mbetet të shihet si do të shkojë. Tregu indian është më së shumti i dominuar nga Android, por strategjia e Microsoft-it me një prodhues vendas mund të jetë një avantazh më vete.

Arsyeja pse Microsoft-i është kaq mbrapa në tregun e smartfonëve është prej faktit që u vonua në ofrimin e një sistemi operativ për smartfonë. Ndërkohë që Apple dhe Google e kishin filluar luftën e tyre për tregun mobil, Microsoft e ofron Windows Phone vetëm në vitin 2010. Këtë e ka pranuar edhe vetë Steve Ballmer para disa javësh kur tha: “Ne do të kishim një pozicion shumë më të mirë në tregun mobil nëse unë do të mund të ribëja sërish dhjetë vitet e fundit.” Por kjo nuk është ende një arsye pse Microsoft të dëshpërohet. Një numër agjencish e kompanish statistikore dhe anketime tregojnë që Windows Phone do të përdoret gjithnjë e më shumë në të ardhmen duke rritur shifrat dhe duke u forcuar në treg.

Për ta realizuar këtë, tregjet e vendeve të dyta dhe të treta luajnë një rol të veçantë. Në to ka një vend shumë të mirë për sisteme alternative, pavarësisht që momentalisht Firefox OS dhe Ubuntu janë në pozita të mira. Analistët thonë që Microsoft mundet shumë mirë që të ndryshojë politikat e modeleve të biznesit kompanisë në qasjen në tregjet e reja. Raste janë Office 365, OneDrive, Skype apo shërbime të tjera muzikore që nuk shiten, por nxjerrin të ardhura nëpërmjet shërbimeve që ofrojnë me pagesë. E njëjta gjë mund të bëhet me Windows Phone, duke e ofruar sistemin falas dhe duke nxjerrë fitime nëpërmjet shërbimeve me pagesë.

Prandaj Microsoft-i po i rimendon politikat e licencimit për pajisje si tabletat apo smartfonët që do të operojnë me Windows Phone. Ky proces duket se ka filluar tashmë me uljen e komisionit për pajisje me çmim nën 250 dollarë. Përfitimi i parë ka ardhur për tabletat e Dell dhe Lenovo, që gjithashtu kanë shitur tableta me çmim më të ulët. Pavarësisht këtyre politikave të reja, nuk pritet që ndryshimet të ndodhin brenda një kohe të shkurtër. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>