Lajmet

Microsoft Tech Update Prishtina 2009

Jun 19 2009
0 Shpërndarje
Microsoft Tech Update Prishtina 2009

Ilijanco Gagovski, menaxher gjeneral i Microsoft-it në Maqedoni, prezantoi suksesin e kompanisë dhe planet për të ardhmen. Arnaud Lheureux, inxhinier i sigurisë për Microsoft EMEA CSS, prezantoi temën “Ndërtimi i strategjive për mbrojtje të thellë”, ku u prezantuan mënyrat e mbrojtjes së sistemeve nga sulmet që vijnë drejt sistemeve. Dimitar Grozdanov, specialist i teknologjisë për Microsoft-in në Maqedoni, prezantoi Windows 7 për biznese si dhe përparësitë që Windows 7 ka në krahasim me Vista dhe XP.

Visar Ramajli, nga kompania Cacttus në Kosovë, prezantoi SharePoint 2007 dhe të rejat që versioni i ri sjell në krahasim me versionet e kaluara.
Maja Talevska dhe Ivo Trajkovski nga Login Systems së bashku me Glauk Hoxhën nga Virtuo prezantuan temën “Komunikimi i unifikuar dhe Office Communicator 2007”. Prezantuesit gjithashtu demonstruan punën e Office Communicator dhe ndërlidhjen e tyre me produktet për telefoni IT të LG-Nortel. Një atraksion që tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve ishte kamera 360-gradë e emërtuar RoundTable (Polycom CX5000), e cila përdoret për mbledhje online dhe është e përshtatshme për zyrat të cilat mbajnë mbledhje me video-konferenca online. Kamera ishte e përshtatshme për një tavolinë të rrumbullakët mbledhjesh, pasi merrte pamje nga të gjitha anët e tavolinës dhe fokusonte në pamjen kryesore folësin duke përdorur sensorët e zërit për ta identifikuar atë.
Adriatik Nimani, nga PRONET, prezantoi Forefront Treat Menagement Getaway dhe në fund të seminarit Burim Hajrizaj nga kompania Smarttech prezantoi Windows Presentation Foundation, që përdoret për dizajnimin e aplikacioneve.

“Kjo është hera e tretë që ne organizojmë ngjarjen Tech Update këtu në Prishtinë. Ky organizim është tradicional dhe çdo vit ne ftojmë partnerët dhe klientët tanë në Kosovë për t’i informuar me teknologjinë më të re që kemi zhvilluar gjatë viteve të fundit dhe teknologjinë që mund të presin në muajt ose vitin në vijim.” deklaroi për PC World Abanian, Ilijanco Gagovski, menaxher gjeneral i Microsoft-it në Maqedoni.

“Çdo vit kemi përafërsisht 200 pjesëmarrës në konferencë, kështu ishte edhe këtë vit. Kjo ngjarje ka potencial të rritet në diçka shumë të madhe, madje në një ngjarje dyditëshe në të ardhmen e afërt. Qëllimi ynë kryesor është të tregojmë që ekziston një transferim i dijes në drejtim të Kosovës, sepse ne mund të kemi të gjitha produktet që dëshirojmë, produkte të mira dhe tipare të mira, por nëse nuk gjendet asnjeri për t’i implementuar ato dhe për t’u treguar klientëve pse duhet t’i implementojnë ato, se cilat janë përfitimet e përdorimit të këtij softueri, atëherë nuk do të jemi të suksesshëm. Kjo është strategjia jonë për të arritur suksesin, duke i bërë të tjerët të suksesshëm, në këtë rast partnerët tanë”, deklaroi Gagovski.

Lajmet e fundit>