Lajmet

Ministri Veliaj: Sistemi dixhital i ndihmës ekonomike shmang abuzimet

Jun 11 2014
0 Shpërndarje
Ministri Veliaj: Sistemi dixhital i ndihmës ekonomike shmang abuzimet

Foto ElbasanMinistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, prezantoi në Elbasan sistemin e modernizimit të Ndihmës Ekonomike, i cili po pilotohet edhe në dy qarqet e tjera të Shqipërisë, Tiranë dhe Durrës. Duke folur për skemën “Shqipëria Solidare”, Veliaj u shpreh se me projektin e mbështetur nga Banka Botërore fondi i Ndihmës Ekonomike do të administrohet më mirë. “Skema dixhitale “Shqipëria Solidare”, që po aplikohet me sukses në Elbasan, shmang abuzimet duke qenë se kompjuteri është në gjendje të verifikojë nëse je vërtet në nevojë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike”, u shpreh ministri Veliaj.

Sipas ministrit Veliaj, dixhitalizimi i skemës i dekurajon ata njerëz, të cilët në kushte të tjera do të përpiqeshin të abuzonin. Nga ana tjetër, ai u shpreh se duke filluar nga ky muaj ndihmën ekonomike do ta marrin vetëm gratë, si dhe do t’u jepet një bonus familjeve që shkollojnë dhe vaksinojnë fëmijët e tyre. Ai vuri në dukje edhe faktin se do të ketë një lidhje më të mirë mes zyrave të punës dhe administratorëve social, për t’u ofruar punë atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Projekti i mbështetur nga Banka Botërore ka të bëjë me ngritjen e Regjistrit Elektronik të përfituesve të Ndihmës Ekonomike dhe ndihmon në uljen e abuzimeve dhe rritjen e transparencës me këtë skemë. Risitë e këtij sistemi elektronik kombëtar të dhënash janë: përfshirje sociale më e gjerë e kategorive në nevojë; rritje të transparencës; rritje të cilësisë së shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike; shmangie të rasteve të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike dhe sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>